Pse alibia që droga ka paracaktuar rezultatin e zgjedhjeve, është e dobët. Lazarati përshembull, votonte 99% për PD, por nuk bleu dot rezultatin e Gjirokastrës që ka votuar vetëm majtas. Kur ka frymë ndryshimi qeverisjeje, ajo fshin çdo lloj regjimi. Shembujt nga bota, madje dhe rënia e regjimit komunist e tregon këtë. Madje paradoksalisht ka vende të njohura për kultivimin e drogës që kanë qeverisje demokratike të njohura botërisht
Droga nuk i blen dot zgjedhjet, as në Kolumbi?
Një nga argumentet kryesore të Partisë Demokratike, të protestës së saj, të ngritjes së çadrës së protestës, është fuqia e madhe ekonomike që ka prodhuar droga, dhe mundësia reale e blerjes së zgjedhjeve prej kësaj fuqie.
Po abstragojmë se sa e vërtetë është kjo akuzë, dmth për përmasat e vërtetësisë së saj dhe se a është e vërtetë që 100% e parave të drogës përfundojnë në favor të qeveritarëve. Pra nuk po merremi me ata që akuzohen se e kontrollojnë këtë trafik, duke pranuar për të mirëqenë se njerëzit e pushtetit janë ata që përfitojnë më shumë. Po mundohemi të kuptojmë edhe me shembuj ndërkombëtare se a është droga, prodhimi dhe trafiku i saj, paratë prej këtyre dy faktorëve, përcaktues në rezultatin elektoral. Me pak fjalë të tjera, a është i paracaktuar rezultati elektoral në ato vende që janë prodhues të mëdhenj të drogës?
Dosieri i mëposhtëm, me gjithë materialet e tij, nuk synon të tregojë se Shqipëria është si Kolumbia. Dhe as se dëshirojmë të bëhet si Kolumbia, e cila megjithatë në raportet e institucioneve të besueshme, me gjithë vërejtjet, problemet serioze të kultivimit dhe përpunimit të narkotikëve, konsiderohet si demokraci funksionale, ku ka rotacion. Njëjtë si dhe në Meksikë apo gjetiu ku problemi i drogës, një problem global, është i pranishëm. Nuk po flasim as ta bëjmë Shqipërinë si Hongkongu, ku gjithashtu ka probleme kultivimi narkotikësh.
Shkrimi thjesht synon të tregojë se nëse ekziston sjellje institucionale e drejtë, nëse ka gjykata dhe sistem drejtësie të pavarur, rotacioni është i garantuar.
Argumenti që po përpiqet të ndërkombëtarizojë opozita ngjan me një argument tingëllues dhe tronditës jashtë vendit për publikun e gjerë ndërkombëtar, por që nuk voton. Ushqim shumë i mirë për gazetat. Ushqim shumë i mirë për shkatërrimin e imazhit të vendit, tërheqjen e investitorëve të huaj.
Për vendimmarrësit perëndimorë nuk ngjan dhe aq përcaktues: ata i dinë përmasat botërore të trafikut, peshën e Shqipërisë, ndarjen ndërkombëtare të punës në prodhimin dhe trafikun e drogës. Dhe dinë sigurisht sesa para kanë në xhepa, dmth në llogari bankare jashtë vendit politikanët tanë.
Ky është një argument tronditës dhe tingëllues brenda vendit për ata që mendojnë shumë thellë.
Nuk është një argument elektoral, domethënë që të trondisë popullin dhe të mos votojë për ata që kontrollojnë prodhimin dhe trafikun në fjalë. Madje populli fyhet nga kjo pandehmë se vota e tij është e parablerë që tani.
Por le të nisim me një pyetje të thjeshtë. A janë gjithë vendet prodhuese të drogës, vende pa demokraci, ku rezultatet janë të paracaktuara? Pra a përcakton prodhimi dhe trafiku masiv, edhe mungesën e rotacionit? Jo, gjithnjë. Sipas burimeve të besueshme, mes tyre, veç Kolumbisë, Meksikës, bën pjesë dhe Libani, Hong Kongu, pa folur për Pakistanin. Nuk po përmendim vende ku ka mbretëri si Tajlanda, por ku ka rotacion politik. Do të mjaftonte vetëm Kolumbia, një vend me zhvillim normal demokratik për të hedhur poshtë aksiomën, se qeveria që kontrollon trafikun dhe prodhimin e drogës, kontrollon dhe rezultatin e zgjedhjeve. Po të doni fusim dhe Meksikën.
E pse në Shqipëri është ndryshe? A nuk besohet se fryma e protestës dhe e kundërshtisë ndaj qeverisë do të fshinte çdo regjim, çdo qeveri, të lidhur tërësisht, masivisht apo pjesërisht me trafikun dhe prodhimin e drogës? Ta thuash se jo nuk do të ketë zgjedhje, se zgjedhjet blihen prej drogës, është shumë pretencioze.
Në mungesë të argumenteve nga bota, cilat janë argumentet vendore të opozitës se pse kjo është e mundur në mënyrë absolute? E vërteta është, si më pohonte dikush, se Dibra ishte shembull i transformimit të vullnetit të popullit nëpërmjet blerjes së votës nga paratë e drogës. Sipas këtij arsyetimi, Dibra ka qenë njëlloj bastioni i së djathtës. Në Dibër kryetari socialist u largua për një skandal seksual, dhe sipas këtij përfytyrimi, rezultati do duhej të ishte në favor të opozitës. Dibra ishte sipas opozitës, shembulli laboratorik se zgjedhjet janë përcaktuar në tavolinë në favor të qeverisë.
Në këtë rast, shtrohet një pyetje: me paratë e drogës që është mbjellë në Dibër? Apo me para të tjera? Sepse nëse bëhet fjalë për paratë e Dibrës, atëherë vjen në mend një shembull tjetër.
Po Lazarati? Nëse do t’ i mbahemi paradigmës se paratë e drogës shkojnë vetëm e vetëm tek qeveria, atëherë dhe paratë e drogës së Lazaratit shkonin tek qeveria Berisha. Po pse me paratë e Lazaratit nuk blihej dot rezultati në Gjirokastër? Pse e djathta në Gjirokastër nuk fitonte zgjedhjet as në nivel lokal, dhe as shumicën e vendeve në parlament? A nuk e udhëheqin PD-në e Gjirokastrës politikanë që vijnë nga Lazarati? Pse PD, ka qenë imune nga paratë e drogës në nivel Gjirokastre dhe nivel kombëtar dhe PS-ja është e infektuar? Dhe pse jo LSI-ja? Dikush mund të thotë se droga e Lazaratit ka kontrolluar votën e Lazaratit ku për PD-në është votuar 99%, por pse vallë lobi lazaratas s’paska dashur të kontrollojë dhe bashkinë, apo deputetët e këtij qarku? Pra bie dhe paradigma se paratë e drogës funksionojnë mirë në vendbanime të vogla. Se nëse është kështu, paratë e drogës, mund të blejnë vendbanime të caktuara, por jo gjithë Shqipërinë.
Të dhënat e INCSR për drogën në Shqipëri 2014-2016
Nuk ka diskutim se ai që ka pushtetin, ka mundësi që në nivele rrethesh, qarqesh, bashkish, të kontrollojë votën më suksesshëm. Me para droge, me vende pune, me të gjitha llojet e parave të ligjshme dhe të paligjshme. Prandaj kush ka qeverinë, në vende të vogla, ka gjithmonë një përqindje në favor të vet, pa nisur loja. Por kur krijohet frymë popullore ndryshimi, ajo frymë mund të rrëzojë gjithçka. Demokratikisht, si ndodh në Kolumbi. Por dhe me forcë.
Problemi tek ne është tek fryma. E tani shtrohet pyetja: a është çadra, shprehësja, mishëruesja e frymës së ndryshimit? A mishëron ajo energjinë, a do të prodhojë ajo energjinë e ndryshimit që do ta rrënojë kontrollin e votës prej të ashtuquajturave para të pista, të drogës, trafiqeve të tjera, apo çdo forme të paligjshme të blerjes së mendjes dhe votës? A ka kuptim të fyesh popullin, votuesin tënd se ai qenka i blerë? A është elektorale kjo? Kjo mbetet për një shkrim tjetër.
Ndërsa po shkruaja këtë artikull që po e diskutoja me një mik në Kosovë, ai më tregoi një mesele. Një ditë dy të verbër po hanin në sofër drekë me fasule, bukë, etj. Ndërsa po hanin me lugë, njeri i tha tjetrit: po ti pse han dy lugë fasule dhe një kafshatë bukë? Tjetri, i verbër gjithashtu, iu përgjigj: po ti ku po e din se ti nuk shikon? Eh, ju përgjigj sinqerisht dyshuesi. Edhe unë po kam ngrënë dhe po ha me dy lugë si ty!
Pse nuk u vazhdua beteja e Lazaratit?
Kur u godit Lazarati si kështjellë e drogës shqiptare, si çibani më i ndërkombëtarizuar i prodhimit të hashashit cilësor shqiptar, u krijua me siguri një momentum i jashtëzakonshëm. Jo thjesht për imazhin tonë si komb. Jo thjesht për forcën e policisë dhe qeverisë Rama që guxoi të godiste një kështjellë të krimit të organizuar. Nuk po e politizojmë diskutimin për të thënë se me cilën forcë politike ishte e lidhur ajo kështjellë, ai bastion ekonomiko-politiko-kriminal.
Momenti ishte për të ofruar një model të ri pune, jete për bujqësinë, popullin e Lazaratit dhe gjithë Shqipërinë. Për ta bërë këtë, megjithatë nuk mjaftonte qeveria. Duhej angazhim i faktorit ndërkombëtar, i cili vuante prej Lazaratit që helmonte rininë europiane. Duhej angazhim i opozitës, kësaj here jo në funksion denoncues, sepse do të ishte vetëdenoncues për shkak të lidhjeve të veta kërthizore me Lazaratin. Por në funksion propozues.
Për Lazaratin duheshin propozuar politika zhvillimore. Për bujqësinë e Shqipërisë duheshin propozuar gjithashtu politika të tilla. Për fshatin shqiptar në përgjithësi. Dhe për këto politika do duheshin programe, financime, të cilat duhet të vinin nga perëndimi normalisht. Zotërinj të nderuar perëndimorë: nuk po harxhoni shumë para për policinë tuaj në ndjekje të gomoneve apo trafikantëve me hashash made in Lazarati, dhe na jepni ne për të zhvilluar bujqësinë, artizanatin, industrinë përpunuese, agriturizmin-duhej të thoshte me një zë politika shqiptare. Ky mesazh nuk u dëgjua asgjëkundi.
Nuk duhet marrë për e mirëqenë se në kohën e qeverisjes së PD-së hashashi kultivohej vetëm e vetëm në Lazarat. Ka patur dhe vatra të tjera jo dhe aq të propaganduara, si në Lumin e Vlorës, në Malësi të madhe, etj, etj. Këto vatra sot me siguri janë rigjallëruar, dhe njolla e vajit të drogës, (jo vajit të hashashit që ka cilësi të mira shëndetësore) është shtrirë në gjithë Shqipërinë. Sipas raportit të Departamentit të Shtetit, sasia e identifikuar e vatrave të mbjella është pesëfishuar.
Çfarë ka ndodhur realisht? Qeveria shqiptare ka dështuar të implementojë programe të tilla zhvillimore në bujqësi, në nivel kombëtar dhe jo thjesht në Lazaratin e frustruar se tashmë ata po mbjellin më pak dhe se gjetiu po mbillet më shumë.
Qeveria e ka asnjanësuar efektin pozitiv në imazhin e vet për shkak të goditjes së Lazaratit. Sot, goditja shembullore e Lazaratit nuk mund të përdoret për mburrje asgjëkundi.
Perëndimi, burokracia e vet, e shteteve të veçanta, Italisë përshembull se Greqia është në krizë të madhe ekonomike, nuk lëvizi ta ndihmonte Shqipërinë.
Kërkesa e madhe e tregjeve të perëndimit për hashash, krijoi ofertë të re.
Ideja e një njeriu të afërt me kryeministrin për të lejuar kultivimin e hashashit për qëllime mjekësore me gjasë është konsideruar si njëlloj leje e heshtur për të mbjellë, pavarësisht se atij ju kundërvu publikisht ministri i brendshëm apo dhe kryeministri. Me gjasë ideja e tij është e shëndetshme deri diku, por ne nuk u morëm seriozisht me këtë propozim si me shumë propozime të tij. Mungesa e themeltësisë në një pjesë të propozimeve dhe ideve të tjera të Kokëdhimës, ka zhvlerësuar racionalen tek ideja e kultivimit të hashashit mjekësor. Efekti mbase ka qenë i njëjtë si me një konferencë shtypi të Berishës për piramidat: paratë tona janë të pastra.
Me siguri faji më i madh qëndron tek këta faktorë: politika qeveritare dhe tek bashkësia perëndimore.
Po ku qëndron në luftën ndaj prodhimit dhe trafikimit, prokuroria? Ajo mund të udhëhiqte hetime kryesisht pas denoncimeve mediatike për shumë zona.
Ku qëndron opozita që sot e ka drogën argumentin kryesor të luftës së saj, të bllokimit të jetës institucionale në vend?
Kur zëra të arsyeshëm propozonin krahas goditjes së Lazaratit, apo menjëherë pas mbarimit të operacionit atje, politika të reja zhvillimore për Lazaratin dhe fshatin shqiptar në përgjithësi, opozita heshti. Më saktë nuk heshti, por mbrojti Lazaratin. Mjafton të shikoni gazetat e atëhershme, mediat në përgjithësi për ta kuptuar këtë.
Kur analizohet me realizëm kriza e piramidave, përgjegjësitë kërkohen jo thjesht tek qeveria, regjimi i kohës që i toleroi, apo u bë bashkëfajtore. Por dhe tek opozita që heshti, nuk i denoncoi piramidat. Dhe mund të ketë përfituar prej tyre.
Përgjegjësitë kërkohen dhe tek perëndimi, institucionet financiare perëndimore që heshtën gjithashtu.
Për analogji edhe sot, si me piramidat, përgjegjësitë do duhet të kërkohen dhe tek opozita. Që heshti atëherë, por sot e ka armën kryesore politike për të ndenjur në çadër. Si opozita e djeshme me piramidat.
A është Kolumbia shtet demokratik?
Dosieri i mëposhtëm, megjithë materialet e tij, nuk synon të tregojë se Shqipëria është si Kolumbia. Dhe as se dëshirojmë të bëhet si Kolumbia, e cila megjithatë në raportet e institucioneve të besueshme, megjithë vërejtjet, problemet serioze të kultivimit dhe përpunimit të narkotikëve, konsiderohet si demokraci funksionale, ku ka rotacion. Njëjtë si dhe në Meksikë apo gjetiu ku problemi i drogës, një problem global, është i pranishëm. Nuk po flasim as ta bëjmë Shqipërinë si Hongkongu ku gjithashtu ka probleme kultivimi narkotikësh.
Shkrimi thjesht synon të tregojë se nëse ekziston sjellje institucionale e drejtë, nëse ka gjykata dhe sistem drejtësie të pavarur, rotacioni është i garantuar.
Në dekadat e fundit Kolumbia ka përjetuar një qëndrueshmëri të pandërprerë kushtetuese dhe institucionale me ndërhyrje të rralla nga ana e ushtarakëve. Ekziston një ndarje e qartë e pushteteve midis ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit ku një rol të veçantë luan Gjykata e Lartë e cila në Kolumbi ka një ndikim tejet të madh. Gjykata Kushtetuese mundet (dhe shpesh ndërmerr) të sfidojë kushtetutshmërinë e vendimeve të ekzekutivit e legjislativit.
.. Disa elementë dallojnë sistemin politik kolumbian nga ai i vendeve të tjera amerikano-latine. Kolumbia ka një histori të gjatë politikash partiake, zgjedhje zakonisht të lira e të ndershme, dhe respekt për të drejtat civile e politike. Dy parti tradicionale –Liberalët dhe Konservatorët – kanë konkuruar për pushtetin në mënyrë të pandërprerë që në mes të shek. XIX dhe i kanë dhënë jetë një rotacioni të shpeshtë në pozicionin e forcës qeverisëse. Forcat e armatosura të kolumbisë kanë uzurpuar pushtetin vetëm në tre raste: 1830, 1854 dhe 1953 – shumë më rrallë se në të gjithë vendet e tjera të kontinentit. Për më tepër, grushti i shtetit I vitit 1953, ndodhi vetëm pasi dy partitë kryesore, të paafta për të ruajtur rendin publik, kërkuan vetë ndërhyrjen e ushtrisë.
.. që nga mesi i viteve ’60 elitat dominuese të sistemit dypartiak, zakonisht kanë qenë protagoniste të shndërrimeve graduale me qëllim ruajtjen e stabilitetit.
http://www.globalsecurity.org/military/world/colombia/colombia_politics.htm