MENU
klinika

Mentor Nazarko

Jam ministri i Shqipërisë në NATO: Kurrë s’kam fshehur gjë për Gërdecin (Video)

20.06.2017 - 09:08

Ka boll të djathtë që nuk ndihen të përfaqësuar në ata që thonë se nuk votojnë. Ne kurrë nuk e kemi tradhtuar të djathtën!

Nazarko, e motivoi intervistën me Z. Oketa, sepse, sipas tij, portali Konica.al ka zgjedhur t’i japë zë të papërfaqësuarve në media, të cilat, duke qenë nën kontrollin e partive kryesore, nuk lënë shteg për kandidatët e partive të papërfaqësuara në parlament.

Rreth pyetjes se përse ai ka zgjedhur të kandidojë në Tiranë, përkundrejt Durrësit, Oketa parashtroi disa arsye: e para, FRD ka mbajtur qëndrim kritik ndaj kodit zgjedhor, të cilin PS, PD dhe LSI nuk e kanë mbështetur. Një tjetër arsye është fakti se z. Topi vendosi të japë një model të ri të përfaqësimit të FRD-së në këto zgjidhje, një shembull pozitiv ku kryetari i partisë, pavarësisht se firmos listat e kandidatëve, zgjedh të mos përfshihet në këtë garë. Ndërkaq, sekretarit të përgjithshëm, kishte kërkesë që të përfaqësonte listën e Tiranës. Arsye tjetër se përse pranova kandidimin në Tiranë është fakti se ky qark është i përbërë nga qytetarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Në këtë aspekt, mandati i Tiranës mbart vlera kombëtare.

Një tjetër arsye e kandidimit në Tiranë është mospërfaqësimi i elektoratit të djathtë nga opozita aktuale dhe shpresojmë që kjo pjesë e shoqërisë tiranase të mbështetë Frymën e Re Demokratike. Këtu kandidati i FRD-së për Tiranën i referohet familjeve të mëdha, ish-të përndjekurve politikë, ish-pronarëve, që janë persekutuar ekonomikisht nga sistemi i kaluar dhe asnjëra nga këto shtresa nuk është e përfaqësuar në listën e PD-së. Gjithashtu, një kategori e konsiderueshme e shtresës së mesme, e cila normalisht e gjen veten te një formacion i djathtë, po ashtu nuk është përfshirë në listat e PD-së.

Ajo që e bën të vështirë identifikimin e votuesve shqiptarë është fakti se ky tranzicion i politikës shqiptare ka bërë që pjesa më e madhe e elektoratit të humbasë ideologjinë, ka bërë që të ngatërrohet e majta dhe e djathta, aq më tepër sot kur kemi një qeveri të majtë, të djathtë dhe të qendrës majtë, pasi kemi në ekzekutiv; PS-PD-LSI-PDIU.

FRD nuk është në qeveri dhe për këtë, më së paku, nuk mban kosto. Ajo ka moralin politik dhe qytetar që t’i kërkojë zgjedhësve, sidomos atyre të djathtë, mbështetjen me votë.

Fytyra e një politikani është mos të bëjë show, por të punojë shumë dhe të flasë pak, pasi sa më shumë diskuton mediatikisht, edhe konsumohesh dhe mbi të gjitha nuk mund të flasësh me kompetenca për të gjitha fushat. Unë nuk e mbaj veten si një showman, por si një person që është i aftë të punojë në grup dhe të falenderojë bashkëpunëtorët.

Për sa i përket të kaluarës së tij politike, z. Oketa u shpreh: E mora Ministrinë e Mbrojtjes në një moment mjaft të vështirë, siç ishte ai i Gërdecit dhe e dorëzova si një institucion normal i anëtarësuar në NATO. Anëtarësimi në NATO ka qenë një proces i nisur që në 1993, për këtë është një arritje që duhet ndarë me të gjitha qeveritë e vendit, i cilitdo kah politik qoftë. Këtë gjë e them me shumë sinqeritet, pa dashur të mbaj ndonjë meritë speciale si Ministër i Mbrojtjes në momentin final të anëtarësimit.

Gjatë intervistës, Oketa foli për krisjen e parë publike me PD-në, duke theksuar se ishte një trajektore pa kthim, që u konkretizua në vendimmarrjen e tij për t’u larguar nga grupi parlamentar, pasi konstatoi se brenda tij, gjithnjë e më pak respektoheshin rregullat e brendshme dhe ngushtohej gjithmonë e më shumë hapësira për mendimin ndryshe. Ai zgjodhi të largohej nga Partia Demokratike kur ajo ishte në pushtet për të mos pritur të ikte kur ajo të binte nga pushteti, edhe pse ishte i bindur se nga mënyra e qeverisjes, ajo do të shkonte në opozitë, siç në të vërtetë ndodhi. Unë nuk u largova kur PD ishte në opozitë dhe këtë gjë e kanë bërë shumë dhe vazhdojnë ta bëjnë, unë bëra zgjidhjen më të vështirë duke u larguar kur ajo ishte në pushtet, u shpreh ai.

Fushata e tij në Tiranë është përqendruar në takime intensive me grupe të vogla dhe të mëdha qytetarësh në të gjithë qarkun, me qëllim ndërgjegjësimin e tyre, sepse, në fund të fundit, në kuvend nuk shkohet me respektin që ndiejnë për ty, por me votën që të japin.

Këtë radhë, me keqardhje, ai konstaton se është rritur numri i atyre që nuk marrin pjesë në votime, pikërisht për faktin se ndihen të zhgënjyer. Në parim të gjitha partitë kanë programe dhe oferta politike, por ajo që iu mungon është preokupimi për të zgjedhur njerëz seriozë dhe alternativa serioze, u shpreh ai, duke shtuar se shqiptarëve iu mungon rikthimi i jetës parlamentare në shinat e normalitetit.

Sipas Oketës, Shqipëria është i vetmi vend demokratik në të cilin parlamentit i është dashur të miratojë një rezolutë ku vetëcilësohet si i kriminalizuar. Në këto kushte, kur Shqipëria, për shkak të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, është një republikë kryeministrore dhe jo parlamentare, kjo shumicë, kjo maxhorancë, ky kryeministër, i kishte numrat për të shpërndarë parlamentin e kriminalizuar dhe të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Por kjo gjë nuk ndodhi. Ka qenë kuvendi më i dobët për sa i përket përbërjes akademike intelektuale. Në këtë situatë, sot shqiptarët kanë nevojë të kenë në parlament njerëz normalë, që dinë të mbajnë përgjegjësi, që janë të moralshëm dhe që vendosin të parat interesat qytetare dhe jo ato personale.

Në mbyllje të intervistës, kryesuesi i listës së FRD-së për Qarkun e Tiranës, Gazmend Oketa, ftoi zgjedhësit të marrin pjesë në votime dhe të votojnë nr 11, të votojnë Frymën e Re Demokratike, për të qenë zëri i tyre në kuvendin e ardhshëm si dhe për të lënë gjurmë në ecurinë e zhvillimin e vendit.