MENU
klinika

Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë

Njihuni me një ndër kishat më të mëdha të Myzeqesë

31.07.2018 - 16:42

Ajo është një nga kishat monumentale më të bukura dhe më e mëdhja e rajonit të Myzeqesë. Mbishkrimet e saj tregojnë se ndërtimi mund të datojë të paktën në vitin 1782 nga kryemjeshtri Gega, emri i të cilit është gdhendur në muret e saj. Bëhet fjalë për Kishën e Shën Gjergjit në Libofsh të Fierit, në përbërje të së cilës janë salla prej 3 nefshe, pagëzimore, dy portikë si dhe kulla e kambanores mbi të cilën ndodheshin piktura murale e Shën Gjergjit dhe ora e madhe e qytetit. Kjo faltore u ndërtua mbi rrënojat e një kishe më të vjetër të quajtur “Burimi Jetëdhënës”, e cila ka ekzistuar shumë kohë më parë.

Kisha e ndërtuar me gurë shtufi dhe mermerë të sjella nga Apollonia mban gjithësej dy mbishkrime: I pari gjendej në pjesën e jashtme të ndërtesës dhe tregon se në vitin 1782 kishën e kishte ndërtuar qysh nga fillimi kryemjeshtri Gega ndërsa mbishkrimi i dytë është i vendosur në një pllakë mbi derën jugore të kishës, ku ndodhet i skalitur emri i mjeshtrit të dytë, që kishte punuar për ndërtimin e kishës, i cili quhej ELAMEN. Afresket e Kishës së Shën Gjergjit ishin pikturuar nga dora e artistit nga Grabova, Joan Çertiri. Edhe pse konstruksioni i kishës ishte aq i fortë sa i mbijetoi kohës duke u shërbyer besimtarëve për 185 vite, nuk arriti t’i mbijetonte shkatërrimit të dorës ateiste të njeriut. Në 23 prill të vitit 1967 kisha u shkatërrua si shumë objekte kulti të tjera nga frymë ateiste e regjimit komunist. Nga kjo kishë mbetën vetëm disa relike nga ikonostasi i saj i famshëm që ndodhët në Muzeun Historik të Fierit.

Kisha u riaktivizua pjesërisht në vitin 1997, por liturgjia e parë u krye vetëm 10 vetë më pas. Në 22 prill të vitit 2007, kryepeshkopi Anastas drejtoi meshën bashkë më Mitropolitin e Beratit, Hirësinë e tij Ignatin dhe me mjaft priftërinj dhe dhjakonë të tjerë. Mesha ishte më tepër një mesazh simbolik që duhej të jepej afro 40 vjet pas shembjes së dhunshme të këtij objekti kulti, por që nevoja për restaurim do të priste edhe një dekadë tjetër.

Falë mbështetjes financiare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë do t’i nënshtrohet një projekti rehabilitues që ka për qëllim t’i rikthej objektit të kultit shkëlqimin e dikurshëm, për ta shtuar më pas në itenerarin e ri të “Rrugëve të Besimit”, si pjesë e atraksionit turistik që ofron qyteti i Fierit. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare parashikon restuarimin e plotë të afreskeve me qëllim rijetëzimin e plotë të vlerave të këtij momumenti kulture të kategorisë së parë.

Media spanjolle “La Vanguardia”

Zbuloni Beratin, qytetin përrallor në Shqipëri

Shisnin doza me dr*ga të forta në Vlorë e në Fier

Çmontohet grupi kriminal! 12 në pranga, 2 në kërkim

Donte të vriste prindërit e tij të moshuar

Emri/ Arrestohet 42-vjeçari në Fier

Mjeku: Të hiqet fostoksina, nuk ka kundërhelm

Depresioni vret në Fier! Pesë vetëvrasje në dy javë