MENU
klinika

Optika e David Rikardos

Duhet të shqetësohemi për deficitin tregtar?

26.08.2018 - 11:00

Të blesh më shumë nga pjesa tjetër e botës sesa t’i shesësh asaj – është kjo çështja?

Është një shqetësim për disa vende, por më së shumti për ekonomitë e përparuara, si ajo e SHBA-së dhe Britanisë, të cilat kanë disa nga deficitet më të mëdha tregtare. Tregtia lidhet me çindustrializimin. Pra, kjo është një sfidë me të cilën ekonomitë e tjera do të përballen gjatë zhvillimit të tyre.

Por, për Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në, tani është një çështje e me rëndësi parësore, dhe mësimet që mund të nxirren prej tyre mund të vlejnë edhe për vendet e tjera: Shqipërinë, në rastin tonë.


Çfarë tregon një deficit i lartë tregtar për shëndetin e ekonomisë?

Ky është një problem që gëlon prej një kohe të gjatë, por ka ardhur në qendër të vëmendjes, pasi deficiti i llogarisë korrente* të Britanisë – që është edhe matësi më i përdorur, duke qenë se përfshin flukset e tregtisë dhe investimeve – u rrit në nivele rekord pas krizës financiare të vitit 2008.

Nuk ka dyshim që Mbretëria e Bashkuar shqetësohet në lidhje me këtë deficit tregtar. Banka e Anglisë ka paralajmëruar për pasojat në rast se të huajt ndalojnë së investuari në Mbretërinë e Bashkuar pasi ajo të lërë BE-në, gjë që do ta bënte më të vështirë financimin e deficitit të llogarisë korrente.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë një deficit tregtar të madh, por gëzojnë privilegjin që dollari amerikan është monedha rezervë botërore**. Kjo do të thotë që të huajt japin më lehtë para në Amerikë për të financuar deficitin e saj. Por pozicioni i dollarit është vënë në pikëpyetje nga rritja e monedhave tjera, të tilla si renminbi kinez (RMB).

Thelbi i çështjes është ky: a ka rëndësi nëse SHBA-ja apo Britania ka një deficit tregtar të madh? Kjo është diçka që ndodh prej dekadash të tëra. Tensionet gjeopolitike mund të jenë më të larta, por a ka ndryshuar shumë qëndrueshmëria ekonomike e deficitit?

Çështja e tregtisë ka nxitur shumë analiza gjatë shekujve, veçanërisht për Mbretërinë e Bashkuar. Tregtia ndërkombëtare ka qenë një nga temat e para të trajtuara nga ekonomistët në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë. Refuzimi i ligjeve mbrojtëse ndaj misrit në favor të hapjes ndaj ekonomisë botërore shënoi fillimin e një epoke globalizimi, që kontribuoi në përparimin e Britanisë.

Pikërisht në këtë periudhë u shkrua vepra më ndikuese në tregtinë ndërkombëtare nga David Rikardo. Në Parimet e Ekonomisë Politike dhe Tatimeve ai konsiderohet si një nga mjeshtrit e shkollës klasike të ekonomisë.

Pra, çfarë do të bënte Rikardo ndaj deficiteve të vazhdueshme tregtare që përjetohen nga Britania e Madhe, si dhe nga vende të tjera të çindustrializuara, si p.sh. Shtetet e Bashkuara?

Teoria e avantazhit krahasues të Rikardos, sipas të cilës vendet fitojnë nga tregtia, edhe nëse ato janë më pak efikase në të gjithë prodhimin sesa partnerët e tyre tregtarë, ka transformuar mendimin rreth tregtisë ndërkombëtare dhe tregon përse ka përfitime të rëndësishme nga globalizimi. Por, për të kuptuar kontekstin e teorisë ekonomike të Rikardos, duhet të hedhim një vështrim edhe në jetën e tij.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

***

Nuk ka dyshim se teoritë e David Rikardos kishin shumë ndikim në kohën e tij, ashtu siç kanë edhe tani. Por barrierat tregtare filluan të bien në vitet 1830. Në 1843, u themelua nga James Wilson revista javore “The Economist”, e cila mbështeti shfaqjen e tregtisë së lirë. Pasi ligjet e misrit u shfuqizuan në 1846 dhe Britania u bë një fuqi industriale, shumë shpejt e ndoqi edhe pjesa tjetër e botës.

Kur Shtetet e Bashkuara u themeluan në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë, tarifat doganore përfaqësonin gati 100 për qind të të ardhurave të qeverisë së re. Në vitin 1910 ranë në 50 për qind dhe që atëherë zënë më pak se 2 për qind të buxhetit të qeverisë.

Por, edhe pse pengesat tregtare vazhdojnë në sektorin e shërbimeve dhe bujqësisë, agjenda e liberalizimit të Organizatës Botërore të Tregtisë është ngadalësuar në shekullin e njëzet e një.

Pra, në një regjim të papërsosur tregtie globale, avantazhi krahasues i Amerikës dhe Britanisë nuk ka qenë në gjendje të nxjerrë në pah të gjitha përfitimet e supozuara nga Ricardo. Ai do të shqetësohej gjithashtu nga mungesa e një loje të barabartë në tregtinë ndërkombëtare. Ricardo do ta kishte nxitur më shumë hapjen e tregjeve globale, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, që është relativisht i izoluar.

Liberalizimi i tregtisë së shërbimeve do të ndihmonte paralelisht pozicionin tregtar të Amerikës e të Mbretërisë së Bashkuar dhe ekonominë globale, pasi mbi 70 për qind e PBB-së botërore përbëhet nga shërbimet.

Me hapjen më të madhe të tregtisë dhe investimeve në sektorin e shërbimeve, deficiti i Britanisë mund të përmirësohet nëse ky sektor dominues fiton popullaritet më të madh në tregjet botërore. Ndërkohë, Ricardo nuk do të kishte qenë tepër i shqetësuar për Britaninë që blen më shumë nga pjesa tjetër e botës sesa shet. Ai do të kishte parë deficitin tregtar të Britanisë si simptomë të strukturës së ekonomisë.

Specifikisht, Britania e Madhe është e specializuar në shërbime, të cilat, ndryshe nga mallrat e prodhuara, janë pjesërisht jo të tregtueshme. Pra, Britania importon mallra që kontribuojnë në deficitin tregtar, ndërsa atë që prodhon e konsumon pjesërisht në “shtëpi”. Në çdo rast, Rikardo do ta kishte shtyrë Mbretërinë e Bashkuar që të ruante hapjen që ka pasur që prej shfuqizimit të ligjeve të misrit.

Së fundi, sikur Ricardo të kishte mundësi ta zgjeronte modelit të tij tregtar, duke pasur parasysh njohjen e konfliktit të klasave, ai do të kishte pranuar marrjen e masave për rishpërndarjen e fitimeve te ata që janë më të dëmtuar nga ky ristrukturim ekonomie sesa te “qiradhënësit e pasur”. Kjo gjë do të ndihmonte ata që mbeten mbrapa kur një ekonomi fillon të specializohet në disa sektorë më shumë se në disa të tjerë.

Shpjegim termash

*Llogaria korrente është pjesë e Bilancit të Pagesave, e cila regjistron tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe pagesat e transferueshme (remitancat)

**Rezervë zyrtare është një sasi e madhe valute e mbajtur nga bankat qendrore dhe institucionet e tjera financiare të mëdha për t’u përgatitur për investime, transaksione dhe detyrime të borxhit ndërkombëtar, ose për të ndikuar në kursin e këmbimit të tyre në vend.

Përgatiti: M.G

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN