MENU
klinika

Tenis meshkuj

Djokovic shkruan historinë në Cincinnati

20.08.2018 - 10:45

Tenisti Novak Djokovic hyn në historinë e këtij sporti. Ish-numri 1 i renditjes botërore është bërë tenisti i parë që i fiton gjithë turnetë Masters 1.000, duke triumfuar ndaj Roger Federer në Cincinnati.

Tenisti serb 31-vjeçar, 5 herë finalist i turneut, mposhti 7-herë kampionin Federer, 6-4, 6-4, duke thyer një mallkim, sepse ishte mundur në 3 finalet e mëparshme kundër zviceranit.

Për Federer, ishte shansi për të arritur triumfin e 99-të në karrierë dhe për të çuar në 23-23 bilancin e përballjeve me rivalin serb.

Gjithsesi, që në fillim Djokovic ushtroi presion konstant, derisa kaloi ne avantazh 4-3 dhe duke fituar më pas setin e parë 6-4. Federer e nisi më mirë setin e dytë, duke shkuar në avantazh 2-0, para se Djokovic të reagonte, duke barazuar e duke marrë më pas avantazhin 4-3, para se të mbyllte gjithçka sërish 6-4.

“Është një moment shumë i veçantë. Është hera e parë që fitoj një trofe në Cincinnati”, – deklaroi Djokovic pas triumfit të tij të parë.

Tani Djokovic, i kthyer në formë perfekte pas një mungese të gjatë, kërkon të triumfojë edhe në US Open, ku ka fituar 2 herë trofeun. Ai po rikthehet më i fortë…