MENU
klinika

Mentor Nazarko

Mrekulli të shohësh shqiptarë nga gjithë bota në një fshat arbëresh të Siçilisë [VIDEO EKSKLUZIVE]

26.03.2017 - 14:52

Arbëreshët kanë qenë ura e perëndimit për Shqipërinë. Sporti mrekulli njerëzore që bashkon botën. Imazhi i shqiptarëve fluturon lart si shqiponja.

Mentor Nazarko– Si ju duket kjo ceremoni në pikëpamje të ringjalljes së përkatësisë arbëreshe këtu?

Mateo Mandala– Duket fantastike, po ringjalljen ne e kishim prej kohësh, tani më pas i kemi shtuar pak fatin. Janë marrëdhënie shumë pozitive, besoj për të dyja palët, edhe për ato arbëreshe, por edhe për shqiptarët dhe shpresoj që në të ardhmen t’i fuqizojmë këto marrëdhënie. Duhet të kemi akoma më shumë shkëmbime kulturore, sidomos në fushën e ekonomisë, e sidomos të turizmit.

Mentor Nazarko– Unë kam bërë një refleksion për rolin e futbollit në ringjalljen e ndjenjës kombëtare përkatësisht te diaspora e Shqipërisë, diaspora e re diaspora e vjetër. Ju çfarë mendimi keni për këtë, më konkretisht për rolin e futbollit?

Matteo Mandala– Sigurisht që futbolli, si të gjithë sportet, është një nga mjetet që bashkon njerëzit, pavarësisht nga vendet ku jetojnë, nga puna që bëjnë, nga idetë politike, nga ato ndarje shoqërore që normalisht njerëzit i largon. Sporti është kryevepra njerëzore që i bashkon njerëzit. Fakti që sot këtu në një fshat të vogël të Siçilisë janë bashkuar shqiptarë nga të gjitha viset e botës ku jetojnë, është një mrekulli në vetvete. Jemi me të vërtetë shumë të lumtur për këtë ngjarje që sot po jetojmë.

shpetim nazarko

Mentor Nazarko – Po një reflektim për imazhin, ju e patë tifozerinë shqiptare në Francë, çfarë ndikimi ka kjo në imazh?

Matteo Mandala– Është një ndikim i madh pozitiv, sepse tregon se shqiptarët, kur janë tifozë, shfaqin një dashuri të madhe ndaj sportit, por edhe ndaj vetes, që na bën krenarë dhe ka lartësuar imazhin e Shqipërisë. Kjo ka vlerë të veçantë, sidomos këtu në Itali, ku për një periudhë të gjatë pati disa paragjykime që kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Sot mund të themi që Shqipëria ka fituar pikë, ka ndryshuar dhe sot mund të themi që imazhi i Shqipërisë fluturon lart sa shqiponja.

Mentor Nazarko– Pse, një arbëresh sot ka më shumë motive për të thënë që unë kam lidhje me atë Shqipërinë atje?

Matteo Mandala– Po, sigurisht, ata nuk e kanë mohuar kurrë. Të gjithë shqiptarët në fillim të viteve ‘90 në Itali, ne i kemi mikpritur e i kemi mbajtur si vëllezërit tanë edhe sot e kësaj dite ka qindra familje që jetojnë në fshatrat tona arbëreshe si në Siçili edhe në Kalabri. Kjo domethënë që s’ka pasur kurrë një ndërprerje ndjenjash. Ne i dinim shkaqet e rebelimit shqiptar në ato vite të vështira, nuk kemi pasur kurrë paragjykime ndaj shqiptarëve dhe sot mund të themi me plot gojën që ne arbëreshët kemi qenë ura e perëndimit për Shqipërinë.