MENU
klinika

Kapiteni i Kroacisë

Dëshira e fundit e Interit në merkato quhet Modriç

01.08.2018 - 16:48

Duket paksa e pabesueshme, por që kur Juventus mori Cristiano Ronaldon, në Itali fjalët e merkatos kanë filluar të merren seriozisht. Dhe Inter duket se ka një ëndërr, të marrë nënkampionin e botës, Luka Modriç.

Kapiteni i Kroacisë është një synim i zikaltërve, që tashmë e kanë një akord me Bayern Munchen për rikthimin e Arturo Vidal në Itali, këtë herë me ngjyrat zikaltër.

Por drejtuesit e Interit, të rikthyer në Champions, përpara se të mbyllin përfundimisht çështjen e mesfushorit të Bayern, duan të tentojnë edhe një goditje të pabesueshme në merkato.

Kontaktet me agjentët e Modric kanë nisur dhe mesfushori nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Real Madrid për të ndryshuar ambient.

Megjithatë, rruga për të arritur deri tek Modriç është shumë e vështirë. Kroati mbush 33 vjeç më 9 shtator dhe ka një kontratë me madrilenët deri në vitin 2020.

Florentino Perez, pasi humbi Ronaldon, nuk pritet të lërë të lirë një tjetër yll, por në çdo rast, drejtuesit e Interit po lëvizin, duke parë edhe dëshirën e lojtarit, të cilit i pëlqen një kalim në Milano, ku ndër të tjera do i bashkohej kolonisë kroate te zikaltrit, të përbërë nga Brozovic, Perisic dhe blerja e fundit, Vrsaljko.