Presidenti Donald Trump e ka shënjestruar shpesh Organizatën Botërore të Tregtisë.
Kohët e fundit, thuhet se ai mendon vazhdimisht të ndërpresë përfshirjen e SHBA-së në këtë organizëm – pretendim të cilin Shtëpia e Bardhë e mohoi shpejt.
Çfarë saktësisht është OBT-ja, dhe a do të kishte rëndësi nëse SHBA-ja do e linte atë? Por çfarë tregon historia mbi këtë marrëdhënie?
Historia e OBT-së
Krijimi i OBT-së në Gjenevë në vitin 1995 ishte kulmi i një përpjekjeje 50-vjeçare të drejtuar nga qeveritë e njëpasnjëshme të SHBA-së për të krijuar dhe siguruar një regjim tregtar shumëpalësh të bazuar në rregulla.
Para Luftës së Dytë Botërore, fuqitë evropiane vendosën kufizime të ashpra tregtare kundër vendeve jashtë perandorive të tyre, gjë që dëmtoi ndjeshëm eksportuesit e SHBA-së. Kjo gjithashtu bëri që Japonia të shkonte në luftë për të ndërtuar një “Sferë Bashkëveprimi të Azisë Lindore” dhe që Gjermania naziste të sulmonte pjesën lindore, për të përvetësuar “territor të gjallë” – domethënë territore vasale – aty pranë.
Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë e vitit 1948, paraardhësi i OBT-së, u hartua për të shmangur përsëritjen e rënies së tregtisë në vitet 1930 që përkeqësoi edhe më tepër Depresionin e Madh, si dhe për të eliminuar hyrjen në treg si një arsye për të shkuar në luftë.
Një histori suksesi
Rezultati ka qenë tejet i suksesshëm. Eksportet e SHBA-së, si pjesë e prodhimit global, u rritën nga më pak se 5 për qind në vitin 1948, në mbi 30 për qind sot.
Në figurën më poshtë shfaqen prirjet në volumin global të eksportit të të mirave nga viti 1950 deri në vitin 2016 (në miliard dollarë)
Ky bashkëpunim u mundësoi vendeve rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme, gjithashtu solli paqe dhe prosperitet në Evropë dhe Japoni.
Anëtarët e OBT-së, që aktualisht numërohen të jenë 164, pajtohen me katër parime kryesore:
1. mosdiskriminimi, që do të thotë se të gjitha importet i nënshtrohen të njëjtës tarifë doganore, me disa përjashtime
2. reciprociteti, i cili balancon zbutjen e pengesave dhe lejon shpagim
3. transparenca
4. marrjen e vendimeve me konsensus.
Si funksionon
OBT lehtëson negociatat tregtare midis vendeve anëtare, për të hapur tregje dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet që dalin.
Raundet e njëpasnjëshme të negociatave kanë mundësuar ndërmarrjen e hapave të mëdhenj drejt liberalizimit të tregtisë, duke balancuar dhënien e lëshimeve me marrjen e përfitimeve.
Kur lindin mosmarrëveshje, si për shembull vendosja e tarifave të çelikut nga presidenti Trump, panelet e paanshme gjykojnë duke iu referuar rregullave të OBT-së dhe u japin mundësi vendeve të dëmtuara të sanksionojnë shkelësit. SHBA-ja renditet ndër përdoruesit më të shpeshtë dhe më të suksesshëm të kësaj procedure, e cila ka ndihmuar që tregjet të jenë të hapura për eksportuesit amerikanë.
Çfarë do të ndodhte nëse SHBA do të largohej?
Nëse Shtetet e Bashkuara do largoheshin nga OBT-ja, vendet e tjera mund të rrisnin lirshëm tarifa kundër saj. Dhe SHBA-ja do të humbiste mundësinë e mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, gjë që do ta bënte hakmarrjen të vetmen përgjigje të disponueshme.
Kjo do të rriste çmimet në mënyrë të pashmangshme dhe do të zvogëlonte mundësitë e zgjedhjes për konsumatorët e SHBA-së, duke ulur konkurrencën dhe përfitimin e kompanive që mbështeten në importe dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike. Shpërbërja e OBT-së gjithashtu do të rriste shanset e konfliktit të dhunshëm midis shteteve.