MENU
klinika

Personazhi i qytetit

Florian Jakaj dhe jazz-i “shkodran”

28.08.2018 - 15:58

Qyteti i Shkodrës do përjetojë këto ditë të nxehta vere tinguj Jazz-i. Festivali ndërkombëtar i Jazz-it që këtë vit organizohet për të 9-tin vit me rradhe do të bashkojë në Shkodër këngëtarë, pianist, kitarist dhe kompozitor me famë botërore. I nisur për të çuar përpara një ëndërr të lënë në mes, “Shkodra Jazz Festival” synon të kthehet në histori.
Florian Jakaj, themeluesi i shoqatës së Jazzit, njëherësh ideator i këtij aktiviteti kërkon të ecë në gjurmët e violinistit Rrok Jakaj, i cili prezantoi për herë të parë Shkodrën, një qytet me muzikë tradicionale qytetare, me zhanrin e muzikës Jazz.

Rrok Jakaj u njoh vetë me Jazz pasi emigroi drejt Italisë, ku falë talentit të tij arriti të spikaste në interpretimet e tij në skenat e mëdha europiane deri përtej oqeanit, në Amerikë dhe në Lindjen e Largët. Pasioni dhe talenti janë një formulë fatlume dhe Jakaj ia doli që brenda një kohe të shkurtër të ishte anëtar i serisë së koncerteve “Pavarotti & Friends” si dhe të ishte pjesë e programeve në rrjetin televiziv italian Mediaset. Por ëndrra e Jakaj u pre në mes në moshën 36-vjeçare si pasojë e një aksidenti të ndodhur në dhjetor të vitit 2004.

“Çdo vit që kalon është një hap më shumë drejt zotimit për t’i dhënë jetë dëshirës që pati ai, për të themeluar në vendlindjen e tij një festival të xhazit. Rroku u nda nga jeta në kulmin e tij dhe kjo nuk na ndali mua, vëllanë e tij Labeatin dhe miqtë ta sillnim, në vitin 2005, Rrokun në Shkodër përmes festivalit të tij…”, rrëfen Florian Jakaj.
“Rrok Academy” e “Shkodra Sounds” për 6 vite me rradhë i dhanë gjallëri qytetit të Shkodrës dhe krijuan shumë fansa të kësaj muzike. Por siç ndodh shpesh herë në vëndin tonë,arti përballet me shumë vështirësi:

“Pas edicionit të 6-të vendosëm të bënim një pushim. Menduam, së kjo do të bënte që përgjegjësit e kulturës të reflektonin për aktivitete të tilla, që i japin gjallëri jetës artistike të qytetit. Serioziteti dhe sensibiliti i personave që vlerësuan punën që kishim bërë bënë të mundur që të rimerrnim punën në 2016, për të realizuar edicionet në bashkëpunim me Rrok Academy e Shkodra Sounds” tregon Jakaj.

Shkodra është e njohur si qyteti i kulturës, me traditë kryesisht në muzikën qytetare, por sa është lidhur kjo zonë me këtë lloj rryme që vjen nga Amerika e largët ? “Në lokalet e qytetit orkestrat kanë luajtur edhe luajnë xhaz. Këtë lloj muzike e gjejmë herët në qytetarinë e Shkodrës, duke qenë gjithmonë si qyteti i risive, në veçanti në fushën e artit.”, thotë drejtori artistik duke shtuar se ky fakt ka tërhequr edhe emrat e mëdhenj të Jazz-it botëror që të marrin pjesë në këtë festival.

Përveç pianistit Markelian Kapidani, i pagëzuar nga fansat edhe si “princi i xhazit” shqiptar, që merr pjesë në të pestin edicion të këtij festivali, për publikun shkodran do të interpretojnë maestro Paçalin Pavaci, violinisti shkodran i cili luan për orkestrat prestigjioze botërore, pianisti italian Paolo Marzoçhi, kitaristi spanjoll Maria Gallardo del Rey, një ndër 10 saksofonistët më në emër në botë Michael Rosen, këngëtarja amerikane Joyce Elaine Yuille, saksofonisti me famë ndërkombëtare, të Torino Jazz Festival Diego Borotti & NU4tet, JUNGLE STOMP dhe Skanderbeg Chamber Orchestra.

Përgatiti: K.Zh

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Forcat xheniere në vendin e ngjarjes

Alarm për bombë në burgun e sigurisë së Burrelit

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin

Largohen edhe 50 punonjës italianë

Boshatisen qendrat në Shëngjin e Gjadër

"Lejuan personin ‘misterioz’ të largohej, nuk kryen…"

Masakra në Dobraç/ AMP akuzë efektivëve në Shkodër