MENU
klinika

Mentor Nazarko

SHBA, më e dobët apo më e fortë në Shqipëri?

29.03.2017 - 13:45

Kohët kur ambasadori amerikan Lu së bashku me ambasadoren e BE-së, Vlahutin, dilnin së bashku në deklarata të ashpra kundër gjyqtarëve dhe politikanëve të korruptuar, duke shpallur verën e 2016-s si afatin kur disa prej tyre do të përfundonin në burg, ngjajnë paksa të largëta.

Një administratë e re presidenciale është instaluar në Shtëpinë e Bardhë, dhe disa ndryshime në këto dalje koincidojnë pikërisht me këtë instalim të ri në Uashington. Kemi lëvizje të veçanta të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, dalje të tyre individuale publike, por jo kaq shpesh si dikur dhe aq më pak, dalje të përbashkëta. E kjo periudhë prej janarit 2017, është interesante për t’u kuptuar.

Nuk kemi qëndrime të forta të ambasadorit amerikan në vijimësi për reformën në drejtësi. Kemi patur disa qëndrime të tij kritike ndaj prokurorit të përgjithshëm dhe disa prokurorëve, por jo angazhim për të imponuar afatet e paracaktuara.

Çfarë ka ndodhur? A ka ndikuar lobimi me origjinë nga Shqipëria, mobilizimi i kongresmenëve dhe senatorëve të rëndësishëm në dobësimin, apo mungesën e dukjes së tij në publik në funksion të reformës? Ka një pandehmë të tillë, që mbështetet në letrat publike të tyre ndaj sekretarit të shtetit që e ndërlidhin atë me Soros, etj., etj., në mënyrë të ngjashme me sulmet ndaj ambasadorit të SHBA-së në Maqedoni. Deri më tani kjo nismë nuk ka prodhuar largim të ambasadorit si shpresohej nga dikush në Tiranë. Departamenti i shtetit madje i mbrojti dy ambasadorët. Por a ka sjellë në ndryshim të qasjes së tij? Pra, kalim në qasje pritëse në vend të qasjes proaktive?

Kjo pritet të shihet. Lobimi vazhdon, si duket, nga njohësit e teknologjisë së tij. Lobimi ka në fokus shtyrjen e vetingut pas zgjedhjeve, ndryshimin e tij. Lobimi synon njëherësh goditjen e Ramës si të lidhur me Sorosin apo dhe me rusët, diçka që në fakt ngjan qesharake. Një njeri i lidhur me Sorosin antirus nuk mund të rezonojë dhe me rusët. E në këtë objektiv të opozitës, sigurisht duhet goditur ambasadori Lu. Kryetari Basha nuk e ka sulmuar kurrë në publik ambasadorin, por është lehtësisht e imagjinueshme se në takime të mbyllura me kongresmenë dhe senatorë, ai dhe kreu i LSI-së, Meta, e kanë bërë këtë.

Siç e kemi nënvizuar në një shkrim për vetingun, vendosja e çadrës e ka shtyrë gjithashtu në kohë reformën në drejtësi, duke e bërë më të komplikuar ndërhyrjen amerikane. Pra do duhej një ndërhyrje në disa pika që të sigurohet sukses prej ndërhyrjes amerikane. Në këtë kuadër përflitet për një ofertë: votoni vetingun që t’u japim qeverinë teknike, ofertë që është refuzuar nga opozita, theksojnë burimet.

3 arsye për minimizimin e rolit amerikan në publik, ama…

Angazhimi amerikan mund të jetë minimizuar publikisht, me gjasë, për tri arsye. Reforma në drejtësi është produkt i administratës Obama, dhe largimi i saj ka bërë që të ikin nga detyra njerëz të përfshirë personalisht në suksesin e saj si Nulland, etj. Së dyti, kriza e vetingut u shndërrua në krizë politike që kërkon më shumë burime sesa ambasadori për t’ u zgjidhur dhe SHBA-ja nuk ka kohë dhe fokus për t’u marrë me të. Së treti, ndoshta administrata e re, me një qasje më kritike ndaj BE-së, nuk preferon të veprojë në sinkron me të, për më shumë ndaj një produkti si reforma që ka patur sponsorizimin e administratës paraardhëse.

Deri më tani nuk kemi informacione, nuk kemi hyrje në skenë të niveleve të larta të politikës amerikane, por reagime në nivel ambasade.

kolana e librave

Disa zhvillime të reja

Megjithatë, në marrëdhëniet zyrtare shqiptaro-amerikane, ka disa zhvillime të reja. Përkundër atyre që besonin se qëndrimi i Ramës në pushtet mund të sillte ftohje, sinjalet janë në drejtim të kundërt. Përveç mesazheve të presidentit Trump për Ramën dhe Presidentin Nishani, përveç deklarimeve të ambasadës në sintoni me qeverinë, kemi një moment të ri, të ditëve në vijim. Ministri Bushati është thirrur në takim nga Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, njeri nga njerëzit më të afërt dhe më të fuqishëm për rolin që ka, Mac Master. E veçanta e këtij takimi është se ai vjen pak ditë pasi Bushati ka qenë në SHBA, në një konferencë të aleatëve anti-ISIS, të organizuar pikërisht nga sekretari amerikan i shtetit.

Përse ky takim, në këtë nivel, me këtë fokus, dhe pa kaluar shumë kohë nga një takim tjetër shumëpalësh me fokus terrorizmin?

Është e tepruar të thuhet se ky takim do të ketë në qendër krizën e çadrës, por afërmendsh që ai lidhet me Shqipërinë dhe rajonin dhe vizionin e SHBA-së për to. Arsyet që të vijnë në mend nga analiza e kontekstit shqiptar dhe rajonal, mund të jenë:

Angazhimi rus në rajon dhe kërcënimi i tij për zgjedhjet në Shqipëri, por jo vetëm. A është real dhe në çfarë termash: kibernetike, financime krizash, etj? Nuk ka njeri më kompetent në Uashington sesa Këshilltari për Siguri Kombëtare, që të informojë dhe të shkëmbejë pikëpamje rreth këtij angazhimi.

Së dyti situata në rajon dhe roli i Shqipërisë. Vendi ynë është imponuar në rajon me përfshirjen eventuale në krizën maqedonase nëpërmjet platformës së Tiranës, por jo vetëm kaq. Shqipëria ka ndikim dhe në Kosovë dhe ka marrëdhënie normale me Serbinë Me gjasë, SHBA-ve, si kemi parashikuar në shkrime të mëparshme, i intereson mbyllja e një vatre krize në rajon ku do t’ i duhej të përplasej me rusët dhe roli shqiptar është shumë i rëndësishëm.

E në një qasje si kjo, afërmendsh kriza shqiptare që ka brenda vetingun dhe protestën e opozitës ka rëndësinë e vet rajonale. Të gjitha këto, parë nga këndvështrimi i të ardhmes së afërt, ku Shqipëria do gjendet pa president, pa përfshirje të partive në zgjedhje, me avokat të popullit me mandat të mbaruar, etj., etj. Në një kontekst si ky, me gjasë mund të kemi angazhim amerikan për të zgjidhur krizën.

Por le të presim takimin për të kuptuar më shumë. E atëherë do të kemi mundësi të kuptojmë nëse kjo tërheqje e ambasadorit Lu ka karakter sasior, apo karakter cilësor. Do të kuptojmë, përtej thashethemeve të pallatit në Tiranë, dhe diçka tjetër. Me administratën e Trump-it, çfarë shfaqjeje të re të rolit amerikan do të kemi në Shqipëri dhe rajon?