Kur herë pas here shkruaj për figura të shquara të Shkodrës, i bëj vetes një pyejte: Mos ndoshta Shkodra kaq e pati? Mos ndoshta kaq ishte cilki i një qyteti të lashtë? Mos ndoshta…, por nuk vazhdoj më tej, pasi nuk dua, jo pse i druhem përgjigjes, por sepse nuk di nëse pyetjet janë me vend. Prandaj, kësisoj pyetjesh, duhet të shtrohen me një parantezë hyrëse, të cilën po provoj ta bëj ngadalë e ngadalë.
Dikur, jashtë, arsimoheshin ata që shkëlqenin ndër shkollat shqipe. Fjala vjen dom Ndre Mjeda e të tjera figura të cilat tani, po t’i radhis, do të më duhen faqe të tëra. Kur shkonin jashtë, kishin një synim të cilin e arrinin dhe pastaj ktheheshin në atdhe dhe jepnin kontributin e tyre.
Sot, jashtë, arsimohen kryesisht fëmijët e pasanikëve dhe, për fat të keq, jo gjithnjë ata kanë çfarë marrin ndër shkolla e japin në atdhe. Ata arsimohen sepse ashtu do babai, sepse ashtu ia kërkon nëna apo sepse arsimimin ia siguron daja. Dhe kaq: Kjo është e gjitha!
Dikur poezia ishte shfaqje e vlerave njerëzore e subjektive në dobi të lexuesve dhe të një shpjegimi të qartë të realitetit njerëzor. Fjala bie, “Lahuta e Malcis” e Atë Gjergj Fishtës apo “O moj Shqypni” e Pashko Vasës e sa e sa poezi të tjera të cilat nuk kam përse t’i citoj. Ndërsa të botuarit e tyre ishte një mision fisnik, një nder që shtëpitë botuese kishin pasi e dinin se me atë çfarë botonin, ndihmonin popullin.
Sot poezia është shfaqje e asaj çfarë mendon se po vlon brenda teje. Një thjeshtësi e pazakontë e ka mbuluar poezinë e cila, herë pas here, nxjerr jashtë kokën e sakatosur nga thimcat e injorantëve poetë që nuk njohin as gjuhën, as dialektet, as ndonjë gjë tjetër. Sa për shtëpitë botuese, janë kthyer në biznese, në tezga që nuk shesin patëllxhana e kastraveca, por fletë e kopertina!
Dikur, Shkodra, drejtohej nga njerëz që e donin qytetin. Nga njerëz që e dinin se ajo çfarë po bënin kërkonte dashuri, pasion dhe energji pozitive e cila, për fat të mirë, nuk u mungonte. Po të fillonte të mungonte, me dëshirë largoheshin dhe pozicionin e tyre ia besonin dikujt që e dinin se është më “i freskët” se ai.
Sot, Shkodra, drejtohet nga njerëz që të fshehur nën petkun e viktimizimit se gjithçka mungon e se askush nuk i ndihmon, nuk i bëjnë asnjë të mirë këtij qyteti. Drejtohet nga njerëz që para punëtorit që do të shtrojë rrugën, gjejnë fotografin që do të fotografojë “procesin”.
Dikur, futbolli, ishte pasion dhe të ishe futbollist i zoti do të thoshte të kishe krijuar një bazament vlerash me të cilat do të mburrej çdo shkodranë dhe me të cilat do të shkoje të konkuroje për të fituar edhe kampionate.
Sot, futbolli, nuk është pasion. Nuk është as punë. Nuk është as dëshirë. Ose më mirë, është të gjitha këto, por futbollistët tanë nuk dinë t’i pranojnë e t’i përvetësojnë duke i vënë në të mirë të asaj çfarë bëjnë, sigurisht për faj edhe të drejtuesve kryeneçë.
Sot, Shkodra, me sa duket, po prodhon shkodranë, ama shkodranë që kanë rrëshqitur në Shkodër ose prej faqeve të maleve të thepisur, ose i ka sjellë lumi, deti a liqeni ndër kosha xunkthi prej fushave buzë të cilave kalon dhe ndryshe nga paraardhësit e tyre, qëndrojnë përjetësisht të lidhur me mentalitetin e andejtë sa nuk përshtaten dot me një jetë që mund të jetë e virtytshme!