MENU
klinika

Mentor Nazarko

A po e ndihmon çadra Lulëzim Bashën si lider?

07.03.2017 - 15:38

Nuk ka asnjë diskutim se ndërmarrja e një akti si hapja e një çadre proteste në qendër të bulevardit ishte një hap i fortë politik, megjithëse jo origjinal. E ka bërë PS-ja, megjithëse paksa më e zhvendosur në raport me kryeministrinë. Dhe në ideimin e këtij akti proteste, me siguri ka marrë pjesë dhe Sali Berisha, apo është konsultuar Sali Berisha.

Sepse ky akt në vetëvete, do të sjellë apo mund të sjellë pasoja të mëdha për fatin e PD-së. Dhe një guxim të tillë për të përcaktuar të ardhmen e PD-së, me të apo pa të, Basha nuk e ka patur dhe logjikisht as mund ta ketë. Pavarësisht se ai tha në Opinion, se vendimin për të ndërmarrë aktin e çlirimit nga prangat e së keqes e ka marrë para pak kohësh.

Dhe cilat janë pasojat eventuale të çadrës për Bashën si lider?

Lulëzim Basha po flet shumë, shpesh, në të gjithë mediat. Po kopion Trump në qasjen agresive ndaj komentatorëve dhe pronarëve të medias, diçka që nuk e kishte bërë më parë. Po stërvit të folurin në një regjistër tjetër, më agresiv, kërcënues, shantazhues, diçka që gjithashtu nuk e kishte bërë më parë.

Ky Basha i çadrës ngjan pak me një Bashë të 5 vjetëve më parë, i ndryshëm përshembull nga ai që pamë në Tiranë kur u përplas me Ramën për fitimin e bashkisë së kryeqytetit. Basha asokohe ishte konstruktiv dhe kjo bëri që ai t’i afrohej fitores me dhjetë vota më pak, ose të fitonte me 181 vota nëse do mbështetemi tek rezultati zyrtar përfundimtar.

Basha i sotëm flet vetë, shpesh, nuk vepron, diçka që megjithatë ai e bën shumë mirë. Të flasësh është diçka krejt tjetër nga të vepruarit. Gjithsesi, ai po ngjan më interesant sesa muajt e fundit.

Basha në çadër për ato që thotë, nuk ngjan se konsultohet në çdo çast me Berishën. Pra ai është duke prodhuar shkëndija të unit të vet politik si lider. Me gjasë huazon metafora të ligjërimit të vet çadror, nga fjalimshkrues, por kjo është normale dhe e kuptueshme. Megjithëse i trajnuar për debate, Basha nuk ka shkëlqyer për metafora letrare.

Disa prej pasojave të Bashës si lider i ri

Basha në çadër kërcënon afatet kushtetuese të vetingut, të regjistrimit të partive në zgjedhjet parlamentare, të zgjedhjes së presidentit, etj, etj. Me gjasë në kërcënimet e tij janë parashikuar dhe skenarët për seicilin prej këtyre momenteve.

Duke kërcënuar afatet kushtetuese të vetingut, Basha po bëhet garant i mosrealizimit të vetingut, praktikisht i mosfunksionimit të reformës në drejtësi, i spastrimit të kësaj drejtësie, pra garant i një drejtësie problematike, prej të cilës ai me siguri nuk ka parë fryte të këqia. Duke bërë këtë, sigurisht ai nuk bëhet mik i ndonjë perëndimori në përgjithësi, apo europiani në veçanti. A është elektorale kjo ?

Duke mos u regjistruar në zgjedhje, Basha do të krijonte njëlloj krize, por që ka brenda zgjidhjen: shtyrjen e tyre.
Duke mos marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit, Basha dorëhiqet vullnetarisht nga njëlloj kontributi ku PD-ja do të konsiderohej të paktën në nivel konsultimesh. Kështu Presidenti do të zgjidhej vetëm nga partitë qeverisëse, me negociata të brendshme. Gjithmonë nëse ai nuk është përcaktuar tashmë.

Dhe nëse nuk respekton realisht asnjerin prej afateve, Basha synon të delegjitimojë seicilin prej institucioneve të lartpërmendura që do të jenë ose pa mandat, ose me mandat të shtyrë. E gjitha kjo që pritet të ndodhë është diçka pa precedent në Shqipëri, por me precedentë në Maqedoni, apo Kosovë. Pra Basha prej çadrës, apo me çadër, synon të fusë vendin në një krizë totale institucionale.

Përshembull, është e lehtë të imagjinosh një precedent gjithmonë nëse mazhoranca vendos të mos e zgjedhë presidentin në maj, në respekt të opozitës. Presidentit nuk mund t’i shtyhet mandati. Qeveria ka gjithashtu mandat të shtyrë. Madje në një rast si ky në vend të tij duhet të vendoset kryetari i parlamentit Meta, si kanë bërë shpesh në Kosovë, duke e quajtur vakant vendin e presidentit të dorëhequr, etj, etj.

Por a do krijohet krizë destabilizuese shoqërore prej kësaj krize institucionale? Maqedonia, një vend me konfliktualitet më të lartë potencial se joni, ka ecur nëpër rrugë si këto,me kryeministra të cilëve nuk i dihet emri dhe nuk ka patur telashe të mëdha. Thjesht mund të na rastisë të kuptojmë se një shtet si Shqipëria, që del nga binarët e kushtetutës, mund të ecë më mirë jashtë tyre, sesa brenda tyre. Më saktë mund të jetë po aq i qetë sikur të ishte brenda binarëve.