MENU
klinika

Retro

Nëse diktatori Hoxha lejoi Pal Mëlyshin të bëhej një polic i mirë (antikomunist), përse PD-ja nuk e lejon Xhafajn të bëhet shef i mirë policie?

16.05.2018 - 21:33

Regjimi diktatorial ka bërë shumë koka turku në emër të luftës së klasave, por në 45 vite të një prej sistemeve më të ashpra komuniste në Kampin e Lindjes, bëheshin edhe dallime nisur nga kontributi i dhënë për popullin, sikurse konsiderohej në ideologjinë e kohës. Pal Mëlyshi ishte një prej tyre. Djaloshi tek të njëzetat, i biri i Nikollës, një agjenti të rekrutuar nga CIA për të organizuar grupet antikomuniste në Shqipëri, ishte pjesë e atyre familjeve që identifikoheshin si “të deklasuara”. Nikoll Mëlyshi u zhvendos nga SHBA-të në Shqipëri, duke u hedhur me parashutë në malet e Mirditës, nga ku organizoi aksione të ndryshme diversante kundër regjimit komunist.

Në dallim nga i ati, Pali u lidh me partizanët që kur në krahinën e Mirditës hynë brigadat e para. Pali u shërbeu atyre fillimisht si udhërrëfyes dhe informues duke përcjellë të dhëna mbi forcat e armikut, e më pas u përfshi në brigadën e 7-sulmuese, duke marrë pjesë në çlirimin e Shënpalit, Gëziqit, Shkodrës, Reçit. Me t’u rikthyer në Shënpal, u emërua në komandën e vendit me detyrë Intendent i rrethit, Mirditë. Pali ishte vetëm 23 vjeç kur shprehu dëshirën e tij për të braktisur gjithçka dhe për t’u infiltruar në rradhët e Komitetit të Maleve me qëllim që t’i shërbente Sigurimit të Shtetit.

Kërkesën e tij e miratoi Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu me mbështetjen e kryeministrit Mehmet Shehu. Kështu Palit iu dha drita jeshile të jepte kontributin e tij si agjent i infiltruar i sigurimit në pseudonimin “Furtuna”. Pali do të shërbente deri në 12 prill të vitit 1950, kur mbeti i vrarë pas një rrethimi nga diversantët që po e ndiqnin. Për komunistët vepra e Pal Mëlyshit ishte me vlerë për kombin ndaj dhe ai u shpall “Hero i Popullit”

Historia e tij tregohet sot në shumë versione të publikuara në intervista, shkrime, hulumtime, libra biografikë etj., secili prej tyre flet për mënyrën sesi u rekrutua, për jetën e tij në bandat e kaçakëve të maleve, por në mes të këtyre të vërtetave të rrëfyera nga personazhe të ndryshme, gjendet një emërues i përbashkët; Pal Mëlyshi ishte dëshmor i atdheut pa ngjyrë, por një hero nga ata, të cilët drita nuk u shuhet kurrë. Të tilla histori si ajo e Palit nxjerrin në pah shembullin e mirë të atyre që duan të japin kontributin vetëmohues të individit për kombin duke treguar si dinë të bëjnë dallimin midis të drejtës dhe të gabuarës pavarësisht zgjedhjes që mund të kenë bërë familjarët e tyre.

Por që të zgjedhësh një rrugë të tillë pa hijet e të kaluarës së familjarëve të tu, do të duhet që edhe të tjerët të lënë në paqe të vazhdosh me rrugën që ke zgjedhur. Diçka që mesa duket Partia Demokratike e ka të vështirë ta bëj në rastin e Fatmir Xhafës. Nëse opozita nuk e lë Xhafën të jetë një shef i mirë policie, mbase kjo më shumë sesa vë në pikëpyetje figurën e z.Xhafaj, lëshon hije mbi “qëllimin e mirë” të demokratëve që janë vënë në ballë të baltosjes me çdo kusht të ministrit të brendshëm…