MENU
klinika

Reagimet

Breshëri plumbash drejt baneses së gazetares

30.08.2018 - 14:57

Banesa e babait të gazetares Klodiana Lala është sulmuar me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “Bruk” në Tiranë.

Sipas policisë në momentin e të shtënave me armë, gazetarja Klodiana Lala nuk ndodhej në banesë, por të pranishme ishin dy vajzat e saj.

Në muret e banesës së familjes së gazetares Klodiana Lala ka shenja të dukshme plumbash. Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk ka persona të lënduar.

Klodiana Lala është gazetare e kronikës së zëzë në televizionin News 24.

Njoftimi i policisë

Më datë 30.08.2018, rreth orëve të mëngjesit, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të pjesës së jashtme të banesës së shtetasit A. L., rreth 64 vjeç.

Nuk ka dëme në njerëz.

Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Reagon Rama: Të zbardhet ngjarja, jam me Klodianën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj sulmit mbi banesën e babait të gazetares Klodiana Lala.

“E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve.” shkruan Rama në një postim në Twitter.

Unioni i Gazetarëve: Terror ndaj reporterëve

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Unioni  ka dënuar sulmin me armë zjarri në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala. Në një deklaratë, thuhet se vetë gazetarja ka deklaruar se sulmi lidhet me detyrën e saj si gazetare.

Unioni i Gazetarëve i bën thirrje policisë së shtetit që të zbardhë ngjarjen dhe autorët të dalin para drejtësisë.

Deklarata e Unionit të Gazetarëve

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon me forcë sulmin e kryer në banesën e reporteres së njohur Klodiana Lala në mëngjesin e ditës së sotme.

Vetë gazetarja Klodjana Lala, i tha zyrës së shtypit të UGSH-së se sulmi është një tentativë e pastër për të frikësuar atë dhe ka ndodhur për shkak të detyrës së saj si reportere.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka mësuar se ngjarja është e rëndë dhe serioze, pasi ndaj banesës së koleges sonë është derdhur një breshëri me plumba, duke rrezikuar jetën e pjesëtarëve të familjes së saj prindërore.

UGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit që urgjent të hetojë ngjarjen dhe të dërgojë autorët para drejtësisë, pasi çdo vonesë do të ndikojë edhe më shumë në acarimin e klimës së lirisë së shprehjes në Shqipëri.

Policia nuk duhet të merret me detaje që çorodisin më shumë opinionin por të gjejë autorin ose autorët e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë.
Kur sulmohet lajmësi, rrezikohet rëndë një nga të drejtat themelore kushtetuese.

UGSH është në kontakt intensiv me organizmat ndërkombëtare në Shqipëri për të kërkuar një angazhim sa më aktiv në mbrojtje të gazetarëve.

Ne u bëjmë thirrje institucioneve shqiptare që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe veçanërisht Ministria e Brendshme të reagojnë menjëherë duke dënuar ashpër sulmin dhe të merren në mbrojtje reporterët.

Meta: Të zbardhet ngjarja, autorët para ligjit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar pas sulmit me armë

Edhe përmes një bisede telefonike ku shprehu solidaritet të plotë me gazetaren Lala, dy vajzat e saj të mitura dhe prindërit e saj, Presidenti Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush.

Po kështu inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj.

Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Basha: Fajin e ka Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar lidhur me ngjarjen.

Ai shprehu mbështetjen dhe të partisë që drejton për gazetaren dhe familjen e saj.

“Sot u realizua dhe ajo pjesë e vendeve që sundohen nga krimi. Një gazetare është sulmuar me armë. Familja e gazetares Klodiana Lala, është tronditur nga plumbat. Mesazhi është i qartë, kush shqetëson qeverinë e ka fundin e shpejtë.

Lulzim Basha
Lulzim Basha

Shpreh mbështetjen time dhe PD për Klodiana Lalën, familjen e saj, për çdo gazetar të pablerë ndaj kësaj qeverie që bashkëpunon me krimin.

Kemi vetëm një rrugë për të fituar betejën, duhet të qëndrojmë, duhet të fitojmë. Ne ja kemi dalë të alargojmë nga parlamenti disa dhjetëra kriminelë mëe të cilët Rama erdhi në pushtet, por fitorja s’është ende në anën e shoqërisë,” tha Basha

Përgatiti M.H

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sulmi ndaj banesës së gazetares

Ambasada amerikane: Krimi ka frikë nga drejtësia