MENU
klinika

Mentor Nazarko

Naivë me Izraelin, nuk kam ambicie karriere

23.02.2017 - 15:23

Intervistoi: Mentor Nazarko

M.N: A solli Evropiani ndryshime, suksese në karrierat e lojtarëve te veçantë?

DB: Sipas meje kontribuoi shumë. Kur je lojtar i një skuadre kombëtare, qoftë dhe i një skuadre pa shumë emër siç është kombëtarja shqiptare, por që ka arritur në fazën finale të një Evropiani, vlera e një lojtari rritet. Ajo që nuk duhet të rritet është mendjemadhësia e të ndjerit të realizuar. Flas në mënyrë të përgjithshme, duke përfshirë dhe veten. Duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë e të mundohemi për të dhënë maksimumin. Ne kemi një veti që jemi skuadër, jemi të vendosur. Nuk kemi cilësi të mëdha nga ana teknike dhe të tjerët mund të qëndrojnë më lart. Ajo që nuk duhet të na mungojë është vendosmëria dhe dëshira për të ndjekur rezultatin deri në çastin e fundit.

M.N: A mungoi kjo vendosmëri në ndeshjen me Izraelin? Pamë një portier si Berisha që e humbi gjakftohtësinë…

D.B: Po kjo mund të ndodhë, është normale. Mendoj se u treguam disi naïvë nga pikëpamja taktike, veçanërisht u kapëm “në gjumë” në rastin e golit të parë dhe kjo e kompromentoi fazën e parë të ndeshjes. Pastaj mbetëm me një lojtar më pak. Në fillim të pjesës së dytë patëm këtë kacafytje, ku lojtari izraelit me dinakëri “e futi në thes” Berishën. Ishte një gjë e pabesueshme. Besoj se arbitrat ose nuk kanë luajtur asnjëherë, ose bëjnë sikur nuk shohin, sepse është e pamundur të nxjerrësh jashtë Berishën e të lësh në fushën lojtarin që bën një skenë të tillë. Mendoj se duhej dënuar, por për fat të keq, në futboll shpesh ndodh e kundërta.

M.N: Në atë ndeshje u përjetua dhe konteksti i mundësisë së një atentati. Një lojtar i rëndësishëm si Mavraj e drejtoi gishtin drejt kësaj situate frike e kontrollesh të forta e të rrepta, të cilat penguan tifozët që të hynin në stadium. A është e vërtetë kjo apo është një ekzagjerim?

konica sportkonica sport mobile

D.B: Kjo është një përshtypje e tij. Unë nuk mund të përjetoj përshtypjet që përjetojnë djemtë. Unë jam gjashtëdhjetë vjeç, ndërsa ata më pak se tridhjetë, ndaj kemi një qasje krejt të ndryshme. Sigurisht, kjo ndeshje që ne e luajtëm në shtëpi dukej sikur po luanim jashtë fushës sonë.

Ka një problem kur luan kundër Izraelit, që ka masa sigurie të pabesueshme, mbërrijnë me aparaturat e tyre të jashtëzakonshme të sigurisë, saqë duket vërtet sikur po luan në fushë të huaj. Mund vetëm ta përfytyroj se ç’do të ndodhë kur të shkojmë ne në Izrael!
Mund të mendohet se vërtet kjo ndeshje ishte “jashtë binarëve” nga njëfarë këndvështrimi. Unë jam një person që nuk u ofroj kurrë alibi lojtarëve. Mund të luanim më mirë, pavarësisht të gjitha problemeve që patëm para fillimit të ndeshjes, veçanërisht nëse do të kishim qenë pak më dinakë në leximin e disa situatave taktike.

M.N: Një pyetje që vjen nga qarqet sportive…Cila është një skuadër e madhe që do të donit të drejtonit, ndërkombëtare apo italiane qoftë?

D.B: Do të doja të drejtoja Realin e Madridit, por nuk më kanë thirrur kurrë. Barcelonën, por nuk më kanë thirrur kurrë..

M.N: Po në Angli?

D.B: Chelsea-n, por ata thirrën Conte-n, kështu që… Le të themi që unë ndihem mirë këtu ku jam e nuk kam gjinkalla që më këndojnë në kokë. Dhe koka nuk më merr erë, kjo është e sigurt. Besoj se kam përvojën për të bërë gjëra të ndryshme. Nuk kam shumë ambicie nga kjo pikëpamje, megjithëse nuk të fsheh se, kur fitova dy kampionate rresht me Modenën, nga Seria C në Serinë A, ndoshta prisja dhe ndonjë thirrje nga një klub i rëndësishëm. Shkova në një skuadër të rëndomtë të Serisë A, te Brescia dhe arsyeja ishte se kisha në skuadër Roberto Baggio-n, një nga lojtarët më të mëdhenj italianë të të gjitha kohërave. Ka sot trajnerë që kanë bërë shumë më pak se unë, madje nuk kanë bërë asgjë, që drejtojnë skuadra të mëdha dhe kjo më acaron shumë.