1911 – Vidhet piktura Mona Lisa nga muzeu në Luvër. Hajduti ishte italiani Vincenzo Peruggia. Profesioni i piktorit e kish bërë që të punonte në muzeun më të rëndësishëm. Një ditë – do të deklaronte më vonë – i kish ndodhur të shfletonte një libër ku shihej “fasada e Louvre me një yll sipër, dhe poshtë një seri karrocash të tërhequra nga buaj dhe ku thuhej që ishin piktura e statuja që vinin nga Italia dhe që ishin të gjitha sende të marra nga Napoleoni”.
Ishte një blic: donte të sillte në atdhe një nga ato piktura. Zgjodhi Xhokondën pothuajse rastësisht, pa e ditur që Leonardo, atë pikturë e kish marrë me vete kur ishte transferuar në Francë dhe ia kish dhënë spontanisht Mbretit Francesco I, si falënderim për mikpritjen në një prej kështjellave të tij.
Vjedhja e pikturës ishte si një lojë fëmijësh: duke përfituar nga mbikëqyrja e mangët të hënën në mëngjes hyri në Louvre dhe mbërriti në sallonin Carre, përballë Mona Lizës. E shkëputi pikturën nga muri dhe nisi ta shkëpusë nga korniza dhe xhami që e mbronte. Në fund e futi poshtë krahut, të mbështjellë me xhaketë, dhe shkoi në shtëpi. E lehtë si të pish një gotë ujë. Surete u mobilizua dhe mori në pyetje gjysmën e Parisit. Policët shkuan edhe në shtëpinë e Peruggias, që u mor në pyetje si ish punëtor i muzeut, por nuk gjetën asgjë. Mëkat që pikërisht aty ai mbante arkën e drunjtë ku ndodhej Xhokonda.
Hetimet nuk sollën asgjë, kaluan muajt dhe askush nuk e kish idenë se ku ndodhej Xhokonda. Vetëm në 1913 Peruggia vendosi ta heqë qafe duke e ofruar për një shifër modeste tek koleksionisti fiorentin Alfredo Geri, emrin e të cilit e kishte lexuar tek Corriere della Sera.
Me të njëjtën lehtësi me të cilën e vodhi, Peruggia u kthye në Itali dhe ia dha Gerit, i cili e denoncoi në çast, me shpresën e një shpërblimi të majmë. Por Franca, bashkë me nderimet e mëdha, i dha vetëm 25 franga.
Leonardo da Vinci, një nga piktorët më të mëdhenj të Rilindjes italiane, e kishte realizuar pikturën në vitin 1504. Mona Lisa është portret i gruas së fiorentinasit të pasur Francesco del Gioconda. E njohur edhe si La Gioconda, piktura tregon një grua, portret, me një shprehje enigmatike të fytyrës që është edhe e ftohtë edhe tërheqëse.
1940-Vritet Leon Trotsky. “Mos e vrisni! Ai burrë duhet të tregojë një histori”, këto janë fjalët që tha udhëheqësi komunist Leon Trocki, pak sekonda pasi ishte qëlluar nga agjenti sekret i Stalinit, ndërsa ky i fundit mund të ishte vrarë nga rojet e tij. Ideologu i madh i marksizmit dhe krijuesi i Internacionales së Katërt, që do t’i bënte opozitë asaj që drejtohej nga Stalini, humbi jetën në zyrën e tij i goditur nga një shufër hekuri e përshtatur në formë thike. Ai ishte një nga krijuesit dhe komandantët e Ushtrisë së Kuqe dhe drejtues i ÇEKA-s, që luajti rolin e shërbimit sekret në ushtri, kundër Armatës së Bardhë. Trocki u vra më 20 gusht 1940, Ramon Merkader, agjent i shërbimeve të cilat Trocki i kishte drejtuar vetë. Dëshmitarë tregojnë se Merkader kishte dëshmuar në gjyq, se kishte përgatitur hekur dhe se e kishte qëlluar Trockin, ndërsa ky lexonte gazetën.
Nga ana tjetër, Trocki urdhëroi rojet që të mos e qëllonin vrasësin, në mënyrë që ky të tregonte historinë dhe ngjarjen. Vetë udhëheqësi nuk vdiq menjëherë, por nga hemorragjia, pasi ishte goditur në enën kryesore të gjakut në qafë. Trovki vdiq të nesërmen në spital. Nga shqiptarët, Leon Trocki duhet të kujtohet, pasi në vitin vitin 1917, si komisar për çështje të jashtme, gjeti në arkivat e Rusise cariste dokumentin e Traktatit të Fshehtë të Londrës nënshkruar në prill 1915, midis Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë për copëtimin e Shqipërisë. Dokumenti u bë publik, madje Austria e përktheu edhe në shqip, që çdo shqiptar të mund njihej me të.
1991 – Letonia shpall pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.