Menu

Operacionet i kalojnë kompanisë së re

Turkish, rokadë me Air Albania

24.08.2018

Ngritja e një kompanie ajrore shqiptare është projekt që po promovohet prej afro një viti nga qeveria. Air Albania do të nisë së shpejti fluturimet, ndërsa publiku shpreson që kompania të sjellë çmime më të ulëta të biletave.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Fillimisht, Air Albania do të zëvendësojë fluturimet e Turkish Airlines. Kompania turke, që do të jetë aksionere pakice me 49% të aksioneve, ka vendosur të tërhiqet nga Shqipëria dhe linjat e operuara prej saj do t’i kalojnë Air Albania. Madje, edhe stafi i Turkish Airlines në Shqipëri do të transferohet i gjithi në kompaninë e re. Aktualisht, Turkish kryen dy fluturime në javë me Stambollin, të cilat do të operohen më tej nga Air Albania.

Shumica e aksioneve të Air Albania do të zotërohen nga Sinan Idirizi, sipërmarrës vlonjat i njohur për lidhje biznesi me Turqinë. Qeveria shqiptare do të mbajë një pakicë aksionesh përmes agjencisë së kontrollit të trafikut ajror Albcontrol. Pas dështimit të Albanian Airlines, Air Albania kërkon të risjellë një brand shqiptar në tregun e fluturimeve në Shqipëri, përmes parnteritetit publik privat, mekanizëm që po ndiqet gjithnjë e më shumë nga qeveria Rama.

 

Sfida për kompaninë e re është ofrimi i çmimeve më konkurruese të biletave. Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku nuk ka kompani të mirëfillta low cost.

Kjo ndodh kryesisht për shkak të kostove të larta të shërbimeve aeroportuale, duke përfshirë edhe furnizimin me karburant. Aksioneri shqiptar i kompanisë, Sinan Idrizi, ka deklaruar se Air Albania synon të krijojë një shoqëri të vetën për furnizim me karburant në aeroportin e Tiranës, me qëllim uljen e kostove.

Shërbimi i furnizimit me karburant të avionëve aktualisht ofrohet vetëm nga Air BP Albania dhe çmimet janë mjaft të larta, çka dëshmohet nga marzhet shumë të larta të fitimit të këtij operatori, që në vitet e fundit kanë arritur në kufijtë e 40%.

Që prej vitit 2015, në teori, AIR BP Albania është e detyruar t’iu japë akses edhe palëve të tjera të interesuara për të ofruar shërbimin e furnizimit me karburant në aeroportin e Rinasit, përfshi këtu edhe përdorimin e infrastrukturës së saj. Megjithatë, deri tani kompania Tirana International Airport nuk ka lidhur kontrata me ofrues të tjerë të shërbimit të furnizimit me karburant. Air Albania synon të thyejë edhe këtë tabu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN