MENU
klinika

Mrekulli e lartësuar

Fusha e Çajupit, midis maleve dhe lakmitarëve

16.08.2018 - 11:24

Ndërmjet qytetit të Gjirokastrës dhe rrethit të Përmetit ndodhet një vend, ku lakmia e madhe për të ka bërë histori tërkuzë në formë të zgjatshme. Ajo është një pllajë në lartësinë 1536 m mbi nivelin e detit. Është e gjatë 900 m, e gjerë 500 m.

Nga lart duket si arenë gladiatorësh e rrethuar nga malet që presin spektatorë të bërtasin fituesin e radhës. Për të shkuar më këmbë nga Gjirokastra duhen në ecje e sipër afro 3 orë të ngadalta nën shijen e fijeve të barit e luleve të shumta që krijojnë kodrinat që sa vijnë e ngrihen në male të zhveshura, por rruga aty nuk zgjat.

Për ta përshkruar me makinë është kënaqësi të shohësh pejizazhin që krijon Lunxhëria në rrugën e re që është bërë. Nga sipër në fshatin Erind në pëllëmbë të dorës je beu i gjithë fushës së Lunxhërisë me sy.

Rruga për në malin e Çajupit tashmë është e asfaltuar për makinat dhe të fton për një destiancion ku mushkëritë zgjerohen, sytë dorëzohen harmonisë së natyrës, mendja hapet në gurët që thurrin gojëdhëna dhe në hapësirën që të mbush.

Kur mbërrrin ndryshon si njeri, i shpall vetes paqe, harmoni. Shkëmbit i zhveshur i Zhejit pak më tutje fushës së Çajupit të fton të shohësh me dylbi dhi të egra mali që fshihen nga sytë e zakonshëm të vizitorëve.

Duket sikur Zoti nuk pati pasur punë atë ditë dhe me duart e tij në rrugë e sipër ndërtoi një pllajë në mal për ta quajtur më pas Çajup. Aq i bukur është sa dhe Andon Zako ia ‘vodhi’ emrin fushës dhe e quajti emrin e malit si pseudonim të tijin, Andon Zako Çajupi.

Shtegëtarët kur pushojnë sikur kanë arritur rrugën për tek ekuilibri mendor. Sa ikin kanë dëshirë të rikthehen përsëri të dashuruar me vendin. Një detinacion për turizëm malor që mund të kalohet edhe hipur në mushka.

Historia e fushës së Çajupit ka mbijetuar në shumë lakmi. Lakmia e hershme ka qenë që në kohët prehistorike. Në Çajup janë gjetur mbetje të materialeve që në kohën e paleolitit të mesëm, të veglave të punës në strall. Studiuesit mendojnë se aktiviteti njerëzor në këtë fushë ka nisur qindra mijëra vjet më parë, që në kohën kur njeriu fillonte të ecte, të gjuante e të buzëqeshte bukuritë e natyrës.

Lakmia e dytë është ajo e mjedisit dhe lidhet me ajrin e freskët, era aty të merr brinjë më brinjë po nuk të sëmur, të sëmurët shërohen nga burimet e sidomos nga ai i Bratit që mendohet se ka shëruar nga njerëzit nga turbekulozi.

Të hash mish fshati sa të duash nuk ka ndonjë efekt, uji e tret për një kohë të shkurtër e ndihesh si aga që do prapë mish dhe ujë. Mund të sfidojë bindshëm dhe Coca-Cola-n. Uji është një nga magjitë që Çajupi ka.

Interesante është historia e vërtetë e një të sëmuri shqiptar me emër Kiço Andoni nga Vithuqi, emigrant në Kanada me turbekuloz, të cilit ia hoqën fillin mjekët aty, nuk iu dha shans për të vazhduar jetën dhe e paralajmëruan që të merrte masa.

Duke e sygjeruar që të jetonte në Çajup bashkë me gruan ai erdhi e ndejti në një kasolle, midis ‘’Ujit të Jankos’’, natyrës së Çajupit dhe dalëngadalë u shërua nga turbekulozi. Kur u kthye në Amerikë mjekët nuk e besuan.

Nga kjo mrekulli, edhe djalit që lindi ia vuri emrin Janko. ‘’Uji i Bratit’’ është studiuar dhe është lakmi si ujë shërues për shëndetin e njerëzve. Ajri dhe natyra e ndihmon ujin të të kënaqë edhe më.

