MENU
klinika

Flet trajneri i ri

Lopetegui “sfumon” Ronaldon: Real Madrid është më i madh

31.07.2018 - 13:02

Trajneri i ri i Real Madrid, Julen Lopetegui, ka dashur të largojë vëmendjen nga transferimi i Cristiano Ronaldos te Juventus.

Tekniku spanjoll u shfaq para mediave në konferencën e parë të tij për shtyp në turneun që Real Madridi po kryen në SHBA. Trajneri bask foli para ndeshjes, që të tijtë do ta luajnë të martën, kundër Manchester United.

Vlerësimi i punës: “Jam i kënaqur nga intensiteti dhe entuziazmi i deritanishëm, sepse nuk kemi pasur ndonjë pengesë lëndimi”.

Largimi i CR7 dhe roli i Bale: “Ronaldo është një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e Real Madridit, klubi e ka vlerësuar trashëgiminë e tij, por nuk e pengoi të largohej kësaj vere.

Jemi të bindur se Bale do të bëjë një sezon të madh dhe ne presim shumë prej tij. Po punon shumë, në mënyrë që të na japë versionin e tij më të mirë”.

Nevojë për një tjetër “9”: “Kur pranova drejtimin e Real Madridit nuk e dija se Cristiano do të largohej. Në kushtet e krijuara, për mua dhe për klubin është një sfidë emocionuese për të bërë një ekip konkurrues edhe pa Ronaldon”.

Përforcime të mundshme: “Ne kemi në përbërje lojtarë të jashtëzakonshëm, potenciale të shkëlqyera, si Ramos, Varane, Modric, Kovačić… Pra, jemi të kënaqur me skuadrën që kemi dhe të bindur se do të luftojmë për të gjithë objektivat e mundshëm.

Nuk mund të jetë ndryshe për një klub si Real Madridi. Ne duam të jemi një ekip i shkëlqyer në fushë. Pastaj, nëse një lojtar nuk do të vijë, ose largohet, unë do të jem një trajner i lumtur”.

Në ndjekje të suksesit të Zidane: “Historia e Real Madridit e udhëheq rrugën tonë. Të gjitha nivelet e klubit duhet të japin përditë e më shumë.

Si gjithmonë, ky ekip ka për detyrë vetëm të fitojë. Si trajner, po mundohem që të vazhdojmë të përmirësohemi. Historia e Real Madridit nuk lejon asgjë tjetër, përveç fitimit të trofeve, dhe kjo kushtëzon hapat që duhet të hedhim”.

Ndeshja kundër Manchester United: “Me rëndësi është përgatitja për sezonin e ri në të gjitha aspektet, të marrim ritmin e konkurrencës.

Ne do ta përgatisim dhe ta luajmë këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme. Në fakt, fokusi ynë parësor në këto momente është Superkupa, e cila është objektivi i parë i madh i sezonit të ri”.

Bale dhe Benzema: “Ata kanë punuar jashtëzakonisht. Me përkushtimin dhe entuziasmin që gjenerojnë në ekip, na bëjnë të mendojmë për suksese të mëdha. Me individualitete si ata do të përpiqemi të bëjmë një ekip të shkëlqyeshëm”.

Keylor Navas: “Kam biseduar me të dhe jemi të lumtur ta kemi në ekipin tonë. Keylor ka qenë një portier i madh te Real Madridi për disa sezone dhe ne duam që ai të qëndrojë në këtë lartësi”.

Pozicionet për t’u përforcuar: “Nuk do të flasim për hipoteza. Me grupin që kemi, do të jemi në gjendje të përballojmë kërkesat e Real Madridit”.

Cristiano Ronaldo: “Ne e njohim atë që ka bërë, por Real Madridi është mbi të gjitha histori. Ronaldo ka bërë historinë e tij fantastike në Madrid dhe i uroj atij të gjitha të mirat e kësaj bote.

Ne do të vazhdojmë rrugën tonë, me një sfidë shumë të bukur përpara, për ta rikonfirmuar Real Madridin pas largimit të një lojtari si ai”.

Bale vazhdon: “Ai është i lumtur për të qëndruar te Real Madridi dhe ka një shans të madh për të treguar se çfarë lojtari është”.

Vinicius: “Është një djalë shumë i ri dhe shumë i mirë për moshën e tij. Vjen nga një futboll tjetër, por po mundohemi ta ndihmojmë të adaptohet te Real Madrid.

Futbolli europian, që ka një licencë të vetën, kërkon që lojtarë të tillë të punojnë fort, në baza ditore”.