MENU

Nga vijnë, sa shpenzojnë

Anatomia e turistëve të huaj në Shqipëri

26.08.2018 - 09:00

Industria e turizmit luan rol thelbësor në ekonominë e vendit dhe është një nga hallkat kryesore të përparimit të tij. Kontributi i turizmit vërehet ne krijimin e vendeve të punës, gjenerimin e mundësive biznesore për identifikimin e nevojave dhe krijimin e aktiviteteve turistike, etj.
Në këtë shkrim do të bëjmë një pasqyrim të plotë të treguesve të turizmit në Shqipëri gjatë periudhës 2013-2017. Më konkretisht, lidhur me karakteristikat e hyrjeve të shtetasve të huaj sipas rajoneve, mënyrës së udhëtimit, gjatësisë së qëndrimit; shpenzimet e turistëve të huaj në raport me GDP-në, vlerën e shtuar dhe numrin e punonjësve të aktiviteteve që lidhen direkt me turizmin; kapacitetet akomoduese në Shqipëri, etj.

Karakteristika të turistëve të huaj në Shqipëri

Në periudhën 2013-2017, hyrjet e shtetasve të huaj që vijnë në Shqipëri ka
qenë afërsisht 21 milion persona. Në këtë hark kohor, hyrjet e shtetasve të
huaj kanë pasur tendencë rritje mesatarisht prej 12,0% në vit.
Hyrjet nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 92,4% dhe janë rritur mesatarisht me 12,3% gjatë periudhës 2013-2017. Në vitin 2017, hyrjet nga rajoni i Evropës janë rritur 4,5%, krahasuar me vitin e mëparshëm.
Shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri vijnë kryesisht nga: Kosova (34%), Maqedonia (13%), Greqia (10%), Mali i Zi dhe Italia (7% secili).

Cilat mënyra transporti janë më të përdorura?
Në periudhën 2013-2017, me rrugë ajrore kanë mbërritur afërsisht 2,1 milion shtetas të huaj, duke u rritur mesatarisht me 16,7%. Në vitin 2017, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri me rrugë ajrore është rritur me 26,5%,
krahasuar me vitin e mëparshëm. Shtetasit e huaj që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet linjave ajrore zënë mesatarisht 10% të hyrjeve gjithsej.

Cilat pika kufitare presin fluksin më të madh të turistëve të huaj?
Pikat kufitare që presin fluksin më të madh të shtetasve të huaj që vizitojne Shqipërinë janë: Morinë (40%), Muriqan (12%) dhe Rinasi (12%).

Cilat grupmosha preferojnë të udhëtojnë në Shqipëri?
Shqipëria është një atraksion turistik kryesisht për grupmoshën 25-44 vjeç referuar të dhënave të vitit 2017, për hyrjet e shtetasve
të huaj.

Pse udhëtojnë?
Në periudhën 2013-2017, hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime personale: (pushime, vizitë në të afërm, trajtim shëndetësor, qëllime fetare, etj.) zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj, mesatarisht 98,7%.
Numri i hyrjeve të shtetasve të huaj për qëllime personale në këtë
hark kohor është rritur mesatarisht me 12,1%. Ndërsa hyrjet për qëllime biznesi zënë 1,3% të hyrjeve gjithsej, duke u rritur mesatarisht 10,2%.

Sa shpenzojnë?
Në periudhën 2013-2017, shpenzimet e jo-rezidentëve në Shqipëri kanë qënë 1.044.839 milion lekë. Rritja mesatare e këtyre shpezimeve për këtë periudhë është rreth 8,5%. Shpenzime të kryera nga jo-rezididentët për qëllime personale zënë mestarisht 79,4% dhe për qëllime biznesi zënë 20,6% të shpenzimeve gjithsej.

Aktivitete të tjera turistike
Në periudhën 2013-2017, numri vizitorëve që kanë vizituar parqet arkeologjike, muzetë, kalatë dhe monumente të tjera, ka qenë afërsisht 2,4 milion persona me një rritje mesatare vjetore 19,5%. Në vitin 2017, numri vizitorëve që kanë vizituar parqet arkeologjike, muzetë, kalatë dhe
monumente të tjera është rritur me 20,6%, krahasuar me një vit më parë.

Në këtë hark kohor, numri i vizitoreve që kanë vizituar kala dhe monumete të tjerë, ka pasur rritje mesatare vjetore më të lartë me 51,5% i ndjekur nga numri i vizitorëve në parqet arkeologjike me 21,7%, dhe atyre ne muze 7,2%. Në vitin 2017, numri i vizitoreve në muze është rritur me 29,7%, i ndjekur nga numri i vizitorëve që kanë vizituar kala dhe monumente të tjera me 22,2% dhe vizitorëve në parqet arkeologjike me 13,3%.


Burimi: INSTAT

Përgatiti: M.G

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shtim lejesh për ndërtim hotelesh

Kapacitetet akomoduese turistike në Shqipëri