MENU
klinika

Sulmuesi i Kombëtares

Fati i keq për Armando Sadikun, do të operohet përsëri

06.08.2018 - 15:00

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, ka marrë sot lajmin më të keq nga mjekët pas vizitave të specializuara në Valencia për dëmtimin e pësuar dy ditë më parë me skuadrën e Levante.

Raporti mjekësor i publikuar nga klubi spanjoll ka bërë të ditur se ajo të cilës sulmuesi i frikësohej më shumë kishte ndodhur përsëri.

“Testet mjekësore të zhvilluara gjatë ditës së sotme për Armando Sadikun konfirmojnë se sulmuesi shqiptar ka pësuar këputjen e ligamenteve të gjurit të majtë.

Futbollisti do të operohet sot pasdite në klinikën “Quirón” nga doktori Ernesto Fernandez. Sadiku doli nga fusha i dëmtuar në pjesën e dytë të ndeshjes së të shtunës së kaluar përballë Herenven.

Parashikohet një periudhë riaftësimi prej 6 muajsh”, – shkruhej në njoftimin e klubit që tregoi se lojtari ka mbyllur vitin dhe do të kthehet në fushat e lojës në 2019-ën.

Sadiku ka vuajtur një situatë të ngjashme dy vite më pare, pasi dëmtoi gjurin e majtë kur luante me Zyrihun.