MENU
klinika

Mentor Nazarko

Akuza me shampanjë dhe jahte…në Kosovë

31.03.2017 - 13:52

Kosova ditët e fundit është përfshirë nga polemika në lidhje me shfaqjen në një foto private të kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, marrë në distancë. Shpendi pas mohimit të vazhdueshëm më në fund e pranoi se kishte qenë gjatë qëndrimit në Budva, në jahtin e një biznesmeni të diskutueshëm në Kosovë, Blerim Devolli. Blerimi është titullar i një kompanie me shumë ekskluzivitete që fillojnë nga kafja « Devolli », birra « Peja », prodhimi i miellit, kompani celulare,etj., etj.

Polemikat në fjalë janë frymëzim i kontekstit politik që po kalon Kosova. Zgjedhjet vendore janë para derës dhe si çdo vit, nga një pjesë e politikës shpresohet të ketë dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për kërë arsye, Shpendi ka shumë armiq që mund të kenë patur interes për ta botuar foton, dhe për të plasur me këtë rast dhe polemikat në fjalë.

Kush mund të jenë ata që e kanë plasur këtë zhurmë? Ose që kanë fërkuar duart më së shumti me shfaqjen e fotos në fjalë? Kosova ka patur kohët e fundit dhe tema të tjera të rëndësishme që po mënjanohen për shkak të rëndësisë që ka marrë fotoja. E sigurisht, ata që ishin në qendër të vëmendjes, dhe të kritikave, mund të kenë nxitur spostimin e saj kah Shpendi. Qoftë PDK-ja, qoftë LDK-ja, qoftë AAK-ja, apo ndonjë parti dhe institucion tjetër kritik me Vetëvendosjen, kanë patur interes që të flitet më pak për demarkacionin, asosacionin, apo kriza të tjera. Si është treguar dhe në Shqipëri, polemikat, sulmet, narrativa e korrupsionit individual është më tërheqëse sesa ajo e korrupsionit në grup.

Sulmet ndaj kësaj fotoje, që tregon sipas kritikëve, standarde të ulta etike të kryetarit të Prishtinës-ai ka dalë në foto me një ndëmarrës që fiton tenderë furnizimi në kryeqytet- në fakt nuk godasin vetëm Shpendin, por dhe Vetëvendosjen. E ky moment tregon se sa absurde do të ishte sikur fotoja të kishte dalë nga vetë njerëzit e kësaj partie. Duke dashur të dëmtojnë Shpendin, po dëmtojnë partinë e tyre, që në disa sondazhe del ndër dy partitë kryesore. A kanë arsye me sulmuar Shpendin nga brenda partisë? Me gjasë, po. Në ndonjë rast, Shpendi i shkolluar në perëndim, ka qenë kundrejt bashkësisë perëndimore në Kosovë, në pozicione më të moderuara sesa kryetari i partisë, apo lideri shpirtëror i saj, Albin Kurti. Paradoksalisht, në shumë raste ai ka dalë njëlloj reaktiv ndaj kësaj bashkësie, madje Shpendi është shfaqur dhe duke u përplasur me policinë, apo duke i prirë protestuesve që kanë kryer akte huliganizmi. Përflitet megjithatë për një lloj disidence të Shpendit ndaj linjës së Kurtit, apo formalisht të Visar Ymerit, i cili, i pyetur për foton në fjalë, para pak ditësh, tha pak a shumë: nëse në foto është vërtet Shpendi me Blerim Devollin, kjo do të ishte e dëmshme për Shpendin. Dhe me qasjen e partisë së vet, Shpendi vërtet ka bërë gabim të madh: ka dalë në foto me një ndërmarrës që ka fituar ndonjë tender sado të vogël në kryeqytet. Si luftë brenda partisë, Shpendi vërtet i bie që të jetë person i dyshimtë: i lidhur me borgjezët, ndërkohë që partia vetë është parti e studentëve, e intelektualëve anarkistë, neomarksistë që bëjnë jetë asketike, që kanë klishe ideologjike, e dishepujve të imamëve antiperëndimorë, etj.

