MENU

Mentor Nazarko

Basha hyri në PD nga KOP-i. A do ketë Basha KOP-in e tij? A do e kapërcejë Berishën?

26.05.2017 - 17:19

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mund të quhet në disa kontektse të caktuara njeriu i sfidave. Që nga momenti që PD-ja iu dorëzua atij e deri ditën që arriti një marrëveshje me Ramën, Bashën e ka shoqëruar gjithnjë një pikëpyetje e madhe. Që në vendimet e para të Bashës, opinoni publik fabrikoi mendimin që Basha, edhe pse ishte kryetar i PD-së, nuk ishte lideri real i saj. Një paragjykim që u ngjiz që ditët e para si kryetar dhe e shoqëroi deri ditën e paktit me Ramën. Madje, ky dyshim nuk u zbeh as gjatë 3 muajve proteste në çadër. Pakënaqësitë ndaj vendimeve të tij hidheshin si shashka nëpër tavolina, herë shfaqeshin tek-tuk si thashetheme, e herë të tjera disi më haptazi si zëra kundër.

Metaformoza e Bashës si kryetar i PD-së u bë e dukshme me arritjen e paktit me Ramën. Padyshim, një pakt që e fuqizoi dhe e afirmoi si lider brenda PD-së.

Propaganda politike e përdorur nga Basha ishte një mesazh me dy kahe. Një sulm politik për kundërshtarin e tij dhe rilindjen, por, nga ana tjetër, mesazhet e tij politike nuk mund të kishin vlefshmëri nëse PD-ja nuk do të përjetonte një katharsis të brendshëm, një pastrim dhe shkëputje nga e kaluara e PD-së me Berishën.

Suksesi i arritur si lider me paktin Rama, ka bërë që ndaj Bashës të rriten edhe pritshmëritë. E pa dyshim që sot e gjithë vëmendja e popullit është lista e kandidatëve të PD-së. Suksesi i tij si lider duhet të përkthehet edhe si cilësi në listat elektorale. Të gjithë presin që lista të ketë figura të reja, të papërziera me politikën, për të bërë atë që Basha ka premtuar, një model të ri, evropian, me njerëz me të shkuar të pastër, apo të shkolluar jashtë ndryshe nga modeli ekzistues i PD-së.

Edhe sot, e tani mbase më shumë se kurrë, Basha është përballë një sfide të re, ndoshta edhe më të madhe. Ndërtimi i ‘modelit Basha’ brenda PD-së, një model që duhet të shkëputë njëherë e përgjithmonë PD-në nga modeli Berisha.

E brenda kësaj ‘përplasjeje’ modelesh që PD-ja përjeton, mund të dallohen shumë pjesë të dy modeleve që luftojnë. Ndërkohë që në dukje është modeli Basha, në thellësi është modeli Berisha që dominon. E kjo u pa fillimisht te propozimet e Bashës për ministrat teknikë. Në dukje një vendim i Bashës, por në analizë më të detajuar kupton që janë të gjitha figura që janë të lidhur ngushtë me Berishën, pra propozime direkte të tij.

Cili do të jetë fluksi politik i Bashës?

Me shumë gjasa, ky mund të jetë basti më i madh i Bashës për momentin. A po lufton modelin Berisha për të ndërtuar një model të tijin brenda PD-së? Sa i fuqishëm do të jetë ky model dhe a do të jetë në gjendje të tejkalojë modelin Berisha?

Në një vështrim historik mbi PD-në, Basha, si politikan, është një prodhim i KOP-it, një forum i ngritur nga Sali Berisha në vitin 2004, me qëllim rifreskimin e PD-së. Forum, të cilin Berisha e huazoi nga e djathta franceze në funksion të PD-së. E Basha është pjesë e këtij produkti. Sot, Bashës i duhet të bëjë të njëjtën gjë, të tejkalojë modelin që e krijoi si politikan. Në rast se nuk e tejkalon, ai rrezikon të bëhet një kopje e modelit Berisha në momentet më të vështira, i cili, për të ruajtur pushtetin politik, ishte i detyruar të përfshinte shumë figura të konsumuara brenda listave të tij. Presion me të cilin sot përballet edhe Basha.

Cilat janë vështirësitë e Bashës?

Vështirësitë që has modeli Basha mund të bëhen të rrokshme duke përdorur modelin e rilindjes së Ramës si analogji.

Historia pluraliste e Shqipërsë deri tani njeh vetëm dy dorëheqje. Atë të Fatos Nanos në PS-së dhe të Sali Berishës në PD. Pas largimit, deri diku Nano i la dorë të lirë Edi Ramës, i cili filloi të ndërtonte modelin e tij brenda partisë. E vështirësitë nuk ishin të vogla për rrugëtimin e tij si lider. Paralelisht me ndërtimin e modelit të rilindjes, atij njëkohësisht i duhej të shkatërronte modelin Nano.

E kjo dukej në listat zgjedhore të 2013-s, ku krahas injektimit të gjakut të ri, brenda PS-së prevalonin edhe figurat e vjetra të PS-së.Përfundimisht, PS-ja e mbylli ciklin e saj në 2017, në Asamblenë e saj, e ku ngriti siparin Rilindja e Ramës.

Nga ky aspekt, krahasuar me Ramën, Basha ka një disfavor të madh. Berisha me të vërtetë u largua nga drejtimi i partisë në 2013-n, por jo nga PD-ja. Prezenca e tij dhe ndikimi i tij nuk mund të mënjanohet aq lehtë sa ç’e pati Rama me Nanon. Basha gjithnjë do të ketë një “kapje për xhakete” nga Berisha. Nëse Basha e fiton si sfidë, atëherë edhe PD-ja do të reflektojë një model të ri, modelin që Basha premtoi. Nëse nuk ia arrin, do të kemi të njëjtën PD të Berishës me kryetar Bashën.