MENU
klinika

Histori Njerëzore

Dashuri në kohën e serenatave

18.08.2018 - 17:05

Nga serenatat te emoji , nga dashuria si përkushtim dhe sakrificë, në dashurinë virtuale, dy botë paralele të dy kohëve të largëta, ku dashuria qëndron pezull. E tillë është historia e një çifti në Korcë që ndanë bashkë një rrugëtim jete plot 48 vjeçar. Kudretin e njohin të gjithë në Korçë. Ai është ndër të paktët që ruan traditën e bukur korçare të serenatave, por pakkush e di se nga buron dashuria e tij për t’u kujdesur që kjo traditë qytetare të mos humbasë. Kudreti tregon se është njohur me bashkëshorten e tij, Angjelika, 48 vite më parë, atëherë kur poshtë ballkonit tingujt e serenatave ishin thirrja e dashurisë për të rinjtë.

Shkëndijat e para të dashurisë ata i patën pranverën e vitit 1970. Në atë kohë Kudreti ishte një djalosh 20 vjeçar që çapitej kalldrëmeve të pazarit të vjetër, teksa sytë e tij ndeshën Angjelikën. “Ka qenë dashuri me shikim të parë” – kujton ai – “e që prej asaj dite serenatat poshtë dritares së saj nuk përfunduan. Një natë vjeshte madje – vijon rrëfimin e tij Kudreti – qëndrova poshtë dritares së saj deri në agim duke kënduar, edhe pse binte shi, u ktheva në shtëpi i lagur e me zërin të shuar , përfundova në Sanatorium“ – tregon teksa buzëqesh Kudreti.

Kohët ishin ndryshe atëherë– vijon më tej zonja Angjelika,- babai im ishte fanatiku tipik. Një ditë e kapi Kudretin në kopshtin tonë dhe e kërcenoi se, nëse do kthehej do e pësonte. Natyrisht që ai u kthye. Pas disa ditësh , e bindur që im aët nuk do të pranonte , unë u largova në shtëpinë fshehtaz natën. Për kohën që jetonim largimi im u prit keq. Tani ja ku jemi, gjyshër te dy nipave të mrekullueshëm. E të mendosh se gjithçka filloi nga një serenatë …. Kohë të arta” – kujton e mallëngjyer Angjelika.