Menu

Shpëtim Nazarko

“Shqipëria i ngjan maces që kafshon bishtin e saj…”

03.04.2018

Opinion/ Teksa i hidhja një sy shtypit të këtyre ditëve jam shokuar nga reagimet e opozitës dhe të kolegëve të mi analistë, sepse, në 25 vite që ndjek shtypin shqiptar, analistët, në ndryshim nga reporterët, që gjykojnë të tashmen, analistët tanë, në shumicën e kohës, kanë gjykuar të ardhmen ose të shkuarën dikur: asnjëri prej tyre nuk ka folur kur bëheshin piramidat dhe hidhej çdo gjë në erë, kur bëhej prerje masive pyjesh, ndotje lumenjsh, etj. Këta analistë duhet të reflektojnë për mosfoljen atëherë kur duhej.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Pyetjes a duhet bërë kjo rrugë me pagesë i përgjigjem me analogjinë e makinës luksoze dhe shërbimet që ajo kërkon për t’u mirëmbajtur. Në momentin që bëhen rrugë kaq të mëdha dhe të shtrenjta, në momentin e projektimit, duhet menduar edhe për mirëmbajtjen e tyre. E quaj vepër të një strategjie kombëtare, por të projektuar tmerrsisht keq, madje “kriminalisht” keq, sepse duhej të kishte hekurudhën nga mbrapa, pasi kjo hekurudhë mund të eksportonte mineralet e kësaj zone për në Evropë.

Përmes kësaj rruge të kombit, përveç turistëve nga Kosova, do të prisnim edhe qymyret e saj për të balancuar peshën e hidrocentraleve këtej. Gjithashtu, do të nxiste edhe zhvillimin e Kukësit.

Kemi ndërtuar një Shqipëri që, sot që kërkon të formalizohet, është në pikën kur duhet të “vrasë veten”, duke qenë se për të vjelë disa taksa, detyrohet t’i marrë përmes faturës së dritave apo të ujit.

Duhet gjetur forma e vjeljes së taksës edhe në rrugën e kombit, por si? Arsyetimi i Berishës se kjo rrugë nxjerr 300-400 milion euro në vit është i pabazë. Jam i bindur se jo vetëm shifra 200 milion, apo taksa të tjera të fshehura të çmimi i naftës, përkufizojnë pafuqinë e qeverisë për të mbledhur taksat në një Shqipëri ku nuk dihen as adresat. Zgjidhja logjike do të ishte formalizimi.

Referuar fjalës së kryeministrit për zgjidhjen e problemit, reagimi pas vendosjes së kësaj takse duhej të qartësohej paraprakisht, duke qenë se jemi në zonën më të varfër dhe vendoset një rrugë më pagesë, duhej të ishte shoqëruar me ofrimin e rrugës alternative pa pagesë, ndonëse e konsideroj një zgjidhje të tmerrshme.

Sikundër është e qartë, autostradat shkurtojnë rrugët, duke shkurtuar kësisoj kohën, që për ekonomistët është përfitimi më i madh. Në princip, rruga alternative pa para duhet të ofrohet për qytetarët, kjo është edhe zgjidhja që ka gjetur Evropa, fundja.

Si analist, ajo çka më shqetëson është: si ka mundësi, pas viteve ’90, disa qytete të veriut e të jugut, të krijuar nga Hoxha për një qëllim të caktuar, u shuan me vdekjen e tij, duke qenë se u mungonin kushtet për të krijuar një qytet të shëndoshë. Kukësi hyn te qytetet e shëndosha, që nuk i mungon uji, energjia, mundësia e zhvillimit të sporteve (kanotazhi p.sh.), ka blegtori, aeroportin etj., prandaj ky qytet mund të ishte një kryeqytet i një Shqipërie të Madhe.

Pra ky qytet, që ka një pasuri të këtillë, që 100 mijë euro mund t’i hedhësh në liqen dhe mund të zhvillosh industrinë e peshkut, 500 mijë euro mund t’ua japësh fshatarëve të zonës dhe të krijosh pasuri pyjore, që 2 milion euro mund t’ia japësh 1000 familjeve në trajtën e qengjave dhe vitin tjetër t’ua marrësh në formën e deleve, mund t’i sigurojë shtetit fitim 10 herë më të lartë se bankat.

Arsyeja e reagimit të egër të Kukësit është varfëria e qytetarëve të tij. P.sh., pse jam i sigurt që Elbasani është ndër qytetet kryesore ku lulëzon krimi, për të vetmen arsye që ky qytet dikur ishte një qytet tipik tregtar, e në kohën e Enverit u ndëtua Metalurgjiku, përmes së cilit 100 mijë banorë mbanin frymën gjallë. Në momentin e rënies së Metalurgjikut, për të mbijetuar, shumë banorë iu drejtuar formave kriminale të mbijetesës (drogë, etj.). E njëjta gjë edhe me Beratin pas mbylljes së Kombinatit “Mao Ce Dun”. Një shtetar duhet të vërë në evidencë resurset e një qyteti për ta përparuar atë.

Lidhur me aktivitetin e opozitës për këtë ngjarje, jam i mendimit se opozita e sotme nuk insipiron bindje dhe shfrytëzimi i momentit të tanishëm është një flakë kashte, që vetëm e dëmton atë rëndë. Rama, apo çdo qeveri në botë, përmbyset vetëm me ide apo projekte, kurrë më me dhunë. Kësisoj, i veshur me kostumin e deputetit të opozitës, do të propozoja 1 apo 2 shkolla profesionale të ndërtoheshin në Kukës, pyllëzim masiv, ndihmë në infrastrukturë blegtorale, nga e cila mund të përfitosh shumë, etj. Andaj jam i mendimit se protestat nuk do vazhdojnë e do gjendet kompromis.

Në lidhje me reagimin e bizneseve të mëdha për tarifën: Së pari, në thelb, jo vetëm në historinë e rrugës së kombit, bizneset e mëdha, pasi kalojnë fazën e hershme të pasurimit me kontrabandë, etj., në vijimësi duan respektimin e ligjeve dhe armiku më i madh për ta janë bizneset e vogla që kërkojnë t’u zënë vendin. Së dyti, në përgjithësi, bizneset e mëdha janë të karakterit neutral, ta kenë mirë më të gjitha palët.

Në përmbyllje, nëse do të isha unë “udhëheqësi” i këtij vendi, do propozoja: investim nga shteti në porte të mëdha dhe bërja me koncesion e rrugëve nga investitorë të huaj.