MENU
klinika

Mentor Nazarko

Kolumbia ka rotacion… Lazarati nuk i bleu dot zgjedhjet as në Gjirokastër!

21.03.2017 - 14:10

Disa pikëpyetje retorike në lidhje me përhapjen e drogës dhe ndikimin e saj elektoral. A përcakton dot ai që kontrollon prodhimin dhe trafikun e drogës, dhe cilësinë e votës, për kë shkon dhe kush fiton? Po fryma për ndryshim çfarë roli luan?

Një nga argumentet kryesore të Partisë Demokratike, të protestës së saj, të ngritjes së çadrës së protestës, është fuqia e madhe ekonomike që ka prodhuar droga, dhe mundësia reale e blerjes së zgjedhjeve prej kësaj fuqie.

Po abstragojmë se sa e vërtetë është kjo akuzë, dmth për përmasat e vërtetësisë së saj dhe se a është e vërtetë që 100% e parave të drogës përfundojnë në favor të qeveritarëve. Pra nuk po merremi me ata që akuzohen se e kontrollojnë këtë trafik, duke pranuar për të mirëqenë se njerëzit e pushtetit janë ata që përfitojnë më shumë. Po mundohemi të kuptojmë edhe me shembuj ndërkombëtare se a është droga, prodhimi dhe trafiku i saj, paratë prej këtyre dy faktorëve, përcaktues në rezultatin elektoral. Me pak fjalë të tjera, a është i paracaktuar rezultati elektoral në ato vende që janë prodhues të mëdhenj të drogës?

Dosieri i mëposhtëm, me gjithë materialet e tij, nuk synon të tregojë se Shqipëria është si Kolumbia. Dhe as se dëshirojmë të bëhet si Kolumbia, e cila megjithatë në raportet e institucioneve të besueshme, me gjithë vërejtjet, problemet serioze të kultivimit dhe përpunimit të narkotikëve, konsiderohet si demokraci funksionale, ku ka rotacion. Njëjtë si dhe në Meksikë apo gjetiu ku problemi i drogës, një problem global, është i pranishëm. Nuk po flasim as ta bëjmë Shqipërinë si Hongkongu, ku gjithashtu ka probleme kultivimi narkotikësh.
Shkrimi thjesht synon të tregojë se nëse ekziston sjellje institucionale e drejtë, nëse ka gjykata dhe sistem drejtësie të pavarur, rotacioni është i garantuar.

Argumenti që po përpiqet të ndërkombëtarizojë opozita ngjan me një argument tingëllues dhe tronditës jashtë vendit për publikun e gjerë ndërkombëtar, por që nuk voton. Ushqim shumë i mirë për gazetat. Ushqim shumë i mirë për shkatërrimin e imazhit të vendit, tërheqjen e investitorëve të huaj.

Për vendimmarrësit perëndimorë nuk ngjan dhe aq përcaktues: ata i dinë përmasat botërore të trafikut, peshën e Shqipërisë, ndarjen ndërkombëtare të punës në prodhimin dhe trafikun e drogës. Dhe dinë sigurisht sesa para kanë në xhepa, dmth në llogari bankare jashtë vendit politikanët tanë.

Ky është një argument tronditës dhe tingëllues brenda vendit për ata që mendojnë shumë thellë.

Nuk është një argument elektoral, domethënë që të trondisë popullin dhe të mos votojë për ata që kontrollojnë prodhimin dhe trafikun në fjalë. Madje populli fyhet nga kjo pandehmë se vota e tij është e parablerë që tani.

Por le të nisim me një pyetje të thjeshtë. A janë gjithë vendet prodhuese të drogës, vende pa demokraci, ku rezultatet janë të paracaktuara? Pra a përcakton prodhimi dhe trafiku masiv, edhe mungesën e rotacionit? Jo, gjithnjë. Sipas burimeve të besueshme, mes tyre, veç Kolumbisë, Meksikës, bën pjesë dhe Libani, Hong Kongu, pa folur për Pakistanin. Nuk po përmendim vende ku ka mbretëri si Tajlanda, por ku ka rotacion politik. Do të mjaftonte vetëm Kolumbia, një vend me zhvillim normal demokratik për të hedhur poshtë aksiomën, se qeveria që kontrollon trafikun dhe prodhimin e drogës, kontrollon dhe rezultatin e zgjedhjeve. Po të doni fusim dhe Meksikën.

