MENU
klinika

Basketboll Meshkuj

Risia, dy skuadra shqiptare në Ligën Ballkanike

27.07.2018 - 17:40

Basketbolli në Shqipëri po bën hapa përpara, të paktën sa u përket klubeve. Këtë sezon, në Ligën Ballkanike të Basketbollit, Shqipëria do të përfaqësohet nga dy ekipe: me djemtë e Tiranës kampione dhe Teutën.

Kjo e fundit do të marrë pjesë për herë të parë në këtë kompeticion. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të skuadrës durrsake, në të cilin shkruhet:

“Teuta, pas sezonit të suksesshëm që sapo u mbyll, do t’i bashkohet Ligës Ballkanike! Kemi bërë një rrugëtim të gjatë e të lodhshëm këto 4 vitet e fundit, që më në fund na u shpërblye me fitoren e Superkupës dhe pjesëmarrjen në këtë ligë ndërkombëtare.

Falënderojmë lojtarët e ekipit, stafin e trajnerëve, bordin e menaxhimit dhe veçanërisht Bashkinë e Durrësit për mbështetjen. Një falënderim i veçantë i shkon edhe tifozërisë durrsake, që na ka qëndruar pranë në këtë rrugëtim! Para Teuta!”

Djemtë e Boban Niniç patën një sezon të mrekullueshëm, ku ishin shumë pranë fitores të titullit kampion, por u mundën në finalen e madhe nga Tirana, me rezultatin 2-3.

Me konfirmimin e dy skuadrave shqiptare, shkon në gjashtë numri i ekipeve pjesëmarrëse në Ligën e Ballkanit, ku do të jenë edhe dy ekipe nga Bullgaria dhe dy nga Maqedonia.