MENU
klinika

Fe dhe politikë

Kush po e bën lojën për promovimin e Elvis Naçit dhe pse?

22.06.2018 - 12:33

Atë nuk e mërzit asgjë, sepse e konsideron veten si njeri të hapur për mendimin ndryshe, aq sa pranon të flas në forume debatesh televiziv për tradhëtinë, barazinë e burrit me gruan e deri tek imamët homoseksualë në Australi. Elvis Naçi është potretizuar në publik si një imam ndryshe, nga sa mund të perceptohet zakonisht një figurë e klerit mysliman, për më tepër kur ithtarët e këtij besimi shpesh lidhen me fondamentalizmin ekstremist.

Popullor në rrjetet sociale, me një numër prej afro 540 mijë ndjekësish, Elvis Naçi ka krijuar modelin e një imami, që jeton njësoj si gjithë njerëzit e tjerë pavarësisht specifikës së besimit. Steriotipet që i veçojnë teologët myslimanë nga pjesa tjetër e shoqërisë, duket se në këndvështrimin e tij janë të gabuara, pasi vetëm sa e largojnë islamin nga njerëzit. Ruajtja e këtij profili ‘njerëzor’ duket se e ka bërë imamin të fitojë mbështetje sidomos tek të rinjtë, që janë edhe përdoruesit më të mëdhenj të Facebook dhe Instagramit. Pikërisht ky popullaritet duket se ka grishur Partinë Demokratike të bëj një provë, duke testuar figurën e tij si një kandidaturë eventuale për kreun e Bashkisë së Tiranës.

A ishte kjo një iniciativë e strukturuar mirë nga një grup interesi që qëndron pranë PD-së? Apo është një provë që qëndron brenda tipologjisë së veprimit të një kleriku që kërkon në cilësinë e një misionari fetar të promovojë edhe më shumë idetë e besimit të tij? Vështirë se mund t’i jepet një përgjigjie kësaj pyetje, por hedhja në debatin publik e emrit të tij si një kandidaturë e mundshme nuk ka qenë një rastësi. Në reagimin e tij të parë për këtë lajm, imami shkruan se nuk ka aspiruar asnjëherë të merret me politikë, duke shtuar se diçka e tillë nuk do të ndodh deri në fund të jetës së tij. Por a janë ambiciet e Naçit kaq modeste?

Ish kryeministri francez, Eduard Baladyr shkruante në biografinë e tij se “edhe më modestët e kthejnë kokën pas kur ndjejën aromën e pushtetit”. Dhe modestia e Naçit nuk duket dhe aq sidomos në batuta. Pyetjes së një gazetari në një intervistë të dhënë disa muaj më parë, nëse aspironte për të shkuar më tej në instancat drejtuese të komunitetit mysliman, ai iu përgjigj: “Kam ambicie më të madhe që të jem kryeministër nesër”.

Shakatë mund të jenë gjysma të vërtetash, por nëse imami 41-vjeçar, ligjërues në Xhaminë e Tabakëve, është duke rritur popullaritetin e tij, falë edhe postimeve të sponsorizuara në Facebook dhe nuk ka ndërmend të katapultohet në politikë, atëherë përse do të kryheshin prova të tilla duke shpërndarë në media lajmin për një kandidaturë të mundshme të tij? Vetë Imami nuk ka përmendur në reagim nëse një propozim i tillë i është parashtruar apo jo nga një forcë politikë.

Nëse kjo do të kish ndodhur vërtetë, rasti i një kandidature nga rradhët e klerit fetar, do të na çonte pas në vitin 1924, kur Fan Noli u bë kryeministër. I vetmi klerik në historinë e shtetit shqiptar, paçka se i një besimi tjetër, që ka pasur një pozicion të lartë drejtues për pak kohë. Një copëz historie që nuk flet për një bashkëjetesë të suksesshme në drejtim të një misionari fetar të gërshetuar me hierarkinë e lartë politike. Por edhe nëse do të vendosnim në të tashmen, një kandidaturë e tillë, jo vetëm që do të lëshonte dritëhije mbi laicitetin e shtetit, duke vënë në pikëpyetje edhe aftësinë e PD-së për të gjetur një kandidaturë të fortë brenda rradhëve të laikëve, por nga ana tjetër nuk do të linte pa rrudhur buzët e aleatëve tanë Perëndimorë.

Përpos të gjitha aludimeve që ngjall lajmi që këtë javë mori vëmendjen e mediave sociale dhe atyre klasike, ajo çka mbetet mëse e dukshme në thelb është se një grup i caktuar interesi është duke lobuar fort në mbështetje të imamit 41-vjeçar. Ndryshe nuk mund të shpjegohet sesi një teolog, themelues i një organizate kulturore Jo-Fitimprurëse të financojë një kanal kaq fuqishëm të sponsorizuar në FB dhe Instagram, e cila po e lehtëson ndjeshëm komunikimin e imamit me ata shqiptarë që zgjedhin ta ndjekin dhe ta besojnë predikimin e tij.