MENU

Debati për Teatrin e ri

“Vendimi për Teatrin ishte zhgënjim”, Meta ‘zbutet’ me Veliajt: S’kam koment!

30.07.2018 - 14:53

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ishte i pranishëm në Festën e Shën Marenës ditën e sotme.

Nga Pusteci kreu i shtetit, komentoi edhe mos dekretimin nga ana e tij të ligjit për shembjen e Teatrit, duke e kaluar atë në Kuvend.

Pas komentit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj se në shtator projektligji do të miratohet sërish nga Parlamenti, është përgjigjur Meta.

“Vendimi i Metës ishte një zhgënjim. “Do të presim me durim këto 40 ditë, teksa Parlamenti të mblidhet sërish për të kaluar Teatrin e ri. Por, gjithmonë pyetja që i bëj vetes është: këta që kundërshtojnë çdo gjë, a nuk ishin po këtu që thoshin mos ma prek liqenin, mos ma prek parkun?,” tha më herët Veliaj.

Ndërsa kreu i shtetit nuk ka preferuar ta komentojë përgjigjen e kreut të Bashkisë.

“Nuk kam asnjë koment për reagimin e Veliajt,” tha Meta.

Ai gjithashtu foli edhe për ngërçin me Shkollën e Magjistraturës

“Nxitja e konfliktit nuk i shërben reformës në drejtësi. Duhet reformë që të bazohet tek pavarësia e institucioneve,” u shpreh Presidenti.

Fillimisht Kreu i Shtetit vendosi një buqetë me lule te busti i Sterjo Spasses në fshatin Gollomboç të Bashkisë së Pustecit, duke nderuar kujtimin dhe veprën e shkrimtarit të njohur.

Presidenti Meta u prit në fshatin Gollomboç nga autoritetet vendore dhe dhjetëra banorë të zonës, të cilët e falënderuan për vëmendjen e veçantë që i kushton kësaj zone si dhe pakicës kombëtare maqedonase të saj.