MENU
klinika

Masa për Chievo-Juventus

Debutimi i Ronaldos në Itali, gati forcat antiterror

15.08.2018 - 12:36

Cristiano Ronaldo do të luajë ndeshjen e tij të parë në Serie A në masa shumë të rrepta sigurie, aq sa edhe forcat italiane antiterror do të jenë të pranishme në sfidën e debutimit të portugezit.

Në qytetin e Veronës po merren masat që gjithçka të jetë perfekte në ndeshjen e të shtunës që nis sezonin, për faktin se vjen Juventusi kampione në fuqi dhe sidomos se mbërrin edhe ylli më i ndritshëm i kampionatit italian në këtë edicion, ai që i ka dhënë një shikueshmëri më të madhe aktivitetit.

Prej ditësh, vendasit kanë bërë gjithçka gati për sfidën dhe u kanë dhënë një rëndësi të veçantë masave të sigurisë, me një plan të detajuar që të mos ketë asnjë incident sado të vogël, meqë ndeshja do të shihet në të gjithë botën.

Sipas “Corriere di Verona”, një njësi e veçantë antiterror do të jetë e pranishme në stadium, duke siguruar mbarëvajtjen e takimit, pasi dita e debutimit të Ronaldos në Serie A pritet të rrisë edhe fluksin e njerëzve në qytet dhe nuk duan që të ketë surpriza të pakëndshme.