MENU
klinika

Mentor Nazarko

Dështimi i Bashës me ndërkombëtarët

10.04.2017 - 15:01

Njëra ndër kartat, kauzat me të cilën, apo për të cilën është çadra, është lidhja midis krahut politik të qeverisë dhe drogës, lidhje e cila për shkak të fuqisë financiare do të blejë zgjedhjet. Sipas kësaj karte, rezultati zgjedhor është paracaktuar.

Nuk ka asnjë diskutim se në Shqipëri, edhe si pasojë e implikimit të pjesëve të caktuara të shtetit, lidhjeve preferenciale të krimit me shtetin, presionit të krimit ndërkombëtar për mall shqiptar, neglizhencës së policive dhe shteteve perëndimore për të afruar zgjidhje tërësore për drogën shqiptare si model jetese, thirrjeve për kultivimin e hashashit shëndetësor, thirrje e ngjashme me «paratë tona janë të pastra», gjatë këtyre viteve të fundit ka patur lulëzim sasior të drogës. Kjo nuk vihet në diskutim.

Ajo çka vihet në diskutim është se a ka lidhje univoke, shkak- pasojë me blerjen e zgjedhjeve. Me një fjalë a sjell me siguri ky lulëzim i madh i hashashit, blerjen e votës prej kultivuesve, trafikantëve dhe mbrojtësve qeveritarë të tij? A do të kemi tjetërsim të vullnetit të popullit për të votuar në favor të njerës apo tjetrës palë?

Tjetërsimi i vullnetit elektoral, bën pjesë tek ato dukuri që mund të vëzhgohen jo thjesht prej opozitës, por dhe faktorit ndërkombëtar që është i pranishëm në Shqipëri. Ai legalizohet prej raportit pjesë pjesë të OSBE-ODIHR-it, i cili vendos në vend një mision vëzhgimi disa muaj para zgjedhjeve, gjatë tyre, por dhe pas tyre. Ky mision është arbitri i njohur ndërkombëtarisht për vendet që kanë probleme me zgjedhjet. Në mungesë të tij, janë misionet diplomatike, që kanë në trupën e tyre dhe ekspertë policie, shërbimesh sekrete që e njohin gjendjen më mirë sesa opozita. Këtij misioni të specializuar të OSBE i janë drejtuar palët edhe para formulimit të raportit, apo dhe pas, duke e përdorur raportin e vëzhguesve në luftën e tyre të brendshme,.

shpetim nazarko

E tani, a e ka bindur opozita faktorin ndërkombëtar, misionet diplomatike apo ODIHR, se vullneti zgjedhor po tjetërsohet, apo se ka prova të sigurta se kjo do të ndodhë?

Populli shqiptar, me gjasë nuk ndikohet nga kjo betejë. Pra pjesa e brendshme e betejës denoncuese nuk ka impakt elektoral. Po a janë ndikuar të huajt? Basha për këtë ka takuar pafundësisht shumë njerëz, institucione, madje dhe Interpol-in. Gjithë kjo fushatë, pavarësisht etikës së saj, do duhet të kishte dhënë ndikim tek faktori ndërkombëtar.

Si duket nga reagimet e gjithë ambasadorëve, përfaqësuesve të Parlamentit Europian, vetë kancelarive (Merkelit veçanërisht), thirrja unison e tyre është: votoni vetingun dhe merrni pjesë në zgjedhje!

Ndikimi si duket ka qenë jodomethënës. E pikërisht për këtë arsye, po investohen para nëpërmjet lobistëve, që protestës së çadrës t’i bashkangjiten dhe përfaqësues ndërkombëtarë, apo që në media të caktuara të ketë artikuj për drogën dhe politikën në Shqipëri.