MENU
klinika

Parashikoi saktë kurthet e tij

A kishte Karl Marks të drejtë për kapitalizmin?

02.07.2018 - 19:00

Karl Marks shpesh përshkruhet si një nga mendimtarët më të mëdhenj të shekullit të 19-të. Veprat e tij kanë nxitur revolucione, dhe debate të zjarrta përgjatë shekujve. I lindur në Prusi, Gjermania e sotme, në maj 1818, Marks besonte se kapitalizmi, i cili ishte në hapat e para në atë periudhë, kishte të meta të konsiderueshme.

Marksi pretendonte se, në ndjekje të fitimit, kapitalistët do të inkurajonin ideologjinë e tyre se puna është e mirë, koha e lirë është e keqe, dhe gjërat materiale do të na bëjnë të lumtur, duke nxitur prodhimin në masë, e duke u hequr punëtorëve kënaqësinë e punës. Në të njëjtën kohë, duke shfrytëzuar klasën punëtore.

Ai u përfshi në Lidhjen Komuniste, një grup i vogël intelektualësh që donin të shfuqizonin sistemin e klasave dhe të shpërndanin pasurinë barazisht. Marksi shkroi “Manifesti i Partisë Komuniste” më 1847, me ndihmën e Friedrich Engels, ku shpaloste vizionin marksist të një shoqërie në të cilën pasuria shpërndahet në mënyrë të barabartë, ku mbizotëron prona publike, dhe arsimi është falas për të gjithë.

Por Marksi ishte pak i njohur dhe pak i lexuar në atë kohë. Kur vdiq, në vitin 1883, vetëm 11 njerëz morën pjesë në funeralin e tij. Pas vdekjes së tij, idetë e tij lulëzuan.

Bazuar në teorinë e marksizmit, erdhi komunizmi, realizimi i një shoqërie pa shtet, ku të gjithë janë të barabartë. Komunizmi u bë një lëvizje globale, por ideali utopik i një shoqërie të drejtë dhe të barabartë nuk arriti të materializohej. Komunizmi i tiranizoi dhe i varfëroi njerëzit. Dhe vrau me dhjetëra milionë prej tyre. Sot, kapitalizmi dominon botën.

Por shumë prej kritikave të Marksit nuk kanë qenë kurrë më aktuale. Sot, pabarazia globale mes të pasurve dhe të varfërve është e jashtëzakonshme. Marksi parashikoi se kapitalizmi do të çonte në pasurimin e të pasurve dhe varfërimin e të varfërve. Dhe kishte të drejtë.

Ai gjithashtu parashikoi se kapitalizmi do të çonte në rritje të madhe ekonomike. Marksi parashikoi se kapitalizmi do të çonte në globalizim, dhe se një pjesë e vogël e firmave do të kishin dominim të madh të tregut.

Sidoqoftë, Marksi nënvlerësoi aftësinë e kapitalizmit për t’i bërë të gjithë më të pasur, duke i bërë produktet shumë më të lira.

Që nga vitet 1980, numri i njerëzve në varfëri absolute ka rënë me rreth një miliard. Ai gjithashtu gaboi lidhur me kapacitetin e kapitalizmt për të reformuar veten duke krijuar shtete të mirëqenies që rishpërndarjnë pasurinë përmes taksimit.

Edhe pse ka shumë për të mësuar nga Marksi, zgjidhja e tij ishte shumë më e keqe se një sëmundje shfarosëse. Në të njëjtën kohë, nuk mund të thuhet se kapitalizmi i sotëm, i dominuar nga pabarazia e madhe dhe krizat financiare, ka triumfuar./Konica.al

Përshtati në shqip: G. Mimi

Burimi: The Economist