Menu

Energjia solli rreth 30% të rritjes

Ekonomi që “fryhet” me lumenjtë

24.08.2018

KESH raportoi për 6-mujorin e parë të vitit 7.1 miliardë lekë shitje energjie në tregun e parregulluar, që në pjesën më të madhe konsiston në eksporte.  Vlerësohet se eksportet e energjisë sollën rreth 30% rritjes totale të eksporteve në gjysmën e parë të vitit.

Të dhënat e Institutit të Statistikave treguan se Shqipëria ka eksportuar energji në sasi të mëdha edhe për tremujorin e dytë të vitit, për një total prej 1106 GWh. Rritja e prodhimit energjisë dhe eksporteve i detyrohet natyrisht kushteve të favorshme hidrike. Nuk është risi që prodhimi i energjisë në vend fryhet bashkë me prurjet e lumenjve dhe mpaket me to.

Por, ndryshimet e mëdha në prodhimin e energjisë kanë impakt edhe në bilancin tregtar të vendit, ashtu si edhe në treguesit e prodhimit kombëtar. Është fakt se rritja ekonomike përtej parashikimeve e tremujorit të parë erdhi sidomos falë prodhimit të lartë të energjisë.

Sipas Instat, energjia dhe uji kontribuan me 2.42 pikë përqindje, kundrejt një rritje totale prej 4.45%. Eksporti i energjisë ka ndikuar pozitivisht edhe bilancin tregtar të vendit. Grupi “minerale, lëndë djegëse energji” i ka rritur eksportet me rreth 8 miliardë lekë më shumë në gjysmën muajt e parë të vitit. Po të ballafaqojmë eksportet e këtij grupi me shijet e energjisë nga KESH, duket se rritja ka ardhur pothuajse tërësisht nga energjia.

KESH raportoi për 6-mujorin e parë të vitit 7.1 miliardë lekë shitje energjie në tregun e parregulluar, që në pjesën më të madhe konsiston në eksporte.

Më shumë se nga rimëkëmbja e sektorit minerar, rritja e eksporteve ka ardhur falë shitjes së energjisë dhe prurjeve të mëdha të lumenjve.

Vlerësohet se eksportet e energjisë sollën rreth 30% rritjes totale të eksporteve në gjysmën e parë të vitit.

Një përkeqësim i natyrshëm periodik i prurjeve të lumenjve do të ketë pasoja direkte në bilancin tregtar të vendit, me ulje të eksporteve dhe rritje të importeve për këtë produkt.

Banka e Shqipërisë e ka evidentuar në vazhimdësi brishtësinë e strukturës së eksporteve shqiptare, të varura shumë nga eksporti i krahut të lirë të punës, i lëndëve të para të papërpunuara dhe me një vlerë të ulët të shtuar, si edhe nga luhatjet e mëdha të prodhimit të energjisë.

Sipas raportit të fundit të politikës monetare, eksportet neto do të japin një kontribut në rënie në rritjen ekonomike gjatë gjysmës së dytë të vitit. Kjo do të vijë si nga rritja e importeve si rrjedhojë e përmirëismit të kërkesës së brendshme; por, edhe nga një ngadalësim i rritjes së eksporteve, ku ngadalësimi i eksporteve të energjisë do të jetë një faktor me peshë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN