MENU
klinika

Diplomaci ballkanike

Kur presidentja kroate ngatërron Kosovën me Shqiperinë

19.07.2018 - 15:53

“Kemi qenë bashkë në një ushtri, përpara se të futeshim në NATO. Shumë shqiptarë sakrifikuan jetën e tyre për Kroacinë dhe më besoni kur them se Kroacia nuk harron. ”. Më shumë sesa një frazë emocionale e një presidenteje të mirëpritur me nderimet më të larta si reflektim i një marrëdhënie miqësore mes dy vendeve, mirënjohja e shprehur nga presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, është një politikë shtetërore. Në Kroaci në nderim të 2579 vullnetarëve shqiptarë, të cilët ishin me origjinë kryesisht nga Kosova, 12 nëntori është shpallur si Dita e Veteranëve Shqiptarë të Kroacisë. Në luftën për shkëputjen e Kroacisë nga Serbia kanë rënë heroikisht 89 shqiptarë të Kosovës, 37 të zhdukur dhe mbi 500 të plagosur.

Beteja më e përgjakshme kujtohet të jetë ajo për çlirimin e Vukovarit të rrethuar për 87 ditë nga Ushtria Popullore e Jugosllavisë e mbështetur nga forcat paramilitare serbe. Vukovari u mbrojt me rreth 1.800 ushtarë të armatosur lehtë të Gardës Kombëtare Kroate dhe vullnetarë civile shqiptarë të Kosovës, kundër 36.000 ushtarëve jugosllave dhe paramilitarëve serbë të pajisur me forca të blinduara rëndë dhe me artileri. Gjatë betejës, predhat dhe raketat u lëshuan mbi qytet për mbi 12.000 herë. Beteja e Vukovarit është cilësuar si një ndër beteja më të ashpra dhe më të zgjatura në kohë në Evropë, teksa Vukovari ishte i pari qytet i madh evropian shkatërruar tërësisht që nga Lufta e Dytë Botërore. Kur Vukovari u dorëzua në 18 nëntor 1991, qindra ushtarë dhe civilë u masakruan nga forcat serbe, dhe së paku 31.000 civilë u dëbuan nga qyteti dhe rrethinat e saj.

Kur kthen kokën pas dhe sheh një bilanc të tillë të përgjakur kupton sesi historia shenjon disa marrëdhënie, vlerësimi për kombin shqiptar qëndron, por kur flitet për dy shtete, si Kroacia dhe Shqipëria atëherë duket se mesazhi i presidentes kroate Grabar-Kitaroviç lë hapsira për keqkuptime të qëllimshme ose jo. Kroacia gëzon një marrëdhënie të mirë bashkëpunimi me Republikën e Kosovës. Si një ndër vendet e para që kanë njohur pavarësinë e shtetit të dytë me kombësi shqiptare në rajon, Kroacia dhe Kosova kanë nënshkruar një seri marrëveshjesh bashkëpunimi jo vetëm në planin kulturor dhe arsimor, por edhe në aspektin doganor dhe në atë të sigurisë. Thuajse të njëjtin nivel bashkëpunimi që Kroacia e ka ndërtuar më herët edhe me Republikën e Shqipërisë. Duke riskuar një qëndrim politikisht jokorrekt në cilësinë e saj si presidente e vendit, a ishtë ky falenderim për shqiptarët si komb i vetëm, por i ndarë zyrtarisht në dy shtete, me gjasë një mesazh indirekt për Serbinë?

Nëse po atëherë do të mjaftonte që Kroacia t’i kujtonte edhe njëherë Serbisë faktet e nxjerra në dritë pak kohë parë nga studiuesit kroatë se kur Mbretëria e Serbisë është pranuar si shtet pas Kongresit të Berlinit më 1878, njohja ndërkombëtare u referohej kufijve momentalë të Serbisë që shihen në hartën nga viti 1878, ku nuk ishin përfshirë as Kosova e Metohia. Po mos të ishte ndërhyrja e Britanisë, Francës e Rusisë më 1913, Kosova do të mbetej me Shqipërinë, në kohën kur ai vend u njoh diplomatikisht.