Çfarë tregon debati?

kolana e librave

Kjo histori për një politikan, që megjithatë nuk përflitet në përmasat e përfoljes që gjen në Shqipëri, tregon shumëçka.

Së pari, regon për një standard relativisht të lartë të diskutimit etik në politikën kosovare. Dhe kjo është pozitive. Më të lartë se ai që gjen në SHqipëri, dhe në këtë pikë, Kosova është për t’u marrë shembull.

Së dyti, nxit debatin për pozicionin në treg të disa kompanive që kanë ekskluzivitete, trajtime preferenciale, domethënë pozita dominante në treg, sidomos në tregtinë me Serbinë. Kjo është e shëndetshme për demokracinë e re kosovare e si pasojë dhe ekonominë e këtij vendi që kontrollohet ende nga Serbia. Brenda këtij debati, sigurisht, duhet parë dhe nga vjen sulmi: mos vallë është pjesë e konkurencës së ashpër të kompanive të ndryshme për tregun e Kosovës, furnizimin e tij , madje që japin e marrin me Serbinë? E në këtë kuadër, ngjan se gazetarë të caktuar bëhen pararoja e mprehtë e larjes së hesapeve midis këtyre kompanive. Njëjtë sikur dashi i hekurt që hap dyert e kalave. Mund të jetë kështu, por cila do ishte kalaja në këtë rast?

Kalaja është partia e Shpendit, Vetëvendosja. Ajo ka pretenduar, ajo ka kërkuar pastërti ekstreme nga politikanët e saj dhe ja ku ndodhi ajo që ndodhi. E tash ky model bie në krizë. Me të vërtetë është e mundur që në një vend kaq të vogël si Kosova, të ketë distancë higjienike (fizikisht bëhet fjalë) midis politikanëve dhe ndërmarrësve? E si do ta realizojë Vetëvendosja këtë distancë? Nga kush do financohej ajo nëse do të impononte vërtet këtë distancë? Thjesht dhe vetëm nga kuotat e anëtarësisë?

Dhe vijmë në një pikë tjetër, që përbashkon këtë debat me debatet e politikës së Shqipërisë. Nëse diskutohet për pozita preferenciale, për ekskluzivitete, për kontroll të territorit nga disa biznese, kush duhet të qortohet i pari, apo të ngarkohet me përgjegjësi? Vendimmarrësi, apo biznesmeni? Kosova nuk duhet të bjerë në modelin e Shqipërisë, kur emrat e njerëzve të biznesit fluturojnë nëpër foltoret e parlamentit, apo nëpër portalet e ndryshme duke shkatërruar jo thjesht ata, por bizneset e tyre, të cilët luftojnë për imazh. Parë kështu, përgjegjësinë më së pari e kanë politikanët dhe pastaj njerëzit e biznesit.

Më në fund, jo thjesht me sytë e dikujt nga Shqipëria, çfarë ka bërë Shpendi, thjesht duke shkuar në jahtin e një ndërmarrësi si Devolli, është diçka jo dhe aq e qortueshme. Akti në vetvete. Shpendi mund ta kishte të afërmin e vet, për shembull Devollin, për shembull dhe në një shtet të vogël, ku të gjithë janë kushërinj, probabiliteti do ishte i lartë… Problemi është tek vendimmarrja e Shpendit: a ka favorizuar ai këtë kompani? Nëse është kritik ndaj pozitës dominante të kompanive të caktuara, që zhvillojnë madje tregti prefereniale me Serbinë, a ka marrë ai vendime favorizuese të tyre dhe a është njëjtë kritik me të gjithë? Po le të shpresojmë që debati të fokusohet pikërisht këtu dhe askush të mos bëjë shenjtorin, në një vend të vogël ku është e pamundur që në çdo moment të mos përplasesh me dikë që e njeh.