Lakmi tjetër ka qënë ajo e vjedhjes. hajdutë nga zona të ndryshme kanë sulmuar fshatarët, sa kanë lënë kockat në fushën e Çajupit, janë vrarë nga zagoritët, megjithatë kanë vrarë edhe fshatarë të zagories për kusari.

Dikur mërgimtarët florinjtë i fusnin në rripin e qenit ku varej zilja për të mos u kapur nga kusarët kur ktheheshin nga emigrimi. Vetë qeni ecte para karvanit e hajdutët kontrollonin nëpër këmbët e karvanit për ndonjë verdhushkë.

Dëshmi për këtë është karakolli i fushës së Çajupit që rri i gurtë me qemerin-çati të mrekullueshëm dhe pret të vizitohet si monument kulture i veçantë në unicietin e tij. Tashmë nuk ka më sejmenë, dervexhinjë e bekshijë a arkobuzjerë, të ruajnë korridoret e rrugëve të hershme midis Lunxhërisë, qafës së Çajupit, qafës së Dhëmbelit për të shkuar në Përmet. Këtë rrugë e ka provuar për ta administruar edhe Ali Pashë Tepelena kur ishte në postin e Dervenpashait, edhe ai e provoi ujin e Çajupit.

Pas shekullit të XVIII-të sejmenë e bejlerë lanë kockat aty. Shapllo-beut iu pre koka në luftë e sipër nga shpata e kapedan Kiço Vlashit. Këtë shpatë e provoi edhe Kapllan Pasha me sejmenët e vet kur i dërgoi Kurt Pashai i Beratit.

Lakmia më e madhe që ka bërë histori është vetë ajo fushë që kanë dashur ta përvetësojnë me dredhi. Gjatë verës aty bagëtitë verojnë e kanë ushqim të begatë. Që nga Kuçi i Vlorës e deri tek zonat përreth duan të verojnë bagëtitë aty kundrejt pagesës. Bari është karakteristik i vetëm kësaj pllaje i cili nuk do shërbim. Kosat e fshatarëve e dinë ç’kanë hequr aty duke korr çdo vit nga shumë rrugë.

Këtu fillon dhe historia e vërtetë e fushës së Çajupit. Kjo fushë historikisht ka qenë përpjestimisht e ndarë sipas familjeve të fshatit Zhej dhe Lliar të Zagorisë dhe e kanë trashëguar brez pas brezi me tapi e me luftë pronën e tyre.

Një be gjirokastrit në 1750 pak nga pak spostoi pronarët e ligjshëm dhe dalëngadalë, solli 15 familje vllehe që të shfrytëzonin fushën. Akoma kanë ngelur dëshmi të gurëve të oxhaqeve të shtëpive rreth e rrotull fushës. Banorët bënë sikur pranuan, u larguan dhe u përgatitën, krah në anën e tyre kishin dhe Vezirin e Janinës.

Pas vitit 1800 një bej tjetër gjirokastrit, i quajtur Sabri Beu u bë lakmues t’u vidhte nga pak tokat. Fshatarët i përzunë të ardhurit nga Sabri beu bashkë me tufat e dhenve. Sabri Beu u hodh në sulm. I paditi zhejotët e Lliariotët në gjyq.

Plot 20 vjet vazhdoi Saga e Çajupit, fshatarët shpenzuan 4800 napolona floriri, dhe gjithë stolitë e grave të fshatit. Çdo familje kontribuoi me 40 napolona floriri për të ruajtur pronat e tyre si kontribut për gjyqin.

Nuk ishte pak gjithë ai flori në atë kohë, por prona ishte gjithçka që njerëzit kishin. Vendimi i gjyqit në Stamboll u stampua në ‘’senet bakri’’(pllake bakri) të vulosur me vulën e sulltanit ku të drejtën ua përcaktoi fshatarëve të Zhejit dhe Lliarit. Deri vonë seneti prej bakri mbahej nga kryepleqësia e fshatit.

Një pretendues tjetër dhe lakmues i radhës është Sharaf Karagjozi nga Gjirokastra. Që donte të përvetësonte edhe Çajupin. Me përvetësimin e fushave të Çajupit me forcë, fshati i Zhejit reagoi po me forcë duke i përzënë sejmenët dhe bagëtitë e Sharafit.

