MENU
klinika

Mentor Nazarko

Kërkesat e Lëvizjes “Besa” për të qenë pjesë e qeverisë maqedonase (Video Ekskluzive/Pjesa e dytë)

29.04.2017 - 14:46

Intervistë/ Në këtë intervistë ekskluzive dhënë për Konica.al, kreu i Lëvizjes “Besa”, Bilal Kasami flet në lidhje me krizën politike që pasoi zgjedhjet e 11 dhjetorit, në Maqedoninë fqinje. Njëherazi ai ka folur dhe për implementimin e pikave në bazë të platformës së nënshkruar në Tiranë mes partive të shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kryeministrit Shqiptar Edi Rama, për një zgjidhje të krizës maqedonase.

Sipas Kasamit, duhet të ekzistojë një frymë komunikimi mes kryetarëve të partive politike shqiptare, për një strategji të veprimeve të ardhshme së bashku me liderin e LSDM-së që ka shumicën parlamentare, Zoran Zaev.

Mentor Nazarko: Domethënë të kalojmë nga ekonomia tek kriza, te kriza aktuale. Ju do vazhdoni t’i mbaheni një pike që kishte platforma e firmosur në Tiranë, që po e quajmë të Tiranës se pastaj do krijojmë probleme, sipas të cilës, ju do konsultoheni me faktorin shqiptar, me partitë e tjera dhe do keni qëndrime unike për disa prej problemeve.

Bilal Kasami: Deklarata e partive shqiptare ka pasur përkrahjen e Edi Ramës për të cilën e falenderojmë, dhe unë dua që të mos satanizohet edhe ai, sepse është në interes të shqiptarëve dhe është në interes të Maqedonisë. Platforma, në fakt, deklarata është nënshkruar dhe është publikuar në Shkup më 7 janar të vitit 2017, dhe kjo është e vërteta rreth deklaratës. Aty ka mekanizma për konsultim të mëtutjeshëm për implementimin e pikave të cilat janë në deklaratë.

Mentor Nazarko: I zbatoni ju ato?

Bilal Kasami: Deklarata nuk duhet kuptuar si një marrëveshje koalicioni mes partive shqiptare. Deklarata nënkupton që partitë shqiptare, të cilat kanë programet e tyre zgjedhore, kanë platformat e tyre politike, për çështje të cilat janë të përshkruara në këtë deklaratë, do të kenë një qëndrim, një zë, dhe kur këto çështje do të vijnë në institucionet shtetërore për t’u materializuar me një vendim konkret, partitë shqiptare do të jenë me një zë. Pa marrë parasysh se a do të jenë pjesë e marrëveshjes për qeverinë e ardhshme apo do të jenë pjesë e opozitës, dhe në këtë drejtim, lëvizja “Besa” ka qëndrimin e saj. Ne themi që pa marrë parasysh, sepse fundja, çështja e të qenët në qeveri apo jo ka të bëjë edhe me çështjen e programit dhe platformës së lëvizjes “Besa”.

Ne themi që për të qenë pjesë e qeverisë, ne kemi kërkesat tona dhe në këtë drejtim ne nuk e ndërlidhim realizimin e pikave në deklaratë me atë se “Besa” do të jetë pjesë e qeverisë apo jo.

Po edhe po të jemi pjesë e opozitës, nëse qeveria e ardhshme, qoftë ajo me LSDM-në dhe PDI apo edhe aleanca “Brenda”, nëse do të na ofrojnë në parlamentin e Maqedonisë një ligj për gjuhën shqipe, i cili do të jetë ligj që i plotëson interesat dhe kërkesat e shqiptarëve, ne do të përkrahim edhe kërkesat e tjera të cilat janë të parashtruara.

Mentor Nazarko: Gruevski përdorte një argument në një intervistë të vetën, thoshte që cili është kuptimi që gjuha shqipe të përdoret në një komunë që ka 90% maqedonas.

Bilal Kasami: Ai kuptim sipas të cilit gjuha maqedonase përdoret në një komunë nga e cila vij unë, e cila është 100% shqiptare.

Mentor Nazarko: Kuptoj, pra ju jeni që të përdoret?

Bilal Kasami: Ne jemi për reciprocitet, shqiptarët janë autoktonë dhe janë të mjaftueshëm që gjuha shqipe të jetë zyrtare në gjithë territorin dhe kjo shkon konform idesë tonë që nuk duhet të ketë ndarje në Maqedoni, as ndarje gjuhësore dhe as ndarje territoriale. Shqiptari duhet të jetë shqiptar edhe në Shikovicë të Tetovës edhe në një fshat të Maqedonisë Lindore.

Mentor Nazarko: Si e shikoni zgjidhjen e krizës sonë, disa hapa institucionalë…

Bilal Kasami: Vlerësoj që fillimisht LSDM, me në krye Zoran Zaev, duhet që të ulë kryetarët e partive politike, të cilat  përbëjnë shumicën, ku është BDI, BESA dhe ALEANCA, të ulemi dhe të merremi vesh për një strategji të veprimit të ardhshëm, deri në ardhjen e qeverisë, deri në votimin e qeverisë, që nënkupton disa hapa. Hapi i parë është zhbllokimi i parlamentit në zgjedhjen e kryetarit.

Mentor Nazarko: S’po takoheni ju, prandaj po e thoni publikisht këtë?

Bilal Kasami: Nuk po takohemi!

Mentor Nazarko: Kush pengon që mos të takoheni?

Bilal Kasami: Ne kemi qenë të gatshëm që të ulemi dhe të merremi vesh edhe për vendimin e parë, të cilin e pruri ky koalicion pa miratimin e BESËS, dhe ka të bëjë me propozimin  kandidatit për kryetar të parlamentit.

Vijon>>>>>

Elitat shqiptare ta zgjidhin krizën pa ndërkombëtarët (Video Ekskluzive/Pjesa e tretë)