MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Pse nuk vemë dot asgjëkundi?

31.03.2017 - 14:08

Kam zgjedhur ta kuptoj apo ta bëj ndryshe atë që quajmë opozitë këto vite që merrem me shtypin e shkruar apo të folur. Përsëritur shumë herë, si e kuptoj unë të bërit opozitë dhe pse edhe ky titull shkrimi mbështet idetë që do të vazhdoj t’i mbaj, pavarësisht kush rri në krye të qeverisë, Rama apo Basha, Meta apo ku e di unë, kujt i vjen radha nesër.

Ne jemi vend tranzit dhe pastaj bujqësor e blegtoral. A i realizon Shqipëria këto dy funksione që ia jep pozicioni i saj gjeografik dhe përvoja shumëvjeçare e të parëve në bujqësi e blegtori?

Vendi tranzit, natyrisht kërkon porte e hekurudha për t’u lidhur me fqinjët, a më larg akoma.  A i kemi? Jo! Hekurudhat kanë kohë që kanë dhënë shpirt dhe veç kësaj, nëpërmjet tyre mund të endesh vetëm brenda përbrenda vendit tënd  e askund më tutje. Bile dhe këtu me shpejtësinë e breshkës… Ndonjëherë duket e thjeshtë pse nuk kemi hekurudhë e akoma më shumë pse nuk na duhet ajo. Që hekurudha të ekzistojë duhet të kemi porte… Po a i kemi ata?

Në portin e Durrësit, nëse vjen një anije me më shumë se 20000 ton, duhet shkarkuar jo në port, po nga mesi i detit dhe pastaj malli i ngarkuar të vijë pjesë-pjesë me anije më të vogla në breg.

Porti i vjetër, por dhe ai i riu i Vlorës që po ndërtohet me thellësi më të vogël se i Durrësit, prapë nuk vlen për qëllimin që do ta kërkonte një vend i quajtur tranzit.

Në sektorin e bujqësisë apo blegtorisë, punët venë akoma më keq. Nëse bujqësia, megjithëse ka prurë gjithnjë gati një të katërtën e prodhimit të përgjithshëm, nuk i kthehet mbrapsht thuajse asgjë. Vendi fqinj Maqedonia, më e vogël se  ne, e subvencionon atë me më shumë se 160 million euro, ne vetëm me 10 milion. Kjo e bën të qartë thjesht pse në shumicën e kohës, hamë produkte bujqësore nga fqinji  më i vogël që shpesh e nënvleftësojmë pa të drejtë,  më shumë se nga vetvetja. Fqinji ynë eksporton 250 000 mijë qengja në tregjet evropiane në vit, ndërsa ne asnjë të vetëm. Pse?

Është e thjeshtë. Po të japësh liçensa për të prerë mish, a bërë dyqane mishi në çdo cep rruge, nuk të pranon njeri të shesësh gjë në Evropë.

Është shumë e qartë se po theve këto dy kollona që mbajnë shtetin nuk ka asnjë arsye për prosperitet.

Po duket se ka një gjë tjetër shumë më të rëndësishme se sa u tha më lart e që të dëshpëron. Tabela e mëposhtme tregon numrin e të shkolluarve në shkollat profesionale në qeversjet e para Nano/ Berisha.

Shikojini mirë se si janë raportet e atyre që bëjnë arsimin e përgjithshëm me atë profesional. Duket në pamje të parë, se ka një mundësi justifikimi, sepse pas 1990 shumica e të rinjve ikën jashtë. Po kjo e vërtetë është mjaft e thjeshtëzuar për t’u marrë si një e vërtetë e plotë. Raporti realisht duhet bërë me ata që ngelën brenda Shqipërisë. Dhe ky raport është thjesht i keq, për të mos thënë shumë i keq.

Ky raport u përkeqësua akoma edhe nga ato çmenduritë e periudhës. Shteti i ri demokratik mendoi jo arsimimin profesional, por shtimin e universiteteve private. Kjo taktikë që justifikohej për të mos i lënë të papunë të rinjtë, apo thjesht rrugëve, natyrisht që rezultoi një ide akoma më e keqe. Shqipëria e sotme ka më shumë juristë për numër banorësh se vetë Franca, por shumë më pak njerëz të kualifikuar në arsimin profesional se çdo vend i botës së tretë.

Edi Rama: “Ne kemi ndryshuar kurs, e faktikisht kemi bërë një zgjedhje të qartë, duke e adresuar problemin e madh të prapambetjes së thellë në arsimin profesional në radhë të parë, përmes ndryshimit tërësor të modelit. Modeli i ri i arsimit profesional është tërësisht i bazuar tek parimi themelor i sistemit dual gjerman, por jo vetëm, edhe atij zviceran dhe vendeve të tjera, ku shkolla është e lidhur me ndërmarrjen dhe ku cilido që hyn në shkollë, një pjesë të kohës gjatë javës e kalon në klasë e laborator për teori dhe pjesën tjetër e kalon në ndërmarrje për praktikë”.

Ky citim i marrë nga një prononcim i kryeministrit në dhjetor të vitit të kaluar, është një nga deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë në vazhdën e gjatë të premtimeve në lidhje me hartimin e politikave për rimëkëmbjen e arsimit profesional në vend. Nuk kemi si qëllim këtu të analizojmë cilësinë e hartimit të politikave në fjalë e as modelet në të cilat ato janë bazuar. Por është interesante t’i hedhim një sy trajektores së regjistrimit të studentëve në shkollat e mesme profesionale përgjatë 25 viteve të fundit.

Të dhënat e përdorura në këtë rast janë të INSTAT dhe po i perdorim ato në mënyrë të vetëdijshme, të ndërgjegjshëm për kacafytjet e ashpërsimin verbal që ato krijojnë në qarqet institucionale.

Ajo çka bie në sy është mospërputhja midis këtyre të dhënave dhe shifrave të përmendura nga Ministria e Arsimit, ajo e Punës dhe nga vetë Kryeministria… (në artikullin e mëposhtëm)

Në të dhënat e INSTAT, vërejmë një luhatje të ndjeshme në numrin e të regjistruarve në shkollat e mesme profesionale, sidomos në kapërcyell të viteve ’94-’02.

Të ballafaqoheshe me një të vërtetë reale, do të kuptoje edhe vështirësinë e të bërit të shkollave profesionale. Një laborator i kësaj shkolle bën shumë më tepër para se një universitet privat që ndonjëherë zë vetëm katin e një pallati dhe ka vetëm ca karrike e tavolina. Të mundoheshe ta zgjdhje këtë vështirësi do të thotë të dërgoje ministrat e tu të punës në vendet e Evropës apo në koncernet e mëdha që të hapnin kurse a shkolla profesionale këtu që pastaj të shfrytëzonin punën tonë të krahut apo distancën e vogël të trasportit nga ne në vendet e tyre…

Mund ta bënin ministrat, a kryeministrat tanë këtë punë këto njëzet e pesë vjet thua? Diçka është bërë, sidomos në bashkëpunim me qeveritë gjermane e austriake. Po mund ta bënin më mirë nëse do ta donin pak më shumë vendin e tyre.

Po atëhere, pse shpresojmë që punët tona do të venë mirë? Përse mendojmë se në këtë vend të bekuar do të vijnë investitorë? Kë do vënë ata në punë?

Është fare e natyrshme që punëtorët e kualifikuar do të zëvendësohen me ata më pak më të kualifikuar. Kjo e vërtetë përkthehet edhe drejtpërdrejt në praktikë. Në Shqipëri kishte nevojë për punëtorë të fasonerisë dhe pastaj së fundmi ata të call center.

Të dyja këto kategori thuhet se në Shqipëri shikohen ende me vlerë për të huajt sepse  paguhen pak. Dhe kjo është shumë e vërtetë. Por po aq e vërtetë se ato janë punë për  njerëz të pakualifikuar dhe pikërisht për këtë paguhen pak.

Ndërkaq, siç po duket thjesht edhe me këto dy kategori punësimi do t’i lajmë shpejt duart. E para është kategoria e call center, që në lajmet e dhëna së fundmi jo vetëm nga shtypi ynë, është e detyruar të largohet. Po në të njëjtën rrugë po duket  edhe fasoneria.

Si i bëhet? Nëse kolonat e shtetit i kemi thyer të dyja, pra pozicionin e tij tranzit dhe po ashtu blegtoral, pse mendojmë se mund të përparojmë realisht?

Po nëse arsimi ynë profesional është më i keqi në të gjithë Ballkanin dhe Evropën pse mendojmë se do të shkojmë përpara? Unë vetë mendoj se nuk shkojmë dot asgjëkundi dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar të kundërtën…