Për dredhi Sharafi donte të blinte një hise(një sinor-tokë të një fshatari të dobët ekonomikisht). Dredhia ishte sa të futej në tokat e Çajupit për t’i zbuar me lezet më vonë pak nga pak. Mirëpo këtë nuk e realizoi dot, pasi tapia e senetit prej bakri nuk lejonte të futesh tjetërkush në pjesë, kjo përballej nga kryepleqësia e fshatrave. Sharafi u përball në gjykatën e Janinës.

Nga një anë Sharafi pretendonte se nuk i kulloste dhentë në fushën e fshatarëve, nga ana tjetër fshatarët kishin groposur qymur, rezultoi që kullotat e Sharafit ishin brenda kufijve të pronave të fshatarëve. Më pas u vendosën shenja të sigurta për kufijtë e pronave të fushës së Zhejit dhe Lliarit.

Në vitin 1970 u përdor një mënyrë më e ndryshme për ta marrë pronën. Krahas shtetëzimit, kjo pronë u bë koperativë, por që të zhvendosesh në administrim për në kooperativën bujqësore të Odries. Me pretekstin se ishte një kooperativë më e konsoliduar se e Zagories. Për këtë të gjithë fshatarët ishin kundra.

Megjithatë nuk pati efekt, ajo ndërroi pronësi dhe funksionin shumëshekullor të saj. Gjatë kësaj kohe iu vu plugu dhe u mboll me patate për ushtrinë për nevojat e bujqësisë. U ndërtua një repart ushtarak aty.

Pretendim tjetër është një gjirokastrit për të vënë në pronësi parcelën me numër kadastral numër 51 me emërtimin ‘’Brat e Shenepremte’’. Duke pasur kullotën e tij afër parcelës 51 donte ta përvetësonte edhe atë. Me dokumente të vitit 1920 dhe 1929 në Komisionin e Kthimit e kompesimit të Pronave. Dokumenti ishte një kontratë pajtimi i vitit 1939 ku saktësohej se pronari i ligjshëm ishte nga fshati i Zhejit.

Edhe në këtë rast pas një ekspertize të tipografit Krenar Kuçi, gjykata me nr.932/111 vendosi anullimin e pjesshëm të vendimit të KKK të të paditurit Halil Babameto. (burimi nga libri ‘’Zheji në rrjedhat e viteve’’ Anastas Çarka)

Me ligjin e famshëm 7501 të pronave shumë pronarë të ligjshëm të dikurshëm e humbën tapinë e tyre dhe toka u mor në pronësi të fshatarëve që jetonin pas vitit 1991.

Pronësia u përqëndrua në ligjin e ri me disa familje të ngelura në fshat, të tjerët e ikur gjatë viteve nuk përfituan. Ra një sulltan i tërë me vulën e tij e bakri u bë shkrumb e hi.

Atë që se bënë dot gjirokastritët bejlerë në shekuj e bëri kusaria e një ligji që po bën të pëlcasë edhe sot e kësaj dite një Shqipëri të tërë dhe shtetëzimi i kohës së komunizmit.

Me vonë lakmi ka pasur për fshat turistik me ide që në vitet 1930 e deri me qeveritë demokratike, për fat të mirë i rregulluan vetëm rrugën. Dikur thuhej se është vend ideal për Sematorium, për nga klima dhe shëndeti që jep.

Si fushë përsëri vazhdon të lakmohet nga të gjithë. Shkojnë me mall e duan të rikthehen në atë tokë përsëri me mall, aty ku Zoti dha paqe, harmoni e shëndet, po njeriu shpalli luftë.

Përgatiti Eugent Kllapi

Probleme me energjinë elektrike

OSHEE lë në terr 400 familje në Gjirokastër

Rama ndan pamjet e atmosferës festive

Saranda ndez dritat e festave!

Bashkia, njoftim të rëndësishëm për qytetarët

Vlora në pritje të reshjeve të dendura

Sa do paguajnë qytetarët

Rritet çmimi i ujit për 12 bashki

“Travel off Path”: Shqipëria, parajsa mesdhetare

Vlora, qyteti bregdetar i mbushur me brigje mahnitëse