MENU
klinika

Nënkampionia e botës

Not, thyhet rekordi 100 metrave për femra në stilin e shpinës

30.07.2018 - 14:48

Notarja amerikane Kathleen Baker ka lënë gjurmën e saj në Kampionatin Amerikan të Notit, duke vendosur rekord të ri botëror në garën e 100 metrave shpinë.

21-vjeçarja realizoi kohën 58” 00, duke përmirësuar me 10 të mijëtat kohën e mëparshme (58” 10), që ishte vendosur një vit më parë në Botërorin e Hungarisë nga kanadezja Kylie Masse.

Që në 50 metrat e para të garës u pa qartë që Baker po notonte më shpejt, duke dhënë një kohë të mirë, ritëm të cilin e ruajti deri në fund, duke vendosur rekord botëror.

Në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ajo fitoi medaljen e artë në stafetën 4×100 metra miks, rezultat që e përsëriti edhe vjet në Botërorin e Budapestit, ndërsa në këtë disiplinë (100 metra shpinë) është fituese e medaljes së argjendit si në Olimpiadë ashtu dhe Botëror.