MENU
klinika

Mentor Nazarko

Shqipëri-Maqedoni: Kur krizat ndërkombëtarizohen

01.05.2017 - 15:24

Mentor Nazarko: Ka një lidhje e cila është në përpjekje për ta ndërkombëtarizuar krizën. Ky është momenti i përbashkët, pafuqia e dy sistemeve politike përkatësisht në Maqedoni dhe në Shqipëri për ta zgjidhur krizën me mjete të brendshme. Ndërkohë që rolet që kanë marrë opozitat respektive të dy vendeve janë rolet e anasjellta dhe mënyra se si raportohen me aktorët ndërkombëtarë është e anasjelltë.

Kemi një opozitë e cila synon që të rrëzojë apo të deklasojë, të largojë nga pushteti një qeverisje e cila është në fuqi prej tri a më shumë mandatesh, ta bëjë këtë me mjete legale. Në pamundësi për ta bërë këtë me mjete legale, ka thirrur në ndihmë bashkësinë ndërkombëtare, ka thirrur në ndihmë skenarin e përgjimeve. Nga ballafaqimet elektorale llogaritë prapë së prapë nuk kanë dalë. Kriza vazhdon, është ndërkombëtarizuar, ka pasur seanca të ndryshme diplomacish uni plus, diplomaci negoaciatorësh të nivelit të mesëm, si komisioneri Johannes Hahn apo si ambasadori i Gjermanisë në Austri dhe më në fund kemi një formulë kushtetuese, një kuadër kushtetues sipas të cilit një marrëveshje do të duhet të zgjidhet.

Në Shqipëri kemi një situatë tjetër, një parti që është në pushtet, Partia Socialiste me kryeministrin Rama synohet të rrëzohet nga qeverisja pa u plotësuar mandati, 3 muaj para se të shkohet në zgjedhje kërkohet qeveri teknike me një pretekst, i cili është kultivimi i drogës dhe lidhja e pushtetit me kultivimin. Pra një gjenerim i financave të fuqishme për te blerë zgjedhjet me anë të drogës. Droga është një fenomen ndërkombëtar, kultivimi i saj është një fenomen që nuk mund të shkojë pa u mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare dhe opozita e Shqipërisë është përpjekur që të gjejë aleatë ndërkombëtarë për t’i kaluar në anën e vet dhe për të imponuar këtë ndryshim në tavolinë të qeverisjes, por e anasjellta është se bashkësia ndërkombëtare nuk i mbështet këto kërkesa të opozitës. Këtu është paradoksi: për krizën Maqedonase, që janë përdorur deri tani, pavarësisht kohëzgjatjes së saj, janë përdorur politikanë amerikanë, evropianë të nivelit të ulët apo te faktorit të mesëm, ndërkohë që për të zgjidhur krizën shqiptare në Shqipëri, zbriti ai që është numri dy i CDU-së, zëvendësi i Merkel, kandidat për president i Gjermanisë, David McAllister, i cili dështoi, megjithëse koncesioni që iu bë nga ana e qeverisë është një nga koncesionet e mëdha.

Këto dy janë momentet që i diferencojnë krizat, megjithëse opozita shqiptare kërkon që të imponojë ndryshime kushtetuese, kërkon që të imponojë qeveri teknike 3 muaj përpara zgjedhjeve, ndërkohë që kjo është një kërkesë e cila mund të shndërrohet në precedent, jo thjesht në Maqedoni nëse do të përshtatim fjalën e urtë “Sheh kriza krizën dhe përkeqësohet” me precedentë zinxhirorë që shqetëson, krijon një kulturë të pafavorshme jo vetëm në rrafshin evropian, por edhe në rrafshin botëror. Po kërkohet të imagjinohet edhe investimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në pamundësi për të gjetur partnerë, aleatë në rrafshin evropian, opozita e Shqipërisë po thotë se nuk ka folur ende administrata e Trump. Imagjinoni se në çfarë niveli komik ka arritur opozita.

