MENU
klinika

Tregim

Burgu

21.08.2018 - 10:06

MEHMET KRAJA/

Mbrëmë pashë ëndërr se më kishin futur në burg. Ëndrra ishte e gjatë dhe e mërzitshme, kurse përtej saj shtrihej një zbrazësinë e përhimë, ose e verdhë, ose krejt e pangjyrë.

Mëngjesi erdhi i vonuar, me një dritësim të mugët dhe të mjegull dhe me një qiell që kishte rënë fare poshtë. Në të vërtetë, një mëngjes të këtillë dukej se e kisha krijuar vetë dhe kësisoj më mbeti në kujtesë.

Kur e hapa perden e dritares, në vend që të shikoja qiellin dhe peizazhin e zverdhur nën të, siç bëja zakonisht, në dritaren time pashë hekura të kryqëzuar, hekura të ndryshkur, hekura të vënë shpejt e shpejt dhe të përforcuar anash pas murit të shtëpisë.

Gati duke rendur dola në dhomën tjetër dhe me vrull e largova perden nga dritarja (ishte një perde prej basme të trashë, kjo më kujtohet mirë, nga ato perde që krijonin gjysmerrësirën e ftohtë në të gjitha dhomat e shtëpisë sime) dhe atje, përtej xhamave dhe përtej dritares, por këtej qiellit me dritësim të pakët dhe këtej pamjes dimërore të qytetit, diku në atë kufirin e padukshëm të idesë se jam i lirë dhe se liria nuk ekziston, ishin vënë po ato hekura të kryqëzuar e të ndryshkur, gjithandej të përforcuar pas murit të shtëpisë.

Nuk e hapa asnjërën dritare dhe as më shkoi mendja të shihja se çfarë kishte ndodhur jashtë gjatë natës së shkuar. Përse ta bëja këtë?

Ajo natë kishte qenë si të gjitha netët e jetës sime, e errët, e ftohtë për këtë stinë, pashpjegueshëm e errët dhe e ftohtë për të gjitha stinët, sikur të ishte stisur enkas për ndodhi të mërzitshme dhe për ëndrra po aq të mërzitshme.

U ktheva në shtratin tim dhe, duke tërhequr këmbët zvarrë mbi dysheme, u shtriva me fytyrë të kthyer nga muri, për të gjetur mbi verdhësinë e tij të ndotur po ato njollat e gjithmonshme, nëpër të cilat kaloj pa vështirësi dhe futem në një botë të patrajtshme, në një botë amebash dhe gjolesh të pështirë, atje ku fillon gjeneza e të gjithave.

Kështu bëra edhe kësaj radhe dhe kështu do të bëj gjithnjë, derisa hekurat e ndryshkur të kalben e të bien nga dritaret e shtëpisë sime.

Derisa rrija ashtu, me fytyrë të kthyer nga muri i verdhë, hetova se si pak nga pak (diku thellë, në atë errësirën e pambërritshme të mendimit), vdiste tek unë ideja se mund të dilja që andej.

Nuk provova ta hap as derën e shtëpisë, sepse mendja më thoshte se edhe atje, përtej saj, duhej të gjendej po ai kryqëzim hekurash të zinj.

(1995)