MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Kur macja kafshon bishtin, e lexuesit turpërojnë analistët!

27.05.2017 - 17:16

Po e botoj në formë të drejtpërdrejtë vëzhgimin e një lexuesi të Konica.al, nga i cili ndieva menjëherë turpin që duhet na zërë në raste të tilla.

Ç’po hane Shqiptaret ? Jam nje vrojtues I rregullt I keti portali.Te nderuar miq ; I nderuar Z.Nazarko a nuk ju ka rene ne sy nje idiotesi kolektive e pa pare qe mengjes dreke e darke po bombardohemi me debate politike nga lloj lloj artikulatoresh pa substance.Mor zoterinj te nderuar pa nenvleresuar edhe debatet politkke une do te mendoja se ky popull ne rradhe te pare ka nevoje te ndergjegjesohet per ecurine ekonomike te tij apo te families se tij.A ka ne xhepin e tij aq sa ka patur dje apo me shume apo me pak?Ky karburanti ne Maqedoni pse eshte 120 lek litri dhe tek ne 170.Kjo kiljá e specave pse nga 120 lek per kg vjet eshte 320 sivjet?Mos ne kemi barren fiskale me te larte ne bote ne rraport me rendimentin shoqeror te punes qe me siguri e kemi me te ultin.A mos do te ishte me mire qe ky milet te dinte se si administrohen taksat qe ai pagua duke hequr edhe buken e kalamajve.A mos do te ishte me mire qe ky popull te mesonte se nga kater vete ne administraten nje punon e tre rrine per te mos thene vjedhin?

– Jordan Misja

I nderuar mik,

Mund të të përgjgjesha direkt për çmimin e naftës, që është shumë më i lartë, jo vetëm se në Maqedoni, por dhe në vende të tjera. Megjithëse qeveria, si kjo e tanishmja, por dhe të tjerat e justifikojnë se mblidhen te ky çmim edhe taksa të tjera, e janë ato që e bëjnë përfundimisht atë të lartë, unë mendoj diçka tjetër. Në një ekonomi kaq informale sa e jona, është e qartë se qeveritë kanë shpikur një mekanizëm që ta mbledhin këtë lloj takse në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në fakt, ne nuk mund të mbledhim taksa, në fshat apo në sektorë të tjerë, sepse së pari jemi një vend që ende nuk kemi adresa, pa le të kërkojmë rregulla të qarta, apo saktësi në taksat. Prandaj i biem rrugës së shkurtër dhe t’i marrim direkt në pikën e benzinatës. Kaq e thjeshtë është. Pa diskutim është një ide e gabuar në shumë plane. Së pari, se kjo vazhdon të favorizojë mosmbledhjen e taksave në të gjithë sektorët e tjerë. Së dyti, veprimi është i gabuar, sepse nafta është burim energjie prej së cilës zhvillohet ekonomia. Nëse ajo bëhet e shtrenjtë, pakësohet fuqia për të bërë investime, apo për të zhvilluar vendin në të gjithë sektorët. Pra, me këtë veprim, ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse biem në frazën e njohur të maces që kafshon bishtin e saj… E thënë thjesht, është një çmenduri që ka shoqëruar çdo qeveri socialiste apo demokrate dhe duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për çmimet e produkteve bujqësore.

Maqedonia, që përmendni Ju në vëzhgim, subvencionon bujqësinë e saj me 160 milion euro çdo vit, ne me 10 apo 12 të tilla. Është e qartë pse mallrat maqedonase mbytin ato tonat dhe pse në zonat kufitare me ne, p.sh. në Korçë apo Pogradec mund të shohësh një fenomen të tillë. Ndërsa blejmë produkte deri dhe mollë apo qepë maqedonase, tonat i hedhim në lumë. Po ka edhe më keq se kaq. Fshatari i paorganizuar që nuk ka fuqi të dalë në treg, e rregullon ndonjëherë ndryshe problemin. Atij i kushton shumë ta bjerë mallin në qytet dhe po nuk e shiti, i kalbet shpejt. Prandaj ai prodhon sasi të madhe me metoda të parregullta (hormone etj., etj.) që gjithsesi t’i ngelet diçka në xhep. E keqja vazhdon akoma. Për këtë mosorganizim, jemi të detyruar të blejmë jashtë vendit dhe të rrezikohemi akoma më keq sesa nga hiletë e fshatarit tonë, që shpesh është në kushtet e mbijetesës. Produktet që vijnë prej andej, veç çmimit të lartë, janë në kufijtë e skadencës apo më keq sesa kaq. Sepse nga njëra anë harxhojmë valutën tonë dhe nga ana tjetër helmohemi përditë. Dhe akoma më keq është se, megjithse e përçmojmë bujqësinë, ajo jep rregullisht gati 25 për qind të të ardhurave tona…

Po si i bëhet për të dalë nga kjo gjendje e tmerrshme?

