MENU
klinika

NGA ARDIAN VEHBIU

Ç’do Lacani në Shqip?

18.08.2018 - 08:57

Ideja për të përkthyer diçka nga Lacan-i në shqip i pat ardhur Jolka Nathanailit, psikanaliste e asaj shkolle dhe gjithnjë e angazhuar në raportet e psikopatologjisë me shoqërinë civile. Mua m’u shfaq si një sfidë më shumë gjuhësore, meqë isha i vetëdijshëm për vështirësitë e përkthimit të Lacan-it në çdo gjuhë tjetër, sikurse edhe për natyrën shpesh hermetike të diskursit lacanian. I vetëm nuk do ta kisha marrë kurrë përsipër, por më ngushëlloi siguria që kisha se Jolka nuk do të më linte të gaboja; në mënyrë të ngjashme do të ketë menduar edhe kolegia ime në përkthim, kur ka shpresuar se unë do t’i ofroja garanci për qartësinë e shqipes. Kësaj marrëzie të dyfishtë, ose folie à deux, i detyrohet libri Mësimet e mia, që u botua në vitin 1994 nga Onufri.

Psikanaliza e Lacan-it nuk është pa lidhje me psikolinguistikën, sociolinguistikën dhe filozofinë e gjuhës në përgjithësi; dhe kjo ishte një arsye më tepër për mua që t’i futesha punës. Sfida e mirëfilltë është si ta sjellësh fjalën dhe frazën e Lacan-it në shqip; sepse diskursi i Lacan-it frëngjisht i ka themelet sa te Freud-i, aq edhe te Heidegger-i, sa për të hedhur dy emra pesha të rënda; dhe lexuesit e Lacan-it në atë gjuhë e vendosin tekstin në një kornizë që përfshin krejt filozofinë dhe psikanalizën moderne kontinentale. Si gjuhëtar, e kam të qartë se një lexues shqip sot e ka të pamundur, krejt të pamundur, që ta lexojë Lacan-in në shqip siç e lexon francezi në frëngjisht, ose edhe anglezi a amerikani në anglisht, ose italiani në italisht. Nuk është çështje kulture, profesionalizmi a dijeje të përgjithshme; por konteksti gjuhësor dhe intertekstual.

Lacan-i pat thënë një herë që tekstet e tij janë qëllimisht të vështira për t’u rrokur; dhe se ai shpresonte që leximi t’i shërbente studentit (lexuesit) si palestër për intelektin, duke ia kultivuar mendimin. Me fjalë të tjera, ti mund t’ia nxjerrësh fundin një libri të Lacan-it dhe të mos kuptosh shumëçka, por ndërkohë leximi të ka transformuar ty. Ka diçka mirëfilli psikanalitike në këtë mekanizëm, sa kohë që mund ta përfytyrojmë lexuesin si të lexuar nga teksti.

Te një pasazh në librin që përkthyem, Lacan-i i fton kolegët e vet më të rinj të luajnë me fjalët, për të zbuluar ambiguitetet; ashtu edhe “mund t’ju lindë ndonjë ide,” thotë ai. Dhe më shkoi në mendje se, në këtë përmasë, psikanalizës shqip i duhet të kërkojë rrugët e veta, unike, pazgjidhshmërisht të lidhura me ambiguitetet dhe strukturat gramatikore konceptuale, ose formën e brendshme të shqipes.

(Për ta thënë në mënyrë provokuese – i duhet të pranojë karakterin kombëtar të simptomave, madje edhe të çrregullimeve mendore: neurozave dhe psikozave).

Këtu u kapa në befasi sapo vura re se, në shqip, deri edhe titulli i librit përmban një ambiguitet intrigues, që frëngjishtes natyrisht i mungon. Origjinalin Mon enseignement, ne e kemi dhënë si Mësimet e mia. Nuk ka ndonjë arsye specifike, që na detyroi ta themi kështu – thjesht na u duk se tingëllonte mirë.

Por nuk na shkoi mendja, në atë kohë, se folja mësoj në shqip ka dy kuptime në thelb të kundërta mes tyre, të cilat u përgjigjen foljeve anglishte to learn, përkatësisht to teach; çka do të thotë se, në ndërtimet me këtë folje, subjekti dhe objekti mund të ndërrojnë vend, së paku nga pikëpamja logjike. Krahasoni: unë mësoj anglishten, unë të mësoj ty anglishten, ti më mëson mua anglishten. Struktura nuk ndeshet vetëm me dhanore, ose me kundrinë të zhdrejtë: krahas unë i mësoj djalit notin, kemi edhe unë mësoj djalin të notojë; çka do të thotë se ndërtimi me kallëzore unë mësoj anglishten është thelbësisht i kundërt (sikurse është imazhi në pasqyrë i kundërt) me unë mësoj djalin (të notojë, etj.). Që këtej edhe ambiguiteti në titullin Mësimet e mia – jo i qëllimshëm, edhe pse mungesa e qëllimit të vetëdijshëm nuk është për t’u marrë dhe aq seriozisht në psikanalizë: Lacan-i në shqip u mëson diçka të tjerëve, por ashtu mëson diçka edhe vetë, teksa u mëson të tjerëve. Shqipja thotë: nxjerr mësime (në thelb: mësoj [LEARN]); ose për fëmijën: bëji mësimet, pastaj luaj (sërish, fëmija learns) – por nga ana tjetër, mësimet e Konfucit (Teachings).