Arta Tahiri: Meqë thatë se ndërhyrja e ndërkombëtarëve në Maqedoni për disa herë, për disa vite me radhë, nuk ka arritur që të sjellë sukses. Mendoni që në të ardhmen do të ketë një sukses nga ndërhyrja e ndërkombëtarëve si në Maqedoni, ashtu edhe në Shqipëri?

Mentor Nazarko: Momenti i përbashkët tjetër që nuk e përmenda në të dyja krizat, por edhe këtu rolet janë të përmbysura është që, në Ballkan elitat politike konsolidohen, kalçifiokohen pasi fitojnë 1-2 mandate në pushtet, pale kur fitojnë 3, është e pamundshme që ato të rrëzohen nëpërmjet kanaleve apo rrugëve normale të alternimit të pushtetit që janë zgjedhur edhe kur ato në dukje janë të lira, të ndershme apo të gjithëpranuara. E vetmja rrugë për të larguar këto elita që janë të kriminalizuara, të lidhura me krimin ndërkombëtar, kanë futur duart në pasuritë publike për një kohë të gjatë me parimin 10%, 15%, 20% të destinuara në paratë offshore dhe duke i riinvestuar, siç është rasti i Maqedonisë apo ndonjë vendi tjetër, e vetmja rrugë për të larguar elitat është Reforma në Drejtësi. Në Maqedoni, për këtë reformë kemi një konsensus për ta bërë në një nivel të prokurorisë speciale. Në Shqipëri Reforma në Drejtësi nuk parashikon jo thjesht prokurori speciale, por edhe gjykatë speciale edhe institucione të tjera që do të fillojnë spastrimin e vezës dhe pastaj spastrimin e pulës. Pra, në fillim do të kemi gjyqtarë të pastër që nga ana e tyre do të prekin sistemin në drejtësi. A do t’i imponojë bashkësia ndërkombëtare? Unë besoj që po. Ballkani është testi i radhës i aftësisë së BE-së për të imponuar rolin e vet jashtë territorit të saj, në oborrin e saj. Siç është trendi në vendet më të rëndësishme të territorit te Bashkimit Evropian, Franca përkatësisht, forcat evropianiste janë duke fituar. Në këtë kuptim, Ballkani është testi i tyre i rëndësishëm për të qetësuar situatën, për të krijuar mundësinë që elita të korruptuara të largohen.

 

Arta Tahiri: Vëreni një klimë pozitive te politikanët në Maqedoni, për shembull për të bërë një gjykatë speciale që do të ndihmojë aktet e prokurorisë speciale dhe në Shqipëri, për të zyrtarizuar më në fund Vetting-un?

Mentor Nazarko: Nuk mund të flas me kompetencë për disponimin e të gjithë faktorëve në Maqedoni. Pata një intervistë me kryetarin e Lëvizjes BESA, i cili pretendon se është iniciatori i krijimit të një gjykate speciale. E kam parë gjithmonë zgjidhjen e krizës maqedonase tek këmbëngulja e establishmentit për t’iu dorëzuar vullnetarisht prokurorisë speciale dhe pastaj gjykatës speciale.

Në rastin e Shqipërisë panorama është e anasjelltë, është opozita që mendohet se do të ofrojë viktimat  e para të Reformës në Drejtësi. Me spastrimin e drejtësisë vjen pastaj spastrimi i politikës dhe në fund është ajo që po i reziston funksionimit të Reformës në Drejtësi. Mendoj që në modelin radikal shqiptar është zgjidhja e vetme për të mundësuar qarkullimin elitar me shtetet e tjera të Ballkanit, ku politikanët “e talentuar”, nga e keqja, pasi arrijnë në pushtet, kontrollojnë shoqërinë, bizneset, median dhe përveҫse rrugëve radikale, nuk ka rrugë të tjera për t’i larguar, si Reforma në Drejtësi nga bashkësia ndërkombëtare.

