Ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Anglisë, Lord Triesman, ka thënë se Anglia do te jetë mikpritëse e Kupës së Botës të vitit 2022, nëse zbulohet se Katari i ka shkelur rregullat e FIFA-s.
Kohëve të fundit është përfolur se Katarit do t’i mirret e drejta e organizimit të Kupës së Botës të vitit 2022. Në një artikull të “Sunday Times”, thuhet se ata i kishin punësuar një kompani amerikane të marrëdhënieve me publikun dhe ish-agjentë të CIA-së për të njollosur kampanjat e kundërshtarëve, një ndër të cilët ishte edhe Anglia.
“Nëse vërtetohet se Katari i ka shkelur rregullat e FIFA-s, atëherë ata nuk mund ta mbajnë Kupën e Botës. Do të ishte gabim nëse FIFA nuk do të rishqyrtonte aplikimin e Anglisë në këto kushte”, – ka thënë Triesman.
Katari është akuzuar edhe më parë për korrupsion, por u shpallën të pafajshëm pas një hetimi dy-vjeçar nga FIFA.