MENU
klinika

Mentor Nazarko

Vetting-u jetim… edhe nga amerikanët?

29.03.2017 - 14:57

Ngjan sikur ka një konsensus të heshtur për të shtyrë fillimin e procesit të pastrimit të drejtësisë. Vonesat në krijimin e institucioneve e tregojnë qartë këtë. Mbase duhet angazhim amerikan i nivelit mbi ambasadorin që të sigurohet presioni maksimal : Njëherësh me zgjidhjen e krizës politike, apo vetëm me shumicën.

Është afërmendsh që momenti fillestar i reformës në drejtësi, rivlerësimi i figurave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjithë niveleve, nëpërmjet institucioneve të reja po vonohet. Ato do duhet të kishin filluar nga puna, pasi do duhet të ishin përzgjedhur anëtarët e tij nga ana e Kuvendit, pas seleksionimit nga Avokati i Popullit të përputhshmërisë së tyre me kushtet ligjore. Një lloj vonese është e kuptueshme, pavarësisht se ajo nuk mund të jetë në kurriz të ligjit: njerëzit që do bëjnë këtë rivlerësim tërësor, të ashpër të gjithë juristëve, do duhet të kalojnë gjithashtu në vrimë gjilpëre. Institucionet e reja nuk kuptohen mirë. Ato kërkojnë kulturën e koordinimit që ende mungon mes institucioneve tona. Pushteti i njerëzve që do bëjnë vetting-un është jashtëzakonisht i madh dhe efektet e punës së tyre do shtrihen gjatë. E kjo mbase kërkon më shumë kohë.

Por ngjan se vonesat po kalojnë kufijtë e ligjit dhe parashikimet më pesimiste për fillimin e punës.

Lufta për kohën: para zgjedhjeve, apo pas tyre

Pa hyrë në hollësi ligjore, nga pikëpamja politike duket se ka një luftë që ndan palët në një pikë shumë thelbësore: këto institucione do fillojnë funksionimin para zgjedhjeve, apo pas tyre? Kjo pikë është thelbësore, sepse Kuvendi do të prodhojë anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, apo vetting-ut, pas shqyrtimit të kandidatëve. Është krejt e qartë se bashkësia perëndimore, që ka asistuar reformën në drejtësi, e do fillimin e procesit para zgjedhjeve. Pjesë të rëndësishme të politikës vendore, e duan pas zgjedhjeve. Për të prodhuar dinamika të reja pushteti, e për pasojë raporte të reja fuqie në parlament. Për të fituar kohë në shmangien e efekteve të reformës që nga ana e tyre do të krijojnë efekte të reja zinxhirore.

Konkretisht: shqyrtimi i kandidatëve u shty para dhjetë ditësh dhe do duhej të ishte bërë një javë më pas, më saktësisht të enjten që shkoi. Por një alibi e re për shtyrje është gjetur dhe palët kanë rënë në qetësi, me vonimin e fillimit të vetting-ut. Për këtë gjendje jonormale, ka disa faktorë përgjegjës. Mirë do ishte ta gjenim përgjegjësinë tek faktorët vendorë. Por dhe mund të hynim pak në shqyrtimin e punës së të huajve.

Faktorët e brendshëm, fajtorë për vonesë

Së pari vonesa prodhohet deri diku për shkak të mungesës së legjitimitetit, apo legjitimitetit të kufizuar të disa institucioneve përgjegjëse. Avokati i Popullit që zgjidhet me tre të pestat, ka mbaruar mandatin e tij dhe atij po i kërkohet që të bëjë një paraseleksionim kaq delikat kandidatësh. Parlamenti gjithashtu është në muajt e fundit, kur deputetët më shumë e kanë mendjen te rikonfirmimi i tyre në listë, sesa tek proceset e rëndësishme shtetformuese si vetting-u.

shpetim nazarko

Së dyti, Partia Demokratike do me çdo kusht ta shtyjë vetting-un, madje duke e bërë publike kërkesën e vet kundër tij, tani. Ajo po bën këtë duke u dekonspiruar qartësisht se është kundër vetting-ut, ndërsa nuk pranon një ofertë të bashkësisë perëndimore për të cilën flitet jozyrtarisht: voto vetting-un që të marrësh qeverinë teknike. Ky mospranim nënkupton se preteksti i ngritjes së çadrës është irreal: vetting-u është problemi për opozitën dhe jo qeveria teknike e kujdesit zgjedhor, një eufemizëm shqiptar.

Së treti, LSI-ja ngjan se është gjithashtu e interesuar ta shtyjë vetting-un. Me besimin në forcimin e vet pas zgjedhjeve, nëse arrin të marrë shumë nga Marrëveshja e re e koalicionit me PS-në; duke lypur një hapësirë presioni më të madh tek PS-ja; nga frika se reforma mund të prekë dhe njerëzit e saj, LSI po kërkon publikisht që procesi i emërimit të përfshijë dhe opozitën. Këtu qëndron dhe hilja për vonesë: LSI lidh me çadrën, më saktë me mbajtjen çelur të saj, fillimin e procesit të vetting-ut. E nëse vonohet çadra, vonohet dhe vetting-u.

Në vonesën e vetting-ut me siguri ka një problem ndërkombëtar. Bashkësia ndërkombëtare që vepron tek ne, ka humbur një lloj sinkronizimi publik, shfaqjet e përbashkëta publike të diplomatëve të saj, në presionin për të filluar vetting-u tani. Ambasadori amerikan ka arritur gjatë periudhës së shkurtër pas ardhjes në pushtet të presidentit të ri, të tregojë akte të forta që vijojnë atë çfarë kishte bërë më para, si kufizimet në lëvizje për prokurorë, përfshi prokurorin e përgjithshëm, deklarata të caktuara të forta, akte jopublike për kufizimin e krizës, për të cilët flitet pak. Por nuk kemi shfaqje të përbashkëta të tij me ambasadoren Vlahutin, ashtu si nuk kemi presion publik të nivelit të lartë për respektim afatesh. Vetting-u nuk ngjan se konsiderohet prej administratës së re si produkt i saj dhe kjo duket se është arsye pse nuk kemi përshkallëzim të presionit nga figura amerikane mbi ambasadorin. Mbase vetting-u konsiderohet si element që e thellon krizën, dhe kjo po kërkohet të shmanget nga SHBA.

Në rrethana të tilla, as dhe PS-ja nuk mund të bëjë më shumë. PS-ja është në ethen e llogarive taktike zgjedhore: me LSI apo pa LSI aleate në zgjedhje. Këto llogari e bëjnë atë që tolerojë në respektimin e afateve, duke kontribuar kështu në shtyrjen e vetting-ut. PS beson se mjafton dalja me LSI në zgjedhje, që të sigurohet se do ta udhëheqë dhe do ta ndikojë tërësisht vetting-un. E kjo është diçka që frikëson nga ana e vet, opozitën, por dhe LSI-në. Pa folur që anëtarë të caktuar të shumicës parlamentare, mund dhe mos ta duan fare vetting-un.

E vonesa në fjalë, i heq PS-së një armë të fortë elektorale: vetting-u është një proces me të cilin fiton vota. Vetting-u identifikohet me PS-në dhe jo me LSI-në. Partia e Metës në publik është shfaqur më së shumti me qëndrime ekuilibruese të vetting-ut, të përbërjes politike të institucioneve të reja, me kërkesa për përfshirjen e opozitës në proces, etj. Veprime që në sytë e publikut nuk shihen si pro vetting.

Në vonesa me siguri ndikon dhe fakti që po diskutohet për emra. Palët edhe kur janë aleate, me zor arrijnë konsensus për një emër të vetëm, jo më për shumë të tillë.

A do kemi vetting para zgjedhjeve?

Kjo gjë mund të arrihet, me gjasë, vetëm me një kusht: që në favor të tij të investohen nivele të larta të politikës amerikane që merren me Shqipërinë. Zëvendëssekretar shteti, për shembull të llojit Victoria Nulland. Diçka që vështirëson përfshirje të tilla publike të nivelit të lartë është se për të shkuar tek vetting-u duhet zgjidhur kriza e çadrës, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e opozitës në proces. Për të zgjidhur krizën e çadrës duhet ofertë e gjerë, dhe garanci për sukses. Ose nëse luhet me kërcënim kohor: opozitës i lihet një afat, pas të cilit institucionet e vetting-ut krijohen nga shumica ekzistuese. Por publikisht nuk shihet se ka zgjidhje tërësore amerikane. E aq më tepër që të ketë përfshirje të nivelit të lartë. Deri më sot, sepse nesër nuk i dihet.