Ideja jote është të shikojmë historitë e taksave. Unë nuk e mendoj ashtu. Ndoshta të dy gabojmë, sepse nuk jemi në profesionin tonë, por do të mundohem të them diçka si e mendoj unë. Problemi nuk është fare te numrat. Numuri ëshë pasojë, por duhet të gjejmë shkakun. Kur Basha dhe Rama tregojnë epërsitë e sistemit të tyre të taksave, mendoj që të dy gabojnë. Berisha propagandoi taksën e sheshtë dhe Rama atë progresive. Çështja nuk është fare ideologjike. Tipi i taksës që vendoset është produkt i kushteve që ekzistjonë në një vend të caktuar. Berisha e vendosi taksën e sheshtë 10 për qind, duke pohuar se rrit mundësinë për të thithur invesitorë. Për mua, e vendosi, sepse thjesht nuk kishte fuqi administrate për të vjelë taksat dhe për këtë përdori taksën e ngjashme me kohën e ‘xhelepexhiut” të Turqisë. Thithja e investitorëve varet nga shumë faktorë të tjerë, siç janë garancia e pronës, energjia, uji, forca e ligjit dhe së fundi një klasë e kualifikuar e punonjësve që ke në dispozicion. Po nuk u plotësuan këto kushte, edhe zero t’i kesh taksat, nuk të vjen njeri… Rama vendosi një taksë progresive, duke gabuar në formë analoge, njëlloj si Berisha. Kjo sepse nëse nuk ke administrate, është zor, apo e pamundur të vendosësh taksë progresive. Ne nuk jemi Gjermani të ndajmë “shapin nga sheqeri” thuajse asnjëherë. Problemi, siç e mendoj unë, po e ritheksoj, nuk ëshë punë numrash. Shqipërisë, së pari, i mungon strategjia kombëtare. Kjo e fundit, që në vendet e tjera zakonisht është produkt i individëve të fortë apo qeverive të tilla, do të jetë shkaku kryesor i vështirësive, jo vetëm sot, por dhe nesër. Po ka edhe shumë faktorë të tjerë që do na bëjnë “të hamë dhe me dhëmbë” për shumë kohë. Shqipëria ka ende të pazgjidhur problemin me pronat. Po ashtu, një fuqi punëtore që është më e pakulifikuara në Evropë. Ka një forcë ligji, ende tmerrsisht të dobët. I mungon uji dhe energjia, jo vetëm për investime të mëdha, por edhe për vetë banorët në shumë qytete. Duke thënë këto, bie dakord me ju në një pikë. Ne hamë pambarimisht politikë dhe jemi duke varrosur Atdheun përditë e nga pak. Ju keni të drejtë absolute në një pikë.

Nëse poltikanët tanë të të dy krahëve kanë vendosur të hanë politikë, sepse ajo i ushqen vërtet mirë, analistëve nuk u lejohet një gjë e tillë. Dhe veçanërisht atyre që e njohin ekonominë. Kjo nuk përbën justifikim për mua që nuk e njoh ekonominë. Edhe unë ndihem shumë i turpëruar nga ajo që shkruani Ju. Por, ashtu si edhe Ju, duhet të bërtas që të mos hamë vetëm politikë. Të mburrim apo shajmë qeveritë paraardhëse apo të tanishmen, që tregojnë rritje me aq e kaq për qind, kur në të vërtetë problemi qëndron këmbëkryq në një shtëpi që po bie çdo ditë dhe kërkon të zotin për ta ngritur… Gjithsesi, edhe një herë me modesti, mendoj se historia jonë nuk mund të zgjidhet me numra apo lloje taksash, por vetëm me ide që nuk mund të jenë punë burokratësh apo ministrash finance, të cilët në vendin tonë nuk e kanë kaluar kurrë kurrë kufirin e “xhepelepexhiut” të kohës së Turqisë që të lejonte të bëje çfarë të doje pasi paguaje taksën 10 për qind…