Arta Tahiri: Që pas zgjedhjeve parlamentare, Tirana është mitizuar këtu në Shkup dhe është bërë një element i rëndësishëm nga partitë politike të krizës politike. Cili vlerësoni se është roli i Tiranës në këtë rast?

Mentor Nazarko: Kam një tezë të cilës i jam investuar në cilësitë e gazetarit në zhvillimet në Maqedoni nga kontaktet e shumta me mikun tim të ndjerë Arbër Xhaferin, sipas të cilit ka kaluar koha në të cilën kombi maqedonas të ulet dhe të bëjë një marrëveshje tërësore në të cilin nuk do të rrijë përballë tyre faktori politik shqiptar me aktorët kryesorë partiakë maqedonas, por gjithë lojtarët: Shqipëria konstitucionale, Kosova konstitucionale dhe faktori politik në Maqedoni përballë udhëheqësve kryesorë maqedonas. Historia ka treguar që partitë politike shqiptare në Maqedoni janë mashtruar sistematikisht nga udhëheqësit e partive maqedonase të cilët nuk i kanë lejuar që të përfshihen në dhomat kryesore të pushtetit ekzekutiv. Janë gënjyer me emërimet në politikat  e kuadrit, emërime policësh, mësuesish, në ministri të caktuara me kontrolle tenderash apo garash publike. Anjëherë nuk kanë komanduar procese të ushëheqjes strategjike të shtetit. Faktori politik shqiptar për pasojë edhe nëse do të konvergojë, prapë nuk do të arrijë të imponojë pozicioni e vet përballë faktorit maqedonas. E vetmja mënyrë që shqiptarët të bëhen më të fortë është që të flasin më një zë. T’i afrohen faktorëve rajonalë: Maqedonisë, Serbisë me një zë të vetëm. Ka një të vërtetë të pashmangshme në rastin e Maqedonisë; Perëndimi e do të pandarë Maqedoninë, shqiptarët brenda dhe jashtë saj nuk munden ta shkatërrojnë atë. Cila është rruga e vetme? Rruga e vetme është që Maqedonia të ngelet brenda orbitës perëndimore të ndikimit, bashkë me Shqipërinë dhe faktorin shqiptar. Është e nevojshme një marrëveshje në të cilën shqiptarët të garantojnë mosndarjen e saj, t’i ofrojnë benefite në këmbim të marrëveshjes si: lehtësira portuale, të transportit, turizmit, njohje reciproke të minoriteteve gjithmonë nëse arrin të rregullojë problemet me Bullgarinë. Në këmbim, Maqedonisë do t’i duhet t’i imponohet që popullsia shqiptare të jetë shtetformuese. Nga një ballafaqim i tillë i dy popujve do të kemi përmirësimin e statusit të shqiptarëve ne Maqedoni, do të kemi një shërbim të madh për Perëndimin, i cili është krijimi i aksit properëndimor që do të bashkojë Bullgari, Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë nëse doni përkundrejt një aksi proortodoks, prorus si ai serbo-grek.

Mendoj që ka ardhur koha për një aleancë të tillë. Në një mënyrë ose në një tjetër, zoti Rama u përfshi në harmonizimin e faktorit shqiptar. Përkundër maturisë, ka treguar në deklarime mospërfshirjen në krizën maqedonase, do të duhet që t’i ofrojë Maqedonisë paranojake garancinë që Shqipëria nuk e do ndarjen e Maqedonisë. Jemi të interesuar të kemi një marrëdhënie partneriteti, të zhvillojmë projektet infrastrukturore, Korridorin 8 si autostradë, si hekurudhë me rrugët lidhëse si Dibra, Rruga e Arbërit etj.,  që do të faktorizojnë shqiptarët duke i shndërruar në forcën më të rëndësishme në rajon. Nëse numerikisht jemi në rajon ndër popullistë më të mëdha arrijmë që të luajmë ndikimin tonë.