Menu

Legjenda e artit dhe pikturës

Andy Warhol, gjeniu që modeloi artin

10.08.2018

“Në të ardhmen, të gjithë do të jenë të famshëm për 15 minuta” – thoshte shpesh duke qeshur.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Andy Warhol një prej legjendave të artit të pikturës dhe themeluesve të Pop Artit i cili nuk i harroi kurrë ligjet e krijimit sipas të bukurës dhe idealit artistik, do të mbushte 90 vjeç vetëm pak ditë më parë, në 6 gusht.

Ky mit i konceptit dhe përvojës bashkëkohore, mesa duket i dinte të gjitha. Andaj sot, është ai që na mbledh për ta k

Çfarë është një artist? – e pyesnin shpesh.

Për Andyn, një artist ishte dikush që prodhon gjëra që njerëzve në fakt, nuk i hyjnë fare në punë. E megjithatë, është gjithmonë mirë t’u dhurosh diçka njerëzve.

Çuditërisht nuk donte të bëhej piktor. Dëshira e kahershme e tij ishte të bëhej balerin. Por jo një balerin dosido. Një balerin i Tip-Tap.

Sa herë gazetarët e pyesnin jepte gjithmonë përgjigje interesante. Përgjigje-këshilla nga të cilat në fund pyesje veten përsëri: “A duhet besuar ky njeri?”

Si mund të ishte aq i ditur? Si vallë orientohej nga disa të dhëna të hulumtimit të përhershëm që e karakterizonin nga njëra anë e realitetit (të jetës njerëzore), e nga ana tjetër të lidhjeve të pandara e të brendshme të mendimit estetik dhe praktikës artistike.

Andy nuk udhëtonte kurrë pa aparatin e tij fotografik. Kudo ku shkonte, aparati ish pjesë e pandarë. I pëlqente të vërtiste kureshtjen sikundër vërtiten sytë. Ngado!

Ai e dinte sekretin e jetës. Atë që ne vazhdojmë komplikojmë ndërsa është kaq e thjeshtë :

“Të kesh gjithmonë diçka për të parë është një arsye për t’u çuar në mëngjes.”

Thoshte se Pop-Arti , ishte një mënyrë për të dashur gjërat.

Ky artist i rrallë dinte dhe donte shumëçka.

Pa e vrarë mendjen për njerëzit.

Kur e pyesin një ditë: “Po njerëzit, çfarë mendojnë njerëzit për ty?” – përgjigjet:

“Shumë kritikë dhe shumë njerëz kanë menduar gjithmonë se isha ASGJË si person dhe ASGJË si artist. E kjo nuk ndihmon aspak në konceptin e ekzistencës. Por pastaj kuptova se vetë ekzistenca nuk është asgjë dhe u ndjeva mirë. Pse do thoni? Sepse jam i sigurt se njerëzit nëse do të shiheshin në pasqyrë nuk do të shihnin ASGJË.

Njerëzit thonë se janë pasqyrë.

Por nëse një pasqyrë shihet në pasqyrë, çfarë gjen?”

Reklamat ishin një tjetër pasion i tij i madh,m. Sidomos riprodhimi i Coca-Cola-s, për të cilën ai kishte një tjetër përgjigje kur e pyesnin “Përse?”.

“Sepse, më pëlqen shumë Amerika. Të blesh është më Amerikane se të mendosh.”

Në pothuaj gjithë punët e tij, specifikisht Marilyn Monroe, mund të shquajmë bërthamën e ndërgjegjes së vet të cilën ai e përshtat dhe rindërton duke aktivizuar mendimin dhe nevojën; që bashkë nuk bëjnë asgjë tjetër veçse realizojnë njohjen dhe drejtimin e duhur për një krijim të strukturuar estetik-artistik.

Thuajse tërë jetën e shkoi në hotel, sikundër shumë prej artistëve me famë Oscar Wilde, Gabrielle Bonheur (Coco Chanel), Ernest Hemingway apo Salvador Dali.

Ai zgjodhi “Hotel Chelsea” në New York. Muret e të cilit mbase duhet të fshehin gjithçka rreth dashurive të tij të mëdha apo seksit të shfrenuar me Steve Jobs.

I ardhur nga Pittsburgh, bir i dy prindërve sllovakë pasi përfundoi studimet në fund të viteve ’40 në “Carnegie Institute of Technology” talenti i tij spikati menjëherë në New York duke punuar për revistat prestigjoze Vogue dhe Glamour.

Uria për të zbuluar dhe eksperimentuar gjithçka që nga shtresat më të ulëta, të varfra deri tek ato mondane do të ishin rezultati i një hapësire të re kërkimi për artin e tij

“Arti duhet konsumuar”. Filozofi të cilën e zbatoi dhe në jetën e vet, nga Andy i ndrojtur tek ai snob e plot vese.

Megjithatë, dashuria më e madhe se ajo për pikturën, skulpturën apo regjisurën ishte ajo për të ëmën, Julian një grua bionde që e nxiti të birin të vizatonte që fëmijë duke i qëndruar gjithmonë pas.

Fjalët e fundit të saj ishin “Më premtoni që do kujdeseni për Andyn.”

Gjendja e rënduar shpirtërore pas humbjes e pengoi Andyn të merrte pjesë në varrim dhe as nuk u tregoi miqve për vdekjen e saj.

Një ndërhyrje kirurgjikale i mori jetën artistit në moshën 59-vjeçare, pak pasi kishte përfunduar veprën profetike “Last Supper”, frymëzuar nga “Darka e fundit” e Leonardo da Vinci-t. Ndërsa gjeniu i Pop Art la pas një perandori ekonomike dhe një trashëgimi të çmuar. Profetike edhe fjalët e tij: “Nëse doni të dini gjithçka për mua, duhet veç të shihni sipërfaqen e tablove të mia, të filmave të mi, e të vetes sime. Unë jam aty. Pas nuk ka asgjë.”

Nga Ilnisa Agolli