MENU
klinika

Jeta private e themeluesit të “Apple”

Ana e “errët” e Steve Jobs

31.08.2018 - 09:44

E bija, Liza, diku në libër shprehet “Suksesi e ktheu në një demon”. Ja se si ishte bashkëthemeluesi i “Apple” në jetën private

Iu deshën shtatë vjet, por më në fund Liza Brennan-Jobs gjeti guximin të flasë për Steve Jobs-in, bashkëthemeluesin e gjigandit “Apple” dhe veçanërisht babain e saj: një njeri, i cili, siç lexojmë në pjesëzat e librit që pritet të dalë në shtator (“Small Fry”- “Shqetësime të vogla”) shkruar nga vetë Liza, ishte krejt ndryshe krahasuar me drejtuesin e shkëlqyer dhe këmbëngulës (joshës) që shfaqej në publik. Aspak empatik, shpesh agresiv dhe kritik sidomos me të, ardhur në jetë nga një marrëdhënie me ish-partneren e Jobs-it, Chrisann Brennan në vitin 1978, kur ai nuk ishte më shumë se 23 vjeç.

Atë ditë ai nuk e përqafoi dhe nuk u mallëngjye, por u mjaftua me: “Ajo nuk është vajza ime”, pavarësisht ngjashmërive të mëdha.

Edhe pas njohjes së atësisë, marrëdhënia me të bijën mbeti e tensionuar. Tani Lisa Brennan-Jobs flet për sikletin që shfaqte Jobs ndaj saj, për atë njeri tashmë të pasur dhe të famshëm, i aftë të ndërtonte një perandori, por jo një familje të vërtetë.

“Po i prishja imazhin, – tregon vajza, – historinë e ngjitjes së karrierës së tij spektakolare. Prania ime në botë nuk korrespondonte me historinë e madhështisë dhe virtytit që donte për vete”.

Qëndro i uritur, qëndro i pamend

Qëndro i uritur, qëndro i pamend. Fjalë të shndërruara në mantra për breza të tërë: për ata studentë të Stanfordit, para të cilëve Steve Jobs shqiptoi testamentin moral në fjalimin e tij historik më 12 qershor 2005. Por edhe për prindërit e tyre, burra e gra bashkëmoshatarë të bashkëthemeluesit të “Apple”, shpesh menaxher nga ana e tyre. Njëlloj paralajmërimi për të mbetur “i uritur dhe i çmendur”, për të mos humbur kërshërinë dhe dëshirën për ta bërë, gjithnjë me ambicie.


Ambicie Jobs kishte plot për të shitur, siç tregon edhe karriera e tij, gati verbuese, por që linte shumë për të dëshiruar në jetën private dhe, mbi të gjitha, në rolin e babait, të paktën sipas Lizës, vajzës tashmë 40-vjeçare që ka vendosur të tregojë anën e “errët” të një prej njerëzve më të admiruar (dhe të dashur) në botë, por edhe tejet të dyshimtë në marrëdhëniet familjare.

Sipërmarrësi më i admiruar

Në tetor të vitit 2010, kur sëmundja e kishte molisur (vdiq një vit më vonë, tetor 2011), Steve Jobs ishte ende sipërmarrësi më i admiruar nga të rinjtë amerikanë dhe një nga më të ndjekurit në botë. Drejtori i përgjithshëm i “Apple” kishte arritur në krye të klasifikimit me 23% të votave, duke kaluar shkrimtaren e mirënjohur J.K.Rowling, autoren e sagës së “Harry Potter”, mbretëreshën e televizionit Oprah Winfrey, reperin Jay-Z dhe krijuesin e Facebook-ut, Mark Zuckerberg.
Megjithatë, në familje nuk arrinte të gëzonte të njëjtën joshje. Ose më mirë, vajza Liza në librin që pritet të dalë në shtator tregon se e ka dashur gjithmonë, edhe pse ajo ndihej e refuzuar.

“Qelbesh si tualet”

“Kishte gjithmonë një mënyrë agresive në të folur, – rrëfen vajza. – Më thoshte se nuk kisha për të arritur kurrë gjë në jetë. Suksesi e kishte shndërruar në një demon”.
“Zëri i tij më bënte të vuaja” – shpjegon Liza, e cila kujton një seri episodesh, si për shembull kur ajo, pasi kishte hedhur një parfum tëndafili, që i pëlqente shumë, dëgjoi t’i thotë: “Qelbesh si tualet”, sepse atij nuk i pëlqente ajo esencë. Një anekdotë që i referohet periudhës në të cilën bashkëthemeluesi i “mollës” ishte tashmë i sëmurë dhe i detyruar të rrinte në shtrat, fizikisht i dobësuar, por kurrsesi sa i përket karakterit grindavec.
Apo atëherë kur pyeti të atin, nëse kompjuteri i kompanisë “Apple” pagëzuar me emrin “Liza” ishte emërtuar për nder të saj. Mirëpo, ai e shtangu, kur i tha: “Aspak, shtëpia ime: është një sigël që do jetë për Arkitekturën e Integruar të Sistemit Lokal”.