E pse në Shqipëri është ndryshe? A nuk besohet se fryma e protestës dhe e kundërshtisë ndaj qeverisë do të fshinte çdo regjim, çdo qeveri, të lidhur tërësisht, masivisht apo pjesërisht me trafikun dhe prodhimin e drogës? Ta thuash se jo nuk do të ketë zgjedhje, se zgjedhjet blihen prej drogës, është shumë pretencioze.

Në mungesë të argumenteve nga bota, cilat janë argumentet vendore të opozitës se pse kjo është e mundur në mënyrë absolute? E vërteta është, si më pohonte dikush, se Dibra ishte shembull i transformimit të vullnetit të popullit nëpërmjet blerjes së votës nga paratë e drogës. Sipas këtij arsyetimi, Dibra ka qenë njëlloj bastioni i së djathtës. Në Dibër kryetari socialist u largua për një skandal seksual, dhe sipas këtij përfytyrimi, rezultati do duhej të ishte në favor të opozitës. Dibra ishte sipas opozitës, shembulli laboratorik se zgjedhjet janë përcaktuar në tavolinë në favor të qeverisë.

Në këtë rast, shtrohet një pyetje: me paratë e drogës që është mbjellë në Dibër? Apo me para të tjera? Sepse nëse bëhet fjalë për paratë e Dibrës, atëherë vjen në mend një shembull tjetër.

Po Lazarati? Nëse do t’ i mbahemi paradigmës se paratë e drogës shkojnë vetëm e vetëm tek qeveria, atëherë dhe paratë e drogës së Lazaratit shkonin tek qeveria Berisha. Po pse me paratë e Lazaratit nuk blihej dot rezultati në Gjirokastër? Pse e djathta në Gjirokastër nuk fitonte zgjedhjet as në nivel lokal, dhe as shumicën e vendeve në parlament? A nuk e udhëheqin PD-në e Gjirokastrës politikanë që vijnë nga Lazarati? Pse PD, ka qenë imune nga paratë e drogës në nivel Gjirokastre dhe nivel kombëtar dhe PS-ja është e infektuar? Dhe pse jo LSI-ja? Dikush mund të thotë se droga e Lazaratit ka kontrolluar votën e Lazaratit ku për PD-në është votuar 99%, por pse vallë lobi lazaratas s’paska dashur të kontrollojë dhe bashkinë, apo deputetët e këtij qarku? Pra bie dhe paradigma se paratë e drogës funksionojnë mirë në vendbanime të vogla. Se nëse është kështu, paratë e drogës, mund të blejnë vendbanime të caktuara, por jo gjithë Shqipërinë.

Nuk ka diskutim se ai që ka pushtetin, ka mundësi që në nivele rrethesh, qarqesh, bashkish, të kontrollojë votën më suksesshëm. Me para droge, me vende pune, me të gjitha llojet e parave të ligjshme dhe të paligjshme. Prandaj kush ka qeverinë, në vende të vogla, ka gjithmonë një përqindje në favor të vet, pa nisur loja. Por kur krijohet frymë popullore ndryshimi, ajo frymë mund të rrëzojë gjithçka. Demokratikisht, si ndodh në Kolumbi. Por dhe me forcë.

Problemi tek ne është tek fryma. E tani shtrohet pyetja: a është çadra, shprehësja, mishëruesja e frymës së ndryshimit? A mishëron ajo energjinë, a do të prodhojë ajo energjinë e ndryshimit që do ta rrënojë kontrollin e votës prej të ashtuquajturave para të pista, të drogës, trafiqeve të tjera, apo çdo forme të paligjshme të blerjes së mendjes dhe votës? A ka kuptim të fyesh popullin, votuesin tënd se ai qenka i blerë? A është elektorale kjo? Kjo mbetet për një shkrim tjetër.

Ndërsa po shkruaja këtë artikull që po e diskutoja me një mik në Kosovë, ai më tregoi një mesele. Një ditë dy të verbër po hanin në sofër drekë me fasule, bukë, etj. Ndërsa po hanin me lugë, njeri i tha tjetrit: po ti pse han dy lugë fasule dhe një kafshatë bukë? Tjetri, i verbër gjithashtu, iu përgjigj: po ti ku po e din se ti nuk shikon? Eh, ju përgjigj sinqerisht dyshuesi. Edhe unë po kam ngrënë dhe po ha me dy lugë si ty!