MENU
klinika

6 zakone amerikane pune qesharake

27.07.2018 - 15:00

Mënyra se si punojnë amerikanët i bën njerëzit e vendeve të tjera të kruajnë kokën.

Edhe pse njerëzit në Shtetet e Bashkuara njihen për të punuarit shumë – dhe shumë më gjatë se në vende të tjera – vendet e punës jashtë SHBA-së e kanë shmangur stilin amerikan.

Në vijim renditen zakonet më të pashëndetshme amerikane, të cilave pjesa tjetër e botës po u reziston.

1 – Amerikanët punojnë me orë çmendurisht të gjata

Ndoshta zakoni më famëkeq i punëtorëve amerikanë është tendenca e tyre për të punuar orë të gjata.

Një raport i Gallup nga 2014 vlerësoi se punonjësi mesatar me kohë të plotë në Shtetet e Bashkuara punon 47 orë në javë, një nga shifrat më të larta në botë dhe dukshëm më i lartë se normat në Evropën Perëndimore.

Për shembull, në Evropë, Direktiva për Kohën e Punës u jep të punësuarve në Bashkimin Evropian të drejtën për të punuar jo më shumë se 48 orë në javë. Në praktikë, punonjësit në disa vende, si Gjermania dhe Suedia, punojnë afër 35 orë në javë, sipas Cary Cooper, një profesor amerikan në Manchester Business School në Mbretërinë e Bashkuar.

Craig Storti, autor i “Komunikimi nëpër kultura”, u shpreh se evropianët e konsiderojnë ngarkesën e punës tipike amerikane një përdorim joefektiv të kohës.

2 – Ata mezi shkojnë me pushime

Koha e pushimit ndryshon nga vendi në vend, por amerikanët duket se marrin fundin e shkopit, me shumicën e kompanive që ofrojnë rreth dy javë pushim të paguar në vit.

Dhe atë pak kohë pushimi që amerikanët marrin, nuk e shfrytëzojnë gjithmonë.

Sipas faqes së internetit të karrierës Glassdoor, punonjësi mesatar amerikan që merr pushimet e paguara, merr në fakt vetëm 54% të kohës së caktuar çdo vit.

Krahasoheni me atë të një vendi si Suedia, ku punëtorët marrin pesë javë pushime të paguara në vit dhe nuk është çudi që ata e hedhin poshtë sistemin amerikan.

3 – Dhe mezi marrin leje lindje

Shtetet e Bashkuara nuk garantojnë asnjë leje të paguar për prindërit e rinj, por ia lënë atë punëdhënësve individualë.

Rezultati është që prindërit e rinj marrin shumë më pak kohë pasi kanë një fëmijë sesa prindërit e tjerë në mbarë botën. Kjo është kryesisht për shkak të stigmës kulturore – gratë mund të shihen si prioritet për jetën në shtëpi, mbi të gjitha, ndërsa burrat mund të konsiderohen si më pak seriozë lidhur me karrierën e tyre.

Por nuk është kështu kudo. Në Finlandë, për shembull, nënat presin të fillojnë pushimet e tyre shtatë javë para se të kenë një fëmijë dhe mund të vazhdojnë për 16 javë pas lindjes. Burrave në Finlandë u ofrohen tetë javë pushim i paguar.

4 – Amerikanët kanë tendencë të hanë në tavolinat e punës

Amerikanët kanë një reputacion të të qenët të lidhur me zinxhirë në tavolinat e tyre, dhe statistikat duket se e mbështesin këtë.

Një sondazh i vitit 2015 zbuloi se vetëm një në pesë amerikanë aktualisht kalon pushimin e drekës larg nga tavolina e tij, ndërsa shumica vaktit të mesditës hahet ndërsa vazhdojnë të punojnë.

Mbi të gjitha, miliona amerikanë po lënë mënjanë drekën për të vazhduar punën.

Ndërkohë, në Francë, Spanjë, Greqi dhe vende të tjera, pushimet e drekës mund të zgjasin një ose më shumë orë – dhe rrallë ndodhin përpara një ekrani kompjuterik.

5 – Amerikanët rrallë marrin pushim gjatë ditës

Edhe jashtë orëve të drekës, punëtorët amerikanë rrallë dalin jashtë për një pushim.

Ndërkohë, në Suedi, punëtorët shpesh gëzojnë një pushim të shkurtër të quajtur fika – një pushim i gjatë kafeje, gjatë të cilit punonjësit mund të mblidhen dhe të relaksohen. Shumë zyra ofrojnë dy ndërprerje, një në mëngjes dhe një në pasdite.

Studimet kanë treguar se marrja e pushimit gjatë gjithë ditës ndihmon për të rritur kreativitetin, rifitimin e fokusit dhe ruajtjen e informacionit.

6 – Ata dërgojnë email-e edhe pas orarit të punës

Një nga praktikat më të këqija amerikane të punës, në sytë e të huajve, është tendenca për të dërguar dhe për t’iu përgjigjur email-eve pas përfundimit të orarit të punës.

Në kulturat e tjera, ekziston më shumë një dallim midis jetës së punës dhe jetës personale, dhe të dy rrallë ndodhin njëkohësisht. Dhe Franca mori masa ekstreme lidhur me këtë gjë, duke nxjerrë një rregull në fillim të këtij viti, i cili i lejon punonjësit të injorojnë mesazhet e lidhura me punën të dërguar pas orarit të punës.

“Në Evropë, ata japin 100% e tyre nga ora 9 në 17. E njëjta gjë vlen edhe për email-et e fundjavës – madje edhe ato që dërgohen pa pritje që marrësi do të përgjigjet menjëherë.

Kur kthehen në punë të hënën dhe shohin se i keni dërguar email të dielën, ata do të mërziten nga kjo gjë. Perceptimi është që amerikanët, nuk rreshtin një sekondë së punuari.

Burimi: independent.co.uk