Një gjeni apo një demon?

“Koha në dispozicionin tuaj është e kufizuar, mos e shkoni dëm duke jetuar një jetë që është e mirë për të tjerët, por nuk ju përket juve. Mos lejoni që t’ju kushtëzojnë, mos lejoni që jehona e mendimeve të të mbulojë zërin që iu vlon në zemër. Por mbi të gjitha kini guximin të ndiqni atë çfarë ju dikton zemra, lëshojeni veten të udhëhiqeni nga intuita. Jini të uritur. Jini të çmendur”. Kështu, Steve Jobs në atë fjalim të përzemërt, ku fliste me zemër, ai që sipas vajzës së tij në shtëpi nuk e kishte diçka të tillë.

Fjalë, që shumica i konsideruan gjeniale, si ai, si ai djalë i lindur në Kaliforni, në Green Bay, më 24 shkurt 1955. Rritur me prindërit adoptues, vetëm 21 vjeç kishte themeluar “Apple” së bashku me Steve Wozniak.

Ishte 11 prilli i vitit 1976. Nëntë vjet më vonë, më 1985, atë e përzunë nga Bordi i Drejtuesve të shoqërisë, por nuk u dorëzua: themeloi “Next Computer” dhe bleu “Pixar”-in, duke prodhuar një tjetër produkt të suksesshëm si Toy Story.

Në vitin 1996 ndodhi revanshi i hakmarrjes: u thirr për të hedhur në qarkullim “krijesën” e tij, Apple, dhe ia doli mbanë, duke e bërë më pas një kolos falë iPhone-it, iPad-it dhe iPod-it. Një menaxher shumë i respektuar, që çdo kompani do të donte ta kishte pasur “shef”. Ç’e do se në familje shihej si një “demon”.

Edhe ish-partnerja e Jobsit, Chrisann Brennan, nëna e Lizës, tregonte se si e kishte transformuar suksesi dhe se si madje ai ishte bërë “mizor” kundrejt vajzës, subjekt i betejave të shumta ligjore.

“Turpërimi”

Sipas Lizës, ajo nuk ishte tjetër veçse një motiv turpërimi dhe sikleti, njëlloj njolle në karrierën e shndritur të atij ish të riu të shfrenuar. Steve Jobs luftoi shumë për ta njohur si vajzën e tij, pavarësisht se lindi gjatë një marrëdhënie pesëvjeçare me Chrisann Brennan dhe përfundoi pikërisht me shtatzëninë e gruas. “Derisa mbusha dy vjeç, nëna i përballoi e vetme të gjitha shpenzimet për jetesën time, duke punuar si kameriere apo duke pastruar shtëpitë e të tjerëve”, – tregon Liza në librin e saj.

“Babai im nuk e ndihmoi asnjëherë”, – vijon e bija për manjatin e mirënjohur dhe tregon se si rrezikonte të jepej për birësim, sepse nëna e kishte të pamundur ta përballonte rritjen e saj.
Në vitin 1980 gjykata vendosi që Jobs-i të paguante për ushqimin e vajzës, por ai nuk pranoi ta njohë si vajzën e tij, duke pretenduar se ishte steril.

Mirëpo testi i ADN-së provoi atësinë (me një saktësi 94.4%) dhe gjykatësi e detyroi t’i derdhte vajzës 385 dollarë në muaj. Katër ditë pas këtij vendimi u publikuan të dhënat lidhur me pasuritë e tij: mbi 200 milionë dollarë.

“Krijesa e vërtetë” e tij

Takimi i parë midis Steve Jobs dhe vajzës ndodhi kur ajo ishte 3 vjeç dhe qe surreal, siç rrëfen gruaja tashmë: “E di se kush jam?” – e pyeti ai. “Jam babai yt”, – shtoi. “Unë jam një nga njerëzit më të rëndësishëm që do njohësh në jetë”. Nuk gabohej, edhe pse Liza do ta kishte dashur më shumë si baba, dhe jo për pasurinë dhe ndikimin e tij.

Në vitin 2003, kur doli diagnoza e parë e kancerit për CEO-n e “Apple”-it, vdiq më 5 tetor 2011, u njoftua me një deklaratë të vakët nga kompania, nga e cila kishte dhënë dorëheqjen në gusht si CEO, duke ia lënë postin Tim Cook-ut.

Në letrën ku dha njoftimin, shkruante: “Unë besoj se ditët më të lavdishme dhe inovative të “Apple”-it nuk kanë ardhur ende. Po pres me padurim që t’i shoh dhe të kontribuoj në suksesin e saj në një rol të ri”. Tek “Apple” takova disa nga miqtë më të mirë të jetës sime dhe ju falënderoj për vitet e shumta gjatë të cilave munda të punoj së bashku me ju. Steve”. Kështu e përshëndeti Jobs “krijesën e vërtetë” të tij.