MENU

Shpëtim Nazarko

Ra një gjerman… (në 1997) dhe u… pamë

06.03.2017 - 15:30

20 vjet më vonë nga ngjarjet tragjike të 1997, Konica.al ju sjell fotot ekskluzive të gazetarit gjerman të radios publike BRD, Karl Hofman, në një udhëtim të tij nga Saranda në Tiranë.

I shoqëruar nga shefi i zyrës së Frankfurter Allgemeine Zeitung për Italinë dhe Ballkanin, Roman Herzog dhe gazetari ynë Mentor Nazarko, Karli përveç shërbimeve radiofonike bëri
dhe foto që vijnë për publikun shqiptar për herë të parë.

Karl Hofman, gazetar prej 40 vjetësh i kësaj radioje, ishte një gazetar i pa kompromis me të vërtetën, edhe në këtë udhëtim të tijin nëpër Shqipërinë e traumatizuar nga dalldia e piramidave. Imagjinoni, për të regjistruar krismat spontane të armëve në Vlorën e asaj kohe, i strehuar në Hotel Bolonjan e famshme, Karl nxirrte mikrofonin e magnetofonit të tij
profesional nga gardhi i hotelit.

A thua se krismat e armëve të kallashnikovëve të Vlorës tingëllonin ndryshe nga ato diku tjetër nëpër botë. Kjo ngjante diçka krejt e ndryshme nga reportazhet e shumta të
gazetarëve italianë të kohës, apo intervistat me krerë bandash, të cilat shkruheshin dhe stoliseshin në pishinën e hotel Rogner-it në Tiranë.

Fotot e mësipërme nuk japin gjithë tragjikomedinë e 1997. Ato janë thjesht një prekje e lehtë e asaj atmosfere, që Karli e dha më së shumti nëpërmjet radios. Aty sheh rrënimin e shpejtë të portit edhe ashtu të rrënuar të Sarandës; pamje nga Gjirokastra e gurtë e policëve trima gjysmë civilë që ishin shfaqja kryesore e autoritetit të shtetit, gjysma me
uniformë, vazhdimin e punës për kultivimin e peshkut në Syrin e Kaltër, Bashkinë e djegur të Vlorës: postblloku me pagesë feudale në Urën e Mifolit, shitblerje të ndryshme mall me mall në Tiranë; vazhdimin e punës së anijes restorant në Durrës.