MENU
klinika

Ulje e nivelit të depresionit

Gjelbërimi i zonave urbane mund të përmirësojë shëndetin mendor

29.07.2018 - 16:25

Mund të keni vënë re se ndiheni më të qetë, madje edhe më të lumtur, kur jeni duke ecur nëpër një park të harlisur apo pyll. Kjo nuk është rastësi – koha e shpenzuar në natyrë lidhet me përfitimet e shumta të shëndetit mendor, duke përfshirë lehtësimin e stresit dhe një ndjenjë më të mirë mirëqenieje. Shkencëtarët e Stanfordit madje besojnë se një shëtitje 90 minutëshe në pyll mund të çojë në një rrezik më të ulët të depresionit.

Tani, një studim i ri tregon se “gjelbërimi” i zonave urbane të shkretuara mund të përmirësojë shëndetin mendor të banorëve të qytetit.

Hulumtimi, i botuar kohët e fundit në Rrjetin JAMA Open, është kryer në një grup komunash të Filadelfias, të gjitha të vendosura pranë një vendi bosh. Në fillim të studimit, këto pjesë ishin të mbushura me plehra dhe bar të paprerë.

Me ndihmën e programit LandCare të Shoqërisë së Hortikulturës të Pensilvanisë, hulumtuesit i dhanë disa prej këtyre zonave “një ndërhyrje gjelbëruese”, duke ngarkuar një ekip punëtorësh të pastronin mbeturinat, të mbillnin bar dhe pemë të reja dhe ta mirëmbanin çdo muaj. Dida pjesë të tjera kufizoheshin thjesht në pastrim plehrash. Dhe disa mbetën krejtësisht të paprekura.

Distribution of Study Vacant Lots Across Philadelphia, Pennsylvania

Para se të fillonte gjelbërimi apo pastrimi, ekipi hulumtues i mjekëve dhe ekspertëve të shëndetësisë intervistoi njerëz që jetonin pranë. Ata kërkuan për shenja të shëndetit të dobët mendor, duke i pyetur banorët se sa shpesh ndiheshin nervozë, depresivë, të shqetësuar, të pashpresë ose të pavlerë. Pastaj i kontrolluan ata pas “ndërhyrjeve” – ​​gjelbërimit, pastrimit të plehrave apo asnjërës prej tyre – për të parë nëse këto zona kishin ndonjë ndikim në mirëqenien e tyre.

Rezultoi që po. Ata që jetonin pranë vendeve të lira të “gjelbra” panë një rënie prej 41.5 për qind në ndjenjat e depresionit dhe një rënie prej 62.8 për qind (shifër e vetëraportuar) për shëndetin e dobët mendor, krahasuar me ata që jetonin pranë zonave që mbetën të pandryshuara.

“Ajo që na tregojnë këto të dhëna të reja është se ndryshimet strukturore, si shumëllojshmëria e gjelbërimit, kanë një ndikim pozitiv në shëndetin e atyre që jetojnë në këto lagje”, thotë Eugenia C. South, autore dhe asistent profesore në Universitetin e Pensilvanisë. “Dhe kjo mund të arrihet në një mënyrë të efektshme dhe të shkallëzuar jo vetëm në Filadelfia, por në qytete të tjera me të njëjtën mjedis të dëmshëm për shëndetin”.

Ndryshimi ishte veçanërisht dramatik në lagjet që jetojnë nën kufirin e varfërisë. Banorët në këto zona që panë një “ndërhyrje gjelbëruese” raportuan një rënie prej 68.7 për qind në ndjenjën e depresionit.

Por, çuditërisht, studiuesit gjetën pak ndryshim në shëndetin mendor të vetëraportuar te grupit ku ndërhyrja u kufizua në pastrimin e plehrave dhe atyre ku nuk pati asnjë ndërhyrje.

I njëjti ekip hulumtues ka studiuar më parë lidhjen midis krimit dhe hapësirave të gjelbra urbane, duke gjetur një rënie prej 29 për qind të dhunës me armë pranë vendeve të lira të trajtuara.

Studimi më tej pohon se pjesët e braktisura mund të shndërrohen në hapësira të gjelbërta për vetëm 1,597 dollarë, me një shtesë 180 dollarë në vit si tarifa mirëmbajtjeje. Kjo është arsyeja pse studiuesit shpresojnë që politikëbërësit do të shndërrojnë zbulimet në masa konkrete, duke gjelbëruar rreth 40,000 vende të shkretuara në Filadelfia dhe në qytete të tjera.

Burimi: World Economic Forum