MENU
klinika

TIRAN(ia)

TIRAN(ia) e Kullave

26.07.2018 - 12:33

Nga Igli Tola

Tirana është kryeqytet i shqiptarëve që prej 11 shkurtit të vitit 1920 dhe për të krijuar një ide më të qartë për ‘fillesat’ e qytetit na ndihmon historiani I njohur, Porf. Kristo Frashëri.

Profesori i ndjerë duke risjellë në kujtesë kontaktin e tij të parë me qytetin në vitin e largët 1927 shprehej: “Tirana ka qenë një qytet i qetë, qytet i dashur me njerëzit që e vizitonin, qytet i thjeshtë, qytet me një sistem urbanistik të krijuar nga shekujt”. Pikërisht te ky sistem urbanistik ai merrte spunto për të elaboruar origjinën e qytetit.

Sipas tij Tirana nuk është nga ato qytete që krijohen nga pozitat strategjike, apo nga ato qytete që krijohen nga pozita e trafikut, ekonomike. Tirana nuk është si gjithë ato qytete që i kanë krijuar njerëz të shquar, Tirana është qytet që e krijoi treva ku është. Është një trevë shumë interesante. Tirana është kryqëzim rrugësh nga Dalmacia, nga Shkodra, Ulqini, Lezha, për të shkuar në Lindje, duhej kaluar njëherë nga Tirana, Qafë-Krrabë dhe në Elbasan, rrugën “Egnatia” e shkonin drejt e në Manastir, Selanik, Stamboll e më tutje.
Që prej atyre viteve Tirana mund të ketë ruajtur shumëçka nga pikëpamja emotivo-emocionale apo humane, por ka humbur shumë dhe rrezikon të humbas akoma më tepër nga tiparet dalluese arkitektonike dhe urbanistike. Janë pikërisht veprat arkitektonke dhe sistemet urbanistike që shënjojnë identitetin e një qyteti dhe nqs këto ‘simbole’ të qytetit bien njëra pas tjetrës, kryeqyteti dhe ne bashkë me të rrezikojmë të humbasim këtë identitetin.

Ishte Ahmet Zogolli, i mëvonshmi mbreti Zog I, që përmes arkitektëve italianë të “Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë” ndërmorri iniciativën për të larguar ‘shpirtin e keq’ oriental të qytetit dhe për t’i dhënë atij një imazh të evropianizuar. Shumë pak nga karakteri i saj i mëparshëm i ka mbetur Tiranës, ndërsa bombardimet, marrëzia antifetare dhe deri te aventurat e kryebashkiakëve që pasonin njëri-tjetrin pas ’90, i asgjësuan ato pothuajse krejtësisht. Vetëm 6-7 monumente të qytetit sot japin një ide si ka qenë qyteti në vitet 1920-1930 dhe këto monumente të mbetura janë rreth sheshit qëndror, Skënderbej.

Po si është e mundur kjo ‘rrudhosje’ e gjurmëve të historisë sëTiranës?

kolana e librave

Tirana ka një veçanti, ajo nuk njeh kufij mes masës dhe përmasës. Në Tiranë çdo përmasë duhet të rritet pa masë, deri në pikën kur përmasa fizike e asaj që rritet, të jetë e barabartë me masën ideale, e cila e ndihmon njeriun që pas shumë përpjekjeve dhe parave të arrijë përmasën reale të pronës që ai ka imagjinuar, duke ndërtuar pa masë në përmasën e përbashkët.

Si një qytet relativisht i ri që nuk ka kohë të durojë derisa debati i dëmshëm, mes masës dhe përmasës të ezaurohet, Tirana ka vendosur ta kthejë shëmtinë në ekonomi dhe nëse ky vendim, ka shërbyer për ta bërë qytetin një kryeqytet (metropol) të madh, atëherë ai ka qenë një vendim i drejtë që shumë kryeqytete të tjera të botës nuk patën guxim ta merrnin, duke menduar se përmasa e tyre është estetika dhe masa e tyre është ekonomia. Në Tiranën tonë, ekonomia bazohet në të ndërtuarin pa pikë estetike, ndërsa estetika është një dukuri e padobishme që përpiqet më kot të përcaktojë raportin e njeriut me natyrën dhe historinë.

Ne banorët e saj udhëhiqemi pa kushte nga dy mani: njëra është nevoja për të pirë sa më shumë kafe në një ditë me pretekstin se jemi shumë të ngarkuar me punë dhe stres dhe tjetra është nevoja për të ndërtuar sa më shumë pallate. Kjo e dyta nën bekimin dhe sponsorizimin e pushteteve dhe malavitës ka marrë përmasat e një obsesioni. Duket se jemi bërë aq të varur (addicted to) nga betonizmi saqë tashmë po përdorim ‘mbidozë’ për të përfituar të njëjtin efekt, kalimi nga pallatet te kullat.

Kështu për dreq, pasojat e betonizmit kanë marrë përmasa çnjerëzore. Nuk ka pjesë në trupin e Tiranës ku nuk është ‘injektuar’ beton, ndaj Tirana në kushtet e ‘narkomanit terminal’ në grahmat e fundit tenton të sakrifikojë gjithçka për të provuar qoftë edhe për herë të funidt kënaqësinë haluçinante të ‘betonit-kullave’.

Të parat hapësira që u sakrifikuan ishin ish-Kinema Agimi, disa copëza të Parkut të Liqenit, stadiumi “Qemal Stafa”, parku te “7 xhuxhat” dhe tashmë po i vjen rradha “Teatrit Kombëtar”. Pas Teatrit kullat do të mësyjnë bllokun e ministrive dhe në fund do të zihet ‘shah-mat’ busti i Skenderbeut. Kjo do të jetë lëvizja finale që do të sjelli mbarimin e lojës dhe nënshtrimin total ndaj ‘betonit-kullave’. Që prej asaj dite, Tirana do të rreshti së ekzistuari de-facto si qytet, pasi do të jetë thjeshtë një grumbull godinash dhe asgjë më tepër…