Nga pikëpamja semantike abstrakte, folja mësoj lidhet së paku me tri gjymtyrë logjike: subjektin që “mëson” (learns); objektin e dijes ose të mjeshtërisë që “mësohet” (anglishten, notin, etj.); dhe “mësuesin” (teacher), ose agjentin që e mundëson këtë të mësuar. Dukuria ndeshet edhe në gjuhë të tjera – anglishtja learn e ka edhe kuptimin [TEACH], por si jostandard, ose arkaik; në frëngjishte, gjithashtu, apprendre përdoret me të dy kuptimet – edhe [LEARN] edhe [TEACH] (por enseigner jo); ndërkaq, në italishte imparare dhe insegnare dallohen qartazi. Këtu shqipja dallon prej anglishtes dhe frëngjishtes më tepër në shtrirjen e ambiguitetit.

Mos vallë ia përçudnuam mendimin Lacan-it, duke ia përkthyer titullin me një shqipe që mund të lexohet në dy kuptime? Mos ia vumë atij në gojë dhe në mendje një fjalë e një koncept të huaj? Jo detyrimisht. Lacan-i ka deklaruar se nuk e përsëriste kurrë veten – përveçse kur ia theksonte publikut se nuk e përsëriste kurrë veten; ose se ia kish vënë vetes për detyrë që “kurrë të mos e [thoshte] diçka më shumë se një herë.” Prandaj – mendoni pak – nëse ka ndodhur vërtet kështu, atëherë autori i atyre konferencave që janë përmbledhur në libër, i ka mësuar [LEARN] ato që thotë aty në momentin që ua ka mësuar të tjerëve [TEACH]; sa kohë që ligjërata të tilla paraqiten si unike.

Të supozosh ndryshe, do të thotë të ndash ligjërimin nga të menduarit, në mënyrë gati folklorike – ose t’i biesh haptazi ndesh frymës së çka na mëson Lacan-i.

Kush i mban mend nga shkolla dikur tezat e Marksit për Feuerbach-un, do ta kujtojë edhe atë pasazh të famshëm të tezës nr. 3, ku Marksi thotë, mes të tjerash, se “edukatori duhet ai vetë të edukohet.” Titulli që ia vumë në shqipe – pa dashur – librit të Lacan-it, e zgjidh këtë kontradiktë në mënyrën më të befasishme: jo nëpërmjet praktikës revolucionare, sikurse e pretendon Marksi në tezën e vet, por nëpërmjet ambiguitetit: edukatori edukon dhe edukohet, në të njëjtën kohë; ose edukohet, teksa edukon të tjerët (në atë masë që edukon të tjerët).

Dhe vetë koncepti, ose të paktën përfytyrimi i psikanalistit që, nëpërmjet dialogut me pacientin (të sëmurin), mëson ai vetë për sëmundjen, teksa i sëmuri mëson si të shërohet – falë komunikimit gjuhësor – i referohet një marrëdhënieje kyç midis dy palëve, gjatë procesit psikanalitik. Në këtë proces mund të ketë një rol edhe për gjuhëtarin, sa kohë që kategoritë themelore të psikes janë të rrënjosura në gjuhë – me kusht që ky të mësojë të flasë “lakanisht” njëlloj siç mëson të flasë Lacan-i shqip.

Gjithnjë mund të pyetet se ç’vlejnë ndërmarrje të tilla të përkthimit të klasikëve të një fushe, në kontekstin ku specialistët janë në gjendje t’i lexojnë këta klasikë në origjinal. Por vlera e përkthimit nuk është vetëm praktike, në kuptimin që ia jep dikujt veprën në një gjuhë që mund ta lexojë; sepse përkthimi është edhe gjakim kulturor, dhe synon të themelojë një diskurs të caktuar në gjuhën pritëse. Psikanalistët lakanianë në Shqipëri e gjetiu ku flitet shqip ndoshta nuk kanë nevojë ta lexojnë Lacan-in shqip; por Lacan-i shqip do t’ju duhet, sa kohë që ata vetë të konstituohen, si figura profesionale, përballë pacientëve që u flasin shqip. Është më e rëndësishme, pra, që shqip të flasë terapia, jo terapisti – pa çka se këtë e them nga pozitat e të tretit, ose të gjuhëtarit.