MENU
klinika

Mentor Nazarko

Krizat në Maqedoni dhe Shqipëri: ngjashmëri dhe dallime

26.04.2017 - 14:09

Krizat komplementare politike në Shqipëri dhe Maqedoni mund të futen në një kallëp për përmasën e tyre ndërkombëtare. Sado që sfondi i tyre dallon thekshëm, krizat në dy vendet përkatëse kanë përftuar ndërkombëtarizim si asnjëherë më parë.

Ndonëse janë dy realitete kryekreje të ndryshme e rrjedhimisht edhe rrënjet e krizave janë të ndryshme, kokëfortësia perëndimore ka bërë që instanca e fundit e zgjidhjes të jetë Perëndimi.

Në një kontekst polarizimesh gjeopolitike, me shpatën ruse të Damokleut mbi krye, presioni ndërkombëtar është kahëzuar në urëzimin e komunikimit midis dy taborreve rivale. ‘Shuttle diplomacy’ e ambasadorëve dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë shembullon më së miri që dy vendet fqinje kanë rënë nga provimi që të zgjidhin krizën me burime të brendshme.

Megjithatë, kriza shqiptare ka marrë vëmendje më të madhe sesa ajo në Maqedoni. Kjo vërehet edhe nga lloji i angazhimit ndërkombëtar por edhe profili i lartë i ndërmjetësve evropianë që janë mpleksur në dramën shqiptare.

Misioni shqiptar i treshes gjermane Sigmar Gabriel, David Allister dhe Knut Fleckenstein evidenton prioritarizimin e krizës shqiptare në agjendën e shtetit më të fuqishëm evropian, Gjermanisë.

Profili i tyre, por edhe përfshirja këmbëngulëse në zgjidhjen e krizës shqiptare kontraston me realitetin maqedonas.

Kriza maqedonase, megjithë potencialin e saj shpërthyes, është anashnxjerrë në skajet e diplomacisë perëndimore. Përpos komisionerit Johannes Hahn dhe ndërmjetësve Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Riçard Hovit që ujdisën Marrëveshjen e Përzhinës, diplomacia ndërkombëtare në rastin e Maqedonisë është mjaftuar me përsëritjen e kërkesave për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re reformatore.

Nëse në rastin shqiptar, diplomacia perëndimore ka qenë në kontakt me dy palët e hasmuara, barrikadimi i VMRO-DPMNE-së i ka këputur edhe fibrat e fundit të komunikimit me Perëndimin. Përveç ndonjë zëri tek-tuk në Parlamentin Evropian që është solidarizuar me Gruevskin dhe Ivanovin, Uashingtoni, Brukseli dhe Berlini në mënyrë unanime i kanë njohur opozitës (Zaevit dhe partive shqiptare) autoritetin moral që të hapërojnë me proceset politike, prej formimit të qeverisë e deri te zbatimi i reformave të ngutshme për vendin.

Ndryshe nga rasti shqiptar, vetëizolimi i partisë që sundoi Maqedoninë për afro një dhjetëvjetësh po e bën atë ‘djaloshin e keq’ të Ballkanit, ndaj të cilit paralajmërohen edhe sanksione, prej ndalimit të udhëtimit jashtë vendit e deri te ngrirja e xhirollogarive bankare.

Nëse në rastin shqiptar, palët e mpleksura në kontekst nuk kanë arritur në pikën e përfytjeve në rrugë, në rastin fqinj, VMRO-DPMNE e ka kthyer rrugën në levën e saj